Një britanike, fanse e Manchester United, u fiksua kaq shumë pas lojtarit shqiptar, Adnan Januzaj sa anuloi edhe dasmën e saj pasi ra në dashuri me futbollistin.
Sipas Mirror, Mai Alexander, 24 vjeç, u dashurua me Januzajn pasi e pa teksa debutonte me United në moshën 18-vjeçare në gusht të vitit 2013.
Menjëherë ajo nisi të bënte plane se si do e kalonte jetën me futbollistin shqiptar.
Pavarësisht faktit se nuk e kishte takuar asnjëherë, Mai planifikoi dasmën me të, zgjodhi një shtëpi, madje edhe kishte gjetur emrat për fëmijët e tyre.
Artistja e makijazhit e përndiqte shqiptarin në çdo lëvizje, duke i dërguar mbi 200 letra me shkrim dore.
Po ashtu ajo shpenzoi mbi 2 mijë sterlina për t’u dukur si e dashura e futbollistit, bukuroshja Melissa McKenzie.
Mai ishte kaq e bindur se ishte në një marrëdhënie me futbollistin, sa nuk e puthte më të dashurin e saj, pasi i dukej sikur po e tradhtonte lojtarin.
Kur miqtë i thanë se mund të mos ishin bashkë, ajo nisi të bëhej depresive.
Dy vjet pasi e kishte parë për herë të parë futbollistin, ajo u zemërua kur pa një foto të tijën me të dashurën dhe shkroi një shënim vetëvrasës.
Më pas preu damarët.
Për fat, i dashuri i saj, 23-vjeçari Stefan Hall e gjeti dhe njoftoi ambulancën.
Pas trajtimit në spital, Mai u kurua edhe për çrregullime mendore.
Tashmë, tre vjet pasi kishte parë për herë të parë lojtarin, Mai kërkon të flasë hapur për çështjen e fiksimeve.
Në mënyrë të pabesueshme, i dashuri i saj, Stefan, është treguar i devotshëm dhe e ka ndihmuar të kalojë gjithçka.
Tashmë ata kanë caktuar dasmën në vitin 2018.
“Doja të jetoja me të. E imagjinoja veten si gruaja e tij. Madje kisha zgjedhur emra për fëmijët- Miriam për vajzën dhe Junior për djalin”.
“Qartësisht nuk kisha asnjë shans që të lidhesha me të, por shpresoja”.
“Tashmë e kuptoj se Stefan është e ardhmja ime dhe i vetmi person me të cilin dua të jem”.
“Gjërat janë shumë më mirë tani. Sërish e ndjek Adnanin në mediat sociale, por nuk e teproj”.
“Kur e shoh në ekran sërish më duket si ish-i im dhe mendoj se është i lezetshëm, por nuk jam e fiksuar”.
Kurse Stefan thotë: “E kam dashuruar Mai-n që ditën e parë kur u takuam. Ajo është kaq e këndshme dhe plot humor”.
“Kisha nisur të kisha dyshimet e mia, por ajo ma mbajti fshehur fiksimin fillimisht. Më vonë e kuptova se ajo ishte e sëmurë. Shumë e sëmurë. Qëndrova në krah të saj për shkak se e dija se kishte nevojë për ndihmë”.
“Tani e ka kaluar dhe është mirë. Jemi më të fortë se kurrë”.