Quantcast
Channel: Shëndeti – Gazeta Mapo
Viewing all articles
Browse latest Browse all 2522

Mos i humbisni: Disa studime pikante mbi shëndetin

$
0
0

autismTeste të reja për hetimin e autizmit

Sytë e një fëmije të porsalindur, në të ardhmen, mund të jenë test për të hetuar nëse fëmija rrezikohet nga autizmi, para shfaqjes së simptomave. Është rezultati i një studimi të fundit zhvilluar në Universitetin e Trentos në Itali dhe publikuar në revistën mjekësore “Scientific Reports”. Pjesë e studimit u bënë 13 fëmijë të porsalindur, 6-10 ditësh, me risk të lartë për autizëm (për shkak të një vëllai apo motre autik/e) dhe 16 fëmijë të tjerë me më pak risk për autizëm. Secilin prej fëmijëve i kanë ngacmuar dhe kanë provuar të shohin reagimin e tyre. Dallimi mes dy grupeve është më se i qartë: fëmijët me risk të lartë duket se e humbasin menjëherë dëshirën për të reaguar ndaj stimujve të jashtëm. Ndërsa fëmijët me risk të ulët, preferojnë stimujt e jashtëm dhe reagojnë ndaj tyre. Sakaq, studiuesit shpjegojnë se ndjekja e këtyre fëmijëve do të vijojë deri në moshën dy vjeç, për të kuptuar më mirë nëse do të kenë shenja të tjera të autizmit. Për studiuesit, reagimi ndaj stimujve të jashtëm te fëmijët e porsalindur mund të jetë një test për diagnostikimin e hershëm të autizmit te fëmijët. Në këtë mënyrë bëhen një sërë testesh, një pjesë e tyre, pa kosto.

Zbulohet gjeni që mbron nga melanoma

Zbulohet një aleat i mundshëm në luftën kundër melanomës, një prej tumoreve më agresive e fatale. Bëhet fjalë për një gjen, i cili shërben si “mbrojtës dielli”. Ky gjen bën të mundur riparimin e dëmeve që i shkaktojnë rrezet ultravioletë ADN-së, duke sjellë edhe tumorin e lëkurës. Studimi i zhvilluar në Universitetin e Kalifornisë, nxjerr në pah faktin se njerëzit, gjenet e të cilëve, veçanërisht gjeni që luan rolin e “mbrojtësit”, pëson mutacion apo keqfunksionon, janë më të rrezikuar për të zhvilluar melanomë, shto këtu faktin e ekspozimit në diell dhe solarëve. Teknikisht gjeni shërben si filtër mbrojtjes nga rrezeve UV dhe pikërisht për këtë arsye janë marrë në studim edhe qelizat tumorale të melanomës, gjenet e shëndosha apo personat me këtë gjen “mangët”. Studiuesit kanë ekspozuar në diell qelizat në një hark kohor prej 24 orësh. Te qelizat e shëndosha, brenda harkut të 24 orëve, 50 për qind e dëmeve të shkaktuara nga rrezet ultravioletë riparohen. Por për të njëjtin hark kohor, qelizat të cilat kishin këtë gjen të dëmtuar apo të “mangët”, vetëm 20 për qind e tyre riparohej nga dëmet e shkaktuara nga rrezet ultravioletë.

Obeziteti mund të njihet si sëmundje kronike

Obeziteti është një sëmundje me potencial të lartë vdekshmërie, e cila redukton jetëgjatësinë deri në 10 vjet për shkak të pasojave që jep në shëndet, veçanërisht te fëmijët dhe adoleshentët. E megjithatë, raportojnë mjekët, ende ngurohet që obeziteti të konsiderohet si sëmundje kronike. Ndaj, një sërë mjekësh, përveç studimeve të shumta që po zhvillojnë për të evidentuar pasojat e mbipeshës, kanë ndërmarrë një nismë për shpalljen e saj sëmundje kronike. Sipas tyre, shpallja e obezitetit sëmundje kronike është një hap më shumë në fushën e shëndetësisë për të krijuar instrumente që ta luftojnë atë, nga evidentimi i hershëm i rasteve, parandalimi dhe mbrojtja ndaj shkaktarëve. Në rang botëror, obeziteti konsiderohet epidemi dhe sipas studimeve, deri në vitin 2030, 50 për qind e popullsisë e disa prej vendeve europiane do të jetë obeze ose mbipeshë. Studiuesit kanë hartuar një dokument, të cilin e kanë dorëzuar në Parlamentin Europian, nga ku bëjnë të ditur kostot që ka obeziteti në Europë. Sipas përllogaritjeve, rezulton se kostoja ekonomike dhe sociale e obezitetit arrin në 70 miliardë euro në BE, duke përfshirë kostot e shëndetit dhe produktivitetin e humbur të punonjësve, gati 200 milionë euro në ditë, me ndikim të madh edhe në sistemin shëndetësor.

1 në 10 ilaçe rezulton i falsifikuar

Fakte shokuese evidentohen përmes një studimi, i cili evidenton se një në dhjetë ilaçe në mbarë botën është i falsifikuar. Të dhënat bëhen publike gjatë një konference mbajtur në Bolonjë, nga Shoqata Shkencore e Farmakologjisë dhe Shoqata e Toksikologjisë. Sipas studiuesve, një ilaçi i jepet statusi i falsifikuar, bazuar mbi përkufizimin e përcaktuar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë. Sipas këtij përkufizimi, një ilaç është i falsifikuar nëse pas analizave rezulton se etiketa përmban informacion çorientues dhe mashtrues rreth përmbajtjes dhe origjinës së produktit, sigurisht bëhen edhe analiza të tjera për certifikimin e ilaçit. Ka raste, në të cilat principi aktiv i pranishëm është nën dozë dhe në disa raste të tjera, principi aktiv është mbi dozë, çka çon deri në helmim të organizimit. E njëjta gjë haset kur medikamenti është i paautorizuar, për shkak të cilësisë së dobët dhe papastërtive, në të gjitha rastet ky ilaç është joefikas. Shqetësuese gjithashtu është fakti se shitja e ilaçeve të falsifikuara ka një përhapje të gjerë në tregun mbarëbotëror, veçanërisht në Afrikë, një pjesë të vendeve aziatike, Amerikën Latine. Ndërsa, në nivel botëror, rezulton se 50% e këtyre ilaçeve shiten online.

Europë, bum rastesh me sifiliz

Sifilizi, infeksioni seksual i cili shkaktohet nga bakteri i quajtur Treponema pallidum, ka shtuar rastet e meshkujve të prekur prej tij. 29 vendet e BE-së rezultojnë me rritje të rasteve me sifiliz. Vetëm gjatë vitit 2014 janë raportuar 24 mijë raste me një shpeshtësi prej 5 raste për 100 mijë banorë. Rikthimi i sifilizit në Europë sipas ekspertëve të shëndetësisë është tejet problematik pasi është një sëmundje, e cila konsiderohej si drejt zhdukjes teksa po riaktivizohet, veçanërisht rastet e evidentuara rezultojnë nga marrëdhëniet homoseksuale. Ndër vendet ku rastet kanë pësuar rritje janë Belgjika, Franca, Gjermania, Islanda, Irlanda, Luksemburgu, Malta, Norvegjia, Portugalia dhe Britania e Madhe. Sifilizi është një sëmundje infektive, infeksion seksual i cili përhapet përmes kontakteve të pambrojtura seksuale dhe bartet lehtë nga njëri-tjetri gjatë seksit vaginal, anal dhe oral. Sifilizi mund të përhapet përmes pështymës. Ti mund të infektohesh me sifiliz, nëse përdor drogë dhe i ndan shiringat dhe gjilpërat me dikë që e ka këtë bakter.

OBSH: Jetëgjatësia botërore është rritur me 5 vjet

Përgjatë viteve 2000 deri në vitin 2015, jetëgjatësia botërore është rritur me 5 vjet. Sipas të dhënave të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, rezulton si rritja më e madhe e regjistruar prej vitit 1960. Megjithatë, kjo rritje do të ndryshojë prirjen rënëse të vërejtur në vitet ‘90 , veçanërisht në Afrikë për shkak të epidemisë së AIDS-it dhe në Europën Lindore pas rënies së Bashkimit Sovjetik. Megjithatë – thuhet në deklaratën për shtyp të OBSH-së – në shumë vende ka ende boshllëqe të mëdha. Në shkallë botërore jetëgjatësia për fëmijët e lindur në vitin 2015 ishte deri në 71,4 vjet ( 73,8 për femrat dhe 69,1 për meshkujt), por me disa boshllëqe; jetëgjatësia mesatare e një fëmije të lindur në një prej 29 vendeve – të gjitha me të ardhura të larta – është 80 vjet ose më shumë, ndërsa foshnjat e një prej 22 vendeve – të gjitha në Afrikën Sub-Saharane – është më e ulët se 60 vjet. Te gratë, jetëgjatësia më e madhe është regjistruar në Japoni deri në 86,6 vjet, ndërsa te meshkujt është regjistruar në Zvicër deri në 81,3 vjet.


Viewing all articles
Browse latest Browse all 2522