Quantcast
Channel: Shëndeti – Gazeta Mapo
Viewing all articles
Browse latest Browse all 2522

Sëmundja: 6 kontrollet që zbulojnë kancerin e qafës së mitrës

$
0
0

OLYMPUS DIGITAL CAMERAËshtë e provuar se programet e kontrollit të kancerit të qafës së mitrës mund të parandalojnë deri në 80% të rasteve dhe së bashku me vaksinën, mund të reduktojnë ndjeshëm nivelet e këtij kanceri.

Organizata Botërore e Shëndetësisë rekomandon një sërë veprimesh për parandalimin e kancerit të qafës së mitrës. Veprimet e rekomanduara përfshijnë që nga komponentët e edukimit të komunitetit, mobilizimit social, vaksinimin, kontrollin, trajtimin dhe deri te kujdesi paliativ. Lumturi Merkuri, mjeke specialiste në Institutin e Shëndetit Publik, në një intervistë për MAPO shpjegon se pothuajse çdo rast me kancer të qafës së mitrës mund të parandalohet nëpërmjet kontrollit dhe vaksinimit.

Çfarë është kanceri i qafës së mitrës dhe cilët janë shkaktarët?

Kanceri i qafës së mitrës është një tumor që formohet në qafën e mitrës. Ai është kanceri i dytë më i zakonshëm te gratë, sidomos në vendet në zhvillim. Kanceri i qafës së mitrës është një sëmundje tërësisht e parandalueshme e megjithatë, ai mbetet shkak i rëndësishëm i vdekjes nga kanceri te gratë në mbarë botën. Shkaktari kryesor i gjendjes parakanceroze dhe kancerit të qafës së mitrës është infeksioni i vazhdueshëm ose kronik me një ose më shumë lloje të virusit të papilomës humane HPV (Human Papiloma Virus). HPV është infeksioni më i zakonshëm viral i traktit riprodhues. Ka më shumë se 100 lloje HPV, por shumë prej tyre nuk shkaktojnë probleme. Vetëm një pjesë e vogël, kryesisht llojet 16 dhe 18, shkaktojnë kancer. Këto lloj HPV-sh mund të çojnë në dëmtime parakanceroze dhe më vonë, në kancer të qafës së mitrës. Megjithatë, pothuajse të gjitha rastet e kancerit të qafës së mitrës janë të lidhura me infeksionin HPV. HPV-ja është infeksioni më i zakonshëm që merret gjatë marrëdhënieve seksuale. Por ky infeksion mund të transmetohet edhe gjatë seksit jopenetrues, nëpërmjet kontaktit gjenital lëkurë me lëkurë. Shumica e grave dhe burrave seksualisht aktivë do të jenë të infektuar në një pikë gjatë jetës së tyre me HPV, disa edhe në mënyrë të përsëritur. Koha për marrjen e infeksionit HPV për gratë e burrat është pak pasi ata janë bërë seksualisht aktivë. Infeksioni HPV mund të zhduket vetvetiu pa asnjë ndërhyrje brenda pak kohësh, por mund edhe të mbetet i fshehur me vite pa dhënë asnjë shenjë sëmundjeje dhe personat që e mbartin mbeten infektues për partnerët e tyre seksualë. Ka gjithashtu, evidenca që lidhin HPV-në me kancerin e anusit, vulvës, vaginës dhe penisit, edhe pse këto lloje kanceri janë më pak të shpeshtë se kanceri i qafës së mitrës.

Cilat janë masat parandaluese?

Ndërhyrje të tjera parandaluese të rekomanduara si për djemtë e për vajzat janë: edukimi lidhur me praktikat e sigurta seksuale dhe fillimi me vonesë i aktivitetit seksual; promovimi dhe sigurimi i prezervativëve për ata që kryejnë aktivitet seksual; paralajmërimet për përdorimin e duhanit (që është faktor rreziku për kancerin e qafës së mitrës) dhe rreth prerja mashkullore (syneti). Edukimi shëndetësor siguron që gratë, familjet e tyre dhe komuniteti në përgjithësi, të kuptojnë se kanceri i qafës së mitrës është i parandalueshëm. Kanceri i qafës së mitrës është i vetmi, për të cilin sot shkenca e di me saktësi se çfarë duhet bërë për ta parandaluar: vaksinimi kundër HPV-së dhe depistimi.

Ekziston vaksinë kundër HPV-së?

Aktualisht janë në dispozicion dy vaksina që sigurojnë një mbrojtje të lartë kundër të dyja llojeve të HPV-së, 16 dhe 18, të njohura për shkaktimin e të paktën 70-80% të kancerit të qafës së mitrës. Vaksina mund të ofrojë mbrojtje edhe kundër llojeve të tjera të HPV-së, që janë më pak të shpeshta në shkaktimin e kancerit të qafës së mitrës. Një nga vaksinat mbron gjithashtu, edhe nga llojet 6 dhe 11 të HPV, të cilat shkaktojnë lythat ano gjenitalë. Studimet tregojnë se vaksina është e sigurt dhe shumë efektive në parandalimin e infeksionit me HPV 16 dhe 18, nëse aplikohet para ekspozimit të HPV-së. Prandaj, preferohet që ato të aplikohen para aktivitetit të parë seksual. OBSH rekomandon vaksinimin për vajzat e moshës 9-13 vjeç, mbasi kjo është masa më efektive e shëndetit publik, kundër kancerit të qafës së mitrës. Disa vende kanë filluar të vaksinojnë djemtë si masë parandaluese e kancerit gjenital, duke qenë se një nga dy vaksinat parandalon edhe lythat gjenitalë në meshkuj dhe femra. Sipas OBSH-së, deri në fund të vitit 2012, 45 vende kishin futur vaksinimin kundër HPV-së, si pjesë e një strategjie kombëtare të shëndetit publik për parandalimin e kontrollin e kancerit të qafës së mitrës. Vaksinimi kundër HPV-së redukton në masë të konsiderueshme rrezikun për kancer të qafës së mitrës. Por, nëse infeksioni me HPV ka ndodhur, vaksina nuk mund të trajtojë infeksionin apo të luftojë kancerin. Vaksinimi kundër HPV nuk zëvendëson depistimin për kancerin e qafës së mitrës.

Si mund të kryhet kontrolli për kancerin e qafës së mitrës?

Kontrolli për kancerin e qafës së mitrës është testimi për të kapur fazat parakanceroze dhe kancerin te gratë, të cilat akoma nuk kanë simptoma dhe mund të ndihen të shëndetshme. Kur kontrolli zbulon fazat parakanceroze, këto mund të trajtohen lehtë dhe zhvillimi i kancerit shmanget. Gjithashtu, kontrolli mund të zbulojë kancerin në fazën e hershme kur trajtimi ka një mundësi të lartë për shërim. Aktualisht janë në dispozicion disa lloje testesh depistuese: Pap testi, kontrolli viziv me acid acetik/VIA, testimi për HPV me rrezik të lartë, si dhe kolposkopia.

Çfarë është pap testi?

Pap testi (Papanicolaou test) është një test tradicional depistues. Është e rëndësishme që, të gjitha gratë, ta bëjnë Pap testin rregullisht, si pjesë e kujdesit rutinë për shëndetin e tyre. Pap testi është një test i cili përdoret për të gjetur qelizat jonormale në qafën e mitrës, që në fazat e hershme parakanceroze.

Si kryhet pap testi?

Pap testi kryhet ambulatorisht në një klinikë apo spital. Rreth 2 ditë para kryerjes së Pap testit duhen shmangur dushet vaginale, përdorimi i suposteve vaginale, kremrave spermicide, sprajtit deodorant vaginal, si dhe shmangia e marrëdhënieve seksuale, mbasi të gjitha këto ndikojnë në rezultatin e Pap testit. Gjithashtu, kryerja e Pap testit duhet bërë jo në periudhën menstruale, por disa ditë larg menstruacioneve. Ndërkohë që gruaja shtrihet në shtratin e vizitës, mjeku merr një sasi qelizash prej qafës së mitrës me një furçë të vogël, që është posaçërisht për këtë. Materiali më pas dërgohet në laborator për t’u parë nga mjeku specialist. Përgjigjja jepet mbas rreth 2 javësh.

Sa herë duhet bërë Pap testi?

Rekomandohet për çdo grua të kryejë Pap testin duke filluar nga mosha 25-30 vjeç. Nëse një femër bën Pap teste të rregullta, ajo mund ta kapë në kohë kancerin e qafës së mitrës. Është e rëndësishme për një grua të diskutojë rezultatet e Pap testit me mjekun. Nëse rezultati i Pap testit është normal, rreziku për kancer të qafës së mitrës është i ulët. Por edhe kur rezultati i Pap testit është normal, gruaja duhet të vazhdojë rregullisht bërjen e tij. Për gratë që rezultojnë negativ gjatë Pap testit, intervali për rikontroll duhet të jetë pas 3-5 vitesh. Pas një kontrolli të dytë me rezultate negative, dhe për gratë në moshë më të madhe, intervali i kontrollit mund të jetë më i gjatë se 5 vjet. Nëse rezultati i Pap testit del jonormal, do të thotë që disa qeliza jonormale janë gjetur në qafën e mitrës, por kjo nuk do të thotë gjithmonë që janë kanceroze. Nëse Pap testi tregon një dyshim apo gjendje jonormale, mjeku kërkon të përsëritet testi mbas 6 muajsh apo kërkon të kryhen ekzaminime të tjera shtesë.

Po testimi për HPV çfarë është?

Testimi për HPV është metodë testimi që bazohet në zbulimin e ADN-së së llojeve të HPV-së me rrezik të lartë në mostrat vaginale ose të qafës së mitrës. Testimi për HPV rekomandohet për çdo grua duke filluar nga mosha 30 vjeç. Por, edhe pse kanceri i qafës së mitrës është i rrallë para moshës 30 vjeç, depistimi mund të bëhet dhe te gratë më të reja se 30 vjeç, nëse vihet re rrezik i lartë. Nga ana tjetër, nëse HPV me rrezik të lartë zbulohet te një grua në moshë, ka shumë gjasa që infeksioni me HPV të jetë persistent. Në vendet me të ardhura të larta, testimi për HPV është duke u përfshirë si test parësor depistimi në programet e parandalimit të kancerit të qafës së mitrës. Megjithëse testimi HPV është shumë i ndjeshëm në zbulimin e HPV, një test pozitiv HPV nuk konfirmon se gruaja ka parakancer; ai vetëm konfirmon se ka një infeksion me HPV. Kontrolli për çdo grua seksualisht aktive nga mosha 30 deri në 49 vjeç, të paktën një herë në jetë dhe në mënyrë ideale, më shpesh do të reduktojë vdekjet nga kanceri i qafës së mitrës.

Trajtimi

Depistimi në vetvete nuk ka asnjë vlerë parandaluese nëse nuk lidhet me trajtimin e rasteve parakanceroze të qafës së mitrës. Nëse kanceri i qafës së mitrës kapet herët, është më i lehtë për t’u trajtuar, mbijetesa rritet dhe cilësia e jetës së gruas është më e mirë. Në disa raste, pjesët jonormale duhen hequr që të mos përparojnë në kancer të qafës së mitrës. Gratë që janë trajtuar për parakancer të qafës së mitrës, duhet të ndiqen dhe të trajtohen pas 12 muajsh. Nëse më pas shenjat e kancerit të qafës së mitrës janë të pranishme, mundësitë e trajtimit përfshijnë kirurgjinë, radioterapinë dhe kimioterapinë.


Viewing all articles
Browse latest Browse all 2522