Nëse ju duhet një librezë shëndetësore për t’u punësuar mund ta merrni edhe të falsifikuar. Kjo nuk është rruga e duhur, por falsifikatorët gjenden kudo me qëllim përfitimin. Rasti më i fundit u denoncua në emisionin Fiks Fare, kur një inspektor të zgjidhën punë pa qenë nevoja të sorollatesh.
Inspektori sipas emisionit, punon pranë Institutit Shëndetësor Shtetëror dhe kundrejt pagesës, ai të jep librezën me 4 firma.
Gazetarët ju drejtuan këtij institucioni duke kërkuar inspektorin Elion Karaj. Pas takimit me inspektorin Karaj, gazetarët e Fiksit prezantohen si pronarë të një lokali të cilët ligji i detyron të pajisin punëtorët me librezë shëndeti.
Gjatë bisedës inspektori ju tregon që për të dalë libreza e shëndetit ka një afat kohor prej 3 ditësh. Pyetjes së gazetarëve nëse ka ndonjë mënyrë tjetër dhe më të shpejtë për të nxjerrë këtë librezë , inspektori Karaj u përgjigjet: “Tashti, më i bo shkurt e shkurt, 2 libreza shkojnë 60 mijë lekë ore”.

Pasi të dyja palët bien dakord për shumën që duhet paguar për dy librezat, inspektori i ISHSH kërkon të dhënat e personave për të cilët duhet të nxirren librezat e shëndetit. Ai gjithashtu u premton të interesuarve në fjalë , gazetarëve të fiksit, se brenda ditës librezat i kanë në dorë. Pas dorëzimit të shumës prej gjashtë mijë lekësh të reja në orën 12 :00 të mesditës, Karaj pohon se në orën 16:00 librezat do të jenë gati.
Por inspektori Karaj ka dyshimet e tij dhe u kërkon gazetarëve të Fiksit emrin e personit që i ka adresuar tek ai: “Kush ju adresoi ore, se po me vika çudi, ndaj po them”.
Ai tregon se është inspektor në ministrinë e shëndetësisë dhe se ka ndihmuar shumë njerëz duke iu shitur librezat e shëndetit , ndaj dhe ka frikë se mos del në “Fiks Fare”.
Pas 4 orësh gazetarët takohen sërish me inspektorin Karaj i cili ju dorëzon dy librezat shëndetësore në dorë të rregullta e me vulë të Autoritetit Shëndetësor Rajonal Tiranë. Gazetarët e pyesin edhe për certifikatën e DDD-së (dezinfektim, dezinsektim, deratizim) për lokalin, nëse inspektori mund t’i ndihmojë për ta nxjerrë edhe këtë në mënyrën që nxorën librezat shëndetësore. Inspektori kërkon informacion për sipërfaqen e lokalit dhe pohon se e bën edhe DDD-në kundrejt katërmijë lekëve: “Numrin e telefonit e ke?”, pyet ai.