Një numër më i madh pacientësh të prekur nga sëmundjet tumorale do të marrin shërbimin e kimioterapisë gjatë një dite, falë investimit të realizuar së fundmi në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, pas hapjes së spitalit ditor. Ky spital do të ofrojë shërbimin e njohur si “Day Hospital”, për të gjithë ata qytetarë, të cilët kryejnë seancat e kimioterapisë, ndërkohë që investimi i bërë garanton edhe përgatitjen e medikamenteve pranë kapave (aparaturave të specializuara), dhe jo më në mënyrë manuale siç kryej disa vite më parë.
Financimi
Projekti i financuar nga IADSA, Programi i Konvertimit të Borxhit Italo-Shqiptar për Zhvillim, përmirëson shërbimin për rreth 50 pacientë, të cilët do të kryejnë kimioterapinë, por sjell edhe një mënyrë të re të ofrimit të këtij shërbimi. Mjekët e këtij institucioni e cilësojnë këtë investim si nga më të suksesshmit, pasi shkurton kohë në ofrimin e shërbimit dhe për rrjedhojë, ka më shumë përfitues gjatë një dite.
“Ky është një mjedis i rinovuar për trajtimin me kimioterapi, që ne e quajmë ‘spitali ditor’. Një mjedis mjaft cilësor, por jo vetëm cilësor në drejtim të mënyrës së ofrimit të medikamenteve, të cilat do të merren në formë shumë më të modernizuar nëpërmjet pompave elektrike. Preparatet përgatiten në kapën qendrore të spitalit dhe vijnë të gatshme direkt për aplikim. Përveç kësaj, ky investim do të bëjë të mundur edhe rritjen e numrit të pacientëve, të cilët do të marrin aplikimet në ditën e kimioterapisë, pasi është një dyfishim apo trefishim i pacientëve që mjekonim më parë. Nëse më parë kishim 6 poltrone, sot kemi dyfishin e tyre, të cilat do të xhirohen dy apo tre herë mesatarisht në një ditë” ka pohuar shefja e shërbimit të kimioterapisë, dr. Dhurata Tarifa.
Nga ana tjetër, Drejtorja e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, znj. Ogerta Manastirliu, e ka cilësuar këtë si një nga projektet më të rëndësishme, që iu shërben jo vetëm pacientëve, por edhe stafit të mjekëve dhe infermierëve. “Ky është një projekt shumë i rëndësishëm për shërbimin e Onkologjisë pranë Spitalit Universitar ‘Nënë Tereza’. Një projekt i financuar nga IADSA, projekti Italo-Shqiptar i konvertimit të borxhit, i cili përmirëson shërbimet për spitalin ditor të kimioterapisë për rreth 50 pacientë në ditë, të cilët do të marrin shërbim në këtë spital ditor. Padyshim, ky investim sjell një mënyrë të re të ofrimit të shërbimit, kushte shumë më të mira pune për mjekët dhe ajo çfarë është e rëndësishme, largon perceptimin e keq për një shërbim që është shumë i rëndësishëm për jetën e pacientëve, Shërbimi Onkologjik”, ka pohuar Manastirliu. Por, në Shërbimin e Onkologjisë, sipas Manastirliut, përveç përmirësimit të mjediseve, po ofrohet edhe një kulturë e re që integron shërbimin psiko-social, për të qenë sa më afër pacientëve që marrin këto trajtime.
Ministri i Shëndetësisë, në prani të ministrit të Financave, z. Arben Ahmetaj, dhe ambasadorit italian, z. Alberto Cutillo, deklaroi se ky investim do t’iu shërbejë sipas të gjitha standardeve pacientëve që duhet të marrin shërbimin e kimioterapisë. “Siç edhe jemi fokusuar në Programin e qeverisë, sëmundjet tumorale do të jenë prioritare, përpjekjet e bëra për të furnizuar këtë spital me më shumë barna, për të përfshirë në Listën e Barnave të Rimbursueshme dhe këtë vit, ajo listë ka më shumë barna, me shërbimin modern të radioterapisë që ka filluar prej disa javësh. Edhe shërbimi i sotëm, rrit cilësinë e shërbimit, rrit numrin e atyre që shërbehen, por shton edhe elementë të rinj psiko-socialë që në këto sëmundje janë të domosdoshme”, ka pohuar ministri Beqaj, i cili përfitoi gjithashtu nga rasti për të falënderuar qeverinë italiane për investimin e kryer. “Padyshim, një falënderim shkon edhe për qeverinë italiane dhe nëpërmjet ambasadorit italian, që borxhin e hershëm e ktheu në një program për të mbështetur përsëri Shqipërinë” ka theksuar kreu i shëndetësisë. Ndërkohë që ambasadori italian në vendin tonë ka theksuar se Italia do të vazhdojë të mbështesë Shqipërinë edhe në projekte të tjera në fushën e shëndetësisë.
Sëmundja
Kanceri është një sëmundje që nuk njeh kufij dhe mund të ndikojë te të gjithë ne, në mënyrë direkte apo indirekte përgjatë jetës sonë. Veprimet e ndërmarra nga çdo person, organizatë dhe qeveri, do të ndihmojnë për të zvogëluar barrën e sëmundjes së kancerit, për të arritur uljen me 25% të vdekjeve të parakohshme nga sëmundjet kronike deri në vitin 2025. Kanceri është një nga shkaqet kryesore të vdekjeve në mbarë botën, përgjegjës për 8.2 milionë vdekje në vit. Megjithatë, ne e dimë se më shumë se 1/3 e këtyre vdekjeve janë të parandalueshme dhe shumë lloje kanceri nëse zbulohen herët janë të shërueshëm. Derisa ndërgjegjësimi për kancerin të përmirësohet globalisht, si dhe të ndërmerren veprime të nevojshme për parandalimin dhe trajtimin e kësaj sëmundjeje, miliona njerëz në mbarë botën do të vdesin çdo vit. Ne duhet të veprojmë tani për shkak se epidemia globale e kancerit është e madhe dhe po rritet. Parashikohet që të kemi një rritje me 19.3 milionë raste në vit deri në vitin 2025 krahasuar me 14.1 milionë në vitin 2012.
– Ndër burrat, kanceret më të zakonshme të diagnostikuara janë kanceret e mushkërive, prostatës, kolorektumit, stomakut dhe kanceri i mëlçisë.
– Ndër gratë, kanceret më të zakonshme të diagnostikuara janë kanceret e gjirit, kolorektumit, mushkërive, qafës së mitrës dhe kanceri në stomak.
– Rreth 30% e vdekjeve nga kanceri janë për shkak të pesë faktorëve të rrezikut të sjelljes dhe të ushqyerjes, si: mbipesha dhe obeziteti, konsumi i pakët i frutave dhe perimeve, mungesa e aktivitetit fizik, si dhe përdorimi i duhanit dhe alkoolit.
– Përdorimi i duhanit është faktori më i rëndësishëm i rrezikut për shkaktimin e kancerit me rreth 20% të vdekjeve globale nga kanceri dhe rreth 70% të vdekjeve globale të kancerit të mushkërive.
– Kanceri i shkaktuar nga infeksione virale, të tilla si: virusi i hepatitit B e C (HBV / HCV) dhe virusi i papilomës njerëzore (HPV) janë përgjegjës për rreth 20% të vdekjeve nga kanceri, në vendet me të ardhura të ulëta dhe mesatare.