Quantcast
Channel: Shëndeti – Gazeta Mapo
Viewing all articles
Browse latest Browse all 2522

Hipertensioni, ilaçet që duhet të pihen në verë

$
0
0

Eristen KukaEristen Kuka, mjek kardiolog në Qendrën Shëndetësore Nr. 9 në Tiranë, në një intervistë për “Mapo” jep këshillat shëndetësore dhe kujdesin që duhet të tregojnë të sëmurët me probleme kardiovaskulare gjatë ditëve të nxehta, si dhe ndryshimi i terapisë, dozat e medikamenteve që reduktohen në këtë periudhë

Veçanërisht të sëmurët me sëmundje kardiovaskulare në këto ditë të nxehta vere duhet të tregojnë më shumë kujdes për shëndetin e tyre. Temperaturat e larta, qëndrimi për një kohë të gjatë në diell “trazon” disi sëmundjen, me luhatje të shpeshta tensioni dhe lodhje e pashpjegueshme. Nëse gjendja përsëritet dhe në shumë raste edhe neglizhohet, pasojat mund të jenë deri fatale. Ndaj dhe veçanërisht për personat që mjekohen për hipertension arterial dhe kanë ulje të shifrave të presionit arterial nën 100/60 mmHg duhet të këshilloheni me mjekun për reduktimin e dozave të medikamenteve antihipertensive, por jo t’i ndërpresin vetë pasi mund të ndodhë rritja e menjëhershme e presionit të gjakut. Eristen Kuka, mjek kardiolog në Qendrën Shëndetësore Nr.9 në Tiranë në një intervistë për “Mapo”, sqaron se: “Ndryshimi i terapisë këshillohet në ato raste që shfaqin shenjat klinike të përmendura më lart. Dozat e medikamenteve që reduktohen janë kryesisht diuretikët, të cilët eliminojnë ujin dhe kripën nëpërmjet urinës. Dozat e diuretikëve ulen derisa pacienti të ndihet mirë dhe presioni arterial të jetë në shifra normale. Gjithashtu diuretikët gjatë kësaj periudhe shoqërohen edhe me preparate me përmbajtje kaliumi dhe magneziumi.” Ndaj dhe mjeku kardiolog apelon që pacientët të kryejnë një vizitë mjekësore pranë mjekut të zemrës, pasi në rast se pacienti nuk konsultohet me mjekun, gjendja shëndetësore e tij do të përkeqësohet dhe do e detyrojë të paraqitet shpesh në urgjencën spitalore si edhe mund të rrezikojë edhe jetën e tij.

Gjatë stinës së verës a janë më të rrezikuar personat me sëmundje kardiovaskulare dhe pse?

Trupi i njeriut kërkon një temperaturë konstante në shifrat 36,6°C, që të funksionojë normalisht. Mekanizma të ndryshëm të rregullimit të temperaturës trupore aktivizohen në varësi të ndryshimit të temperaturës së ambientit përreth duke ruajtur konstante temperaturën trupore. Gjatë temperaturave të larta në  stinën e verës zgjerimi i enëve të gjakut shpejton qarkullimin e gjakut dhe së bashku me djersitjen mbajnë konstante temperaturën trupore. Në këto kushte kemi rënie të presionit të gjakut dhe rritje të rrahjeve të zemrës. Këto ndryshime ndikojnë negativisht te sëmundjet kardiovaskulare. Tek pacientët me sëmundje të arterieve koronare, humbja e lëngjeve shkakton rritjen e viskozitetit të gjakut  dhe formimin e trombeve në enët e ngushtuara, gjë e cila shkakton atak kardiak. Pacientët që mjekohen për hipertension mund të pësojnë ulje të shifrave të presionit arterial. Te pacientët me insuficiencë kardiake humbja e lëngjeve dhe e kripës nëpërmjet djersës dhe medikamenteve diuretike që ata marrin, shkakton dobësi të theksuar trupore, krampe muskulare dhe episode me humbje të vetëdijes.

Cilat janë shenjat e para, si mund të kuptohet përkeqësimi i gjendjes shëndetësore?

Në temperatura të larta përkeqësimi i gjendjes shëndetësore vjen nga djersitja e shtuar, dehidratimi dhe humbja e kripës. Shenjat e para të përkeqësimit janë: lodhja, dhimbja e kokës, vertigo (marramendja), ndjenja e të vjellës, krampe të muskujve të krahëve, barkut dhe këmbëve. Këto shenja shfaqen më shpesh tek ata pacientë që kryejnë sforcime fizike në temperatura të larta. Qëndrimi i mëtejshëm në temperatura të larta mund të çojë në një situatë që quhet  “goditje nga të nxehtit”. Shenjat e kësaj situate janë: temperaturë trupore më e lartë se 39°C, sjellje jo normale, konfuzion ekstrem, të vjella, lëkura e nxehtë e thatë dhe e kuqe, frymëmarrje e shpejtuar, pulsi i dobët dhe i shpejtë, humbje e vetëdijes. Në këto kushte është e nevojshme transporti i menjëhershëm në spital.

Si duhet të veprojnë konkretisht personat që mjekohen për hipertension arterial?

Pacientët që mjekohen për hipertension arterial në qoftë se kanë ulje të shifrave të presionit arterial nën 100/60 mmHg duhet të këshillohen me mjekun për reduktimin e dozave të medikamenteve antihipertensive, por jo t’i ndërpresin vetë ato pasi mund të ndodhë rritja e menjëhershme e presionit të gjakut.

Doktor, në cilën fazë këshilloni ju ndryshimin e terapisë, a reduktohen dozat e medikamenteve gjatë kësaj periudhe?

Ndryshimi i terapisë këshillohet në ato raste që shfaqin shenjat klinike të përmendura më lart. Dozat e medikamenteve që reduktohen janë kryesisht diuretikët, të cilët eliminojnë ujin dhe kripën nëpërmjet urinës. Dozat e diuretikëve ulen derisa pacienti të ndihet mirë dhe presioni arterial të jetë në shifra normale. Gjithashtu diuretikët gjatë kësaj periudhe shoqërohen edhe me preparate me përmbajtje kaliumi dhe magneziumi.

Në rast moskonsultimi me një doktor kardiolog por vazhdimin e terapisë, çfarë shkakton?

Në rast se pacienti nuk konsultohet me mjekun gjendja shëndetësore e tij do të përkeqësohet dhe do e detyrojë të paraqitet shpesh në urgjencën spitalore si edhe mund të rrezikojë edhe jetën e tij.

 

Këshilla:  

  • Rekomandohet pirja e ujit dhe e lëngjeve pa sheqer në sasi mbi 2 l në ditë;
  • Nuk duhet të përdoren pije të gazuara, me kafeinë, pijet alkoolike, pasi shkaktojnë humbje të lëngjeve duke shtuar djersën. Nuk duhet shtuar sasia e kripës sidomos te pacientët me insuficiencë kardiake dhe hipertension arterial, sasia ditore e saj 5-6 g;
  • Rekomandohet përdorimi kryesisht i zarzavateve dhe frutave;
  • Nuk rekomandohet dalja nga shtëpia nga ora 11-15 pasi është periudha me temperaturën më të lartë;
  • Nuk lejohen sforcimet fizike në ambiente me temperatura të larta;
  • Rekomandohet qëndrimi në ambiente të freskëta ose me ajër të kondicionuar;
  • Rekomandohet përdorimi i veshjeve të lehta me përbërje pambuku, përdorimi i kapelës ose çadrës, përdorimi i syzeve të diellit, përdorimi i kremrave me faktor mbrojtës;
  • Pacientët me sëmundje kardiovaskulare duhet të dalin jashtë të shoqëruar nga një person tjetër, të ecin në vende me hije dhe gjithmonë të marrin shishen e ujit me vete.

 

Ushqyerja

  • Të mundoheni të konsumoni një dietë ushqimore të pasur dhe të ekuilibruar;
  • Të mënjanojmë konsumimin e pjatave të ftohta, të parapërgatitura kohë më parë apo të ringrohura;
  • Hani mëngjes të plotë që të përmbajë përveç të tjerave edhe qumësht ose kos;
  • Të ruani një peshë trupore të pranueshme, duke kryer një aktivitet dhe duke mos abuzuar me ushqimet e yndyrshme apo ëmbëlsirat;
  • Ulni yndyrat shtazore duke zgjedhur rregullisht peshk dhe mish të bardhë për konsum, pulë, gjel, lepur, por mos e teproni me konsumimin e djathërave; sidomos të stazhionuar.
  • Konsumoni shpesh fruta dhe perime të freskëta.
  • Mënjanoni ushqimet shtazore të gjalla ose gjysmë të pjekura apo salcat me bazë veze të freskët të papërpunuar, pasi kanë një rrezik të lartë ndotjeje.

Viewing all articles
Browse latest Browse all 2522