Burime zyrtare nga Ministria e Shëndetësisë pohojnë për “Mapo” se gjendja para fillimit të dizinsektimit nuk paraqitej shumë e mirë, teksa zonat më problematike janë evidentuar në Golem, Divjakë, Shëngjin, Velipojë dhe Ksamil, por gjithsesi ministria pohon se sivjet ka një ndryshim nga vitet e mëparshme
Shumë prej nesh ende i kanë të freskëta lajmet mbi virusin Zika, të shkaktuar nga mushkonjat, përhapur kryesisht në vendet e Amerikës Latine, mirëpo zgjerimi i hartës me identifikimin e disa rasteve edhe në Europë, shtoi alarmin edhe për vendin tonë. Shqipëria, të paktën sipas Institutit të Shëndetit Publik, nuk rrezikon të preket nga ky virus. Sipas specialistëve, ndonëse në vendin tonë ka prezencë të mushkonjave, nuk është zbuluar asnjë rast me virusin Zika. Sakaq është fakt që më shumë se gjysma e popullsisë së botës rrezikohet prej sëmundjeve që shkaktohen nga mushkonjat dhe nga vektorët. Veçanërisht në këtë periudhë ku me ngrohjen e temperaturave dhe papastërtive, rriten edhe larvat e mushkonjave. Edhe në vendin tonë janë identifikuar si vatra pozitive për praninë e larvave të mushkonjave në Butrint, në zonën e Plepave në Durrës, në parqe kombëtare dhe zona të mbrojtura mjedisore. Prej nga ku prej tri javësh, Ministria e Shëndetësisë, Instituti i Shëndetit Publik dhe drejtoritë Rajonale të Shëndetit Publik, kanë nisur dizinsektimin, spërkatja e zonës me një lëndë biologjike, teknikë kjo e përdorur edhe në Francë e Gjermani dhe që ruan biodiversitetin. Burime zyrtare nga Ministria e Shëndetësisë pohojnë për “Mapo” se gjendja para fillimit të punës nuk paraqitej shumë e mirë, teksa zonat më problematike janë evidentuar në Golem, Divjakë, Shëngjin, Velipojë dhe Ksamil, por gjithsesi ministria pohon se sivjet ka një ndryshim nga vitet e mëparshme.
A ka një plan Ministria e Shëndetësisë për dizinsektimin e zonave bregdetare nga vektorët? Nëse po, ka nisur tashmë dhe në cilat zona po punohet?
Ministria e Shëndetësisë ka planifikuar një fond prej 157 508 000 lekë për 2 vite, ku nga këto 80 milionë lekë janë planifikuar për vitin 2016. Pjesa e mbetur e fondit do zhvillohet në vitin 2017. Këtë vit buxheti i parashikuar përfshin Prefekturat Shkodër, Lezhë, Tiranë, Durrës, Fier dhe Vlorë. Shërbimi i dizinsektimit ka nisur para tre javëve me Butrintin e më pas ka vazhduar me zonën e Plepave në Durrës dhe përgjatë këtyre dy ditëve do të fillojmë me Tiranën. Po kështu ka vazhduar në të gjithë vijën bregdetare nga Durrësi deri në Spille, të mërkurën në zonën e Vlorës dhe në vazhdimësi sipas planifikimit.
Si paraqitet gjendja këtë vit, mund të flasim për vatra të mushkonjave dhe cilat janë zonat më problematike në vend?
Gjendja para fillimit të punës nuk paraqitej shumë e mirë por gjithsesi ka një ndryshim nga vitet e mëparshme. Zonat më problematike janë zona e Golemit, Divjakës, Shëngjinit, Velipojë dhe Ksamil.
Një vit më parë, Ministria e Shëndetësisë dhe Bashkia e Tiranës, sikurse e cilësoi asokohe ministri Beqaj, kryeqyteti u dizinsektua pas 25 vitesh. Mirëpo duket se ka një vit që është lënë në harresë. Çfarë po ndodh me procesin e dizinsektimit në Tiranë?
Procesi i dizinsektimit ka filluar para një viti dhe nuk është lënë në harresë pasi ka një fazë të përcaktuar se kur fillon dhe kur mbaron. Kjo kohë lidhet kryesisht me ngrohjen e temperaturave dhe rritjen e lavrave e të mushkonjave. Procesi i dizinsektimit në Tiranë sapo ka filluar dhe do vazhdojë sipas kalendarit të parashikuar nga autoriteti Ministrisë së Shëndetësisë, Institutit i Shëndetit Publik dhe Drejtoritë Rajonale të Shëndetit Publik. Sipërfaqet e trajtuara në të gjithë vendin kanë qenë vatra pozitive për praninë e larvave të mushkonjave në zona urbane, në ligatina, parqe kombëtare dhe publike, kanale, moçale, oborre banesash, puseta, bodrume dhe gropa septike. Një pjesë e rëndësishme e habitateve të zhvillimit të mushkonjave është identifikuar në zona të mbrojtura mjedisore. Teknikat dhe strategjitë e kontrollit janë përgatitur në përputhje me llojin e habitatit dhe mushkonjave target, të pranishme në zonat e përzgjedhura. Nga ana tjetër, duam të theksojmë se procesi i dizinsektimit jo vetëm s’është lënë në harresë, por teknika që po përdoret me agjentin biologjik Bti, është ajo më e përparuar që përdoret edhe sot në Gjermani e Francë, ku agjenti vepron vetëm mbi larvat dhe vektorët, pa rrezik dëmtimi për gjallesat e tjera, vegjetacionin, ekosistemin apo njeriun.
Në Tiranë – Procesi i dizinsektimit sapo ka filluar dhe do vazhdojë sipas kalendarit të parashikuar nga autoriteti i Ministrisë së Shëndetësisë, Institutit të Shëndetit Publik dhe Drejtoritë Rajonale të Shëndetit Publik
Mjediset ku zhvillohen mushkonjat – Sipërfaqet e trajtuara në të gjithë vendin kanë qenë vatra pozitive për praninë e larvave të mushkonjave në zona urbane, në ligatina, parqe kombëtare dhe publike, kanale, moçale, oborre banesash, puseta, bodrume dhe gropa septike
Solucioni i përdorur– Procesi i dizinsektimit që do të zbatohet gjatë vitit 2015 në zona bregdetare dhe disa zona urbane bazohet në kontrollin e larvave me anë të përdorimit të agjentit biologjik Bacillus turingensis israeliensis (Bti), i cili nuk ka ndikim në organizmat e tjerë ujore, përveç larvave të mushkonjave. Gjithashtu, në gropa septike dhe vatra me ndotje të lartë do të përdoren barriera fizike