Quantcast
Channel: Shëndeti – Gazeta Mapo
Viewing all articles
Browse latest Browse all 2522

Mos i humbisni: Disa studime interesante

$
0
0

dora bebOKB, në alarm për shtimin e vdekshmërisë foshnjore

Çdo vit, 2.6 milionë foshnje në të gjithë botën vdesin pa lindur, sipas një studimi të ri global. Shumica e rasteve janë në vendet më të varfra, por në raport paralajmërohet gjithashtu se vendet e pasura nuk po marrin masa për ta zgjidhur këtë problem në pjesët më të varfra të shoqërisë së tyre. Një raport i botuar nga revista “Lancet”, arrin në përfundimin se nuk është bërë sa duhet për të zgjidhur problemin e vdekjeve të foshnjave në bark të nënës. Shumë profesionistë të mjekësisë mendojnë se këto lloj vdekjesh janë të pashmangshme, pasi janë rezultat i problemeve të trashëguara gjenetike. Por në fakt, sipas raportit, vetëm pak më shumë se 7 për qind e rasteve ndodhin për shkak të këtyre defekteve dhe shumica dërrmuese mund të parandalohen. Hannah Blencowe është bashkautore e studimit të hartuar nga Fakulteti i Higjienës dhe Mjekësisë Tropikale në Londër: “98 për qind janë nga Afrika nënsahariane dhe Azia e Jugut, apo vende të tjera të varfra. 2 për qind janë nga vende të zhvilluara. Por asnjë vend nuk është i paprekur. Në të gjitha vendet ka vdekje para lindjes që janë të parandalueshme përmes përmirësimit të kujdesit për gruan”. Gjendja në vende si Ruanda, Kamboxhia, Nepali dhe Bangladeshi po përmirësohet. Dhe vende të zhvilluara si Islanda, Danimarka, Finlanda dhe Holanda po marrin masa që e gjithë popullsia e tyre të përfitojë. Në këto vende ka 1.3 deri në 1.7 vdekje të foshnjave në barkun e nënës ndër 1 mijë vdekje. Sipas raportit të kohëve të fundit, cilësia e kujdesit për rastet e vdekjes para lindjes është rritur, por problemi është te qasja ndaj nivelit të aftësisë profesionale. Studiuesja Blencowe thotë se masa të thjeshta, si identifikimi dhe trajtimi i grave shtatzëna që kanë malarie dhe sifiliz, mund të ulë numrin e rasteve të vdekjes para lindjes. Sipas raportit, megjithëse po i mbledhin të dhënat, shumë vende nuk po marrin shumë masa. Studimi sugjeron që organizma si Kombet e Bashkuara, të përcaktojnë objektiva të sakta për investime dhe përmirësime për të ulur numrin e vdekjeve të foshnjave para lindjes.

 

Turnet, shifra shokuese nga gabimet mjekësore

Njerëzit u befasuan kur një studim i ri njoftoi se një numër i madh njerëzish vdesin për shkak të gabimeve të bëra nga mjekët apo infermierët. Studimi tregon se gabimet mjekësore janë një nga vrasësit më të mëdhenj në Shtetet e Bashkuara dhe ka shanse që ato të jenë një nga vrasësit më të mëdhenj edhe në nivel global. “Nëse gabimet mjekësore do të trajtoheshin si një sëmundje, ajo do të ishte vrasësi i tretë më i madh në Shtetet e Bashkuara”. Një deklaratë shokuese nga Marty Makary, autori i studimit të fundit mbi vdekjet e shkaktuara nga gabimet mjekësore. Askush nuk e di se sa njerëz në fakt vdesin për shkak të gabimeve. Qendrat për Kontrollin e Sëmundjeve dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë përdorin “kode për të përcaktuar shkaqet e vdekjes parimore. Gabimet mund të bëhen kur ka shumë pak infermierë, mungesë të trajnimit të duhur dhe situata të tjera të rrezikshme. “Sipas shumë mjekëve, procedura më e rrezikshme në një dhomë të urgjencës sot, është dorëzimi i pacientit nga një punonjës shëndetësor te tjetri”. Kjo ndodh gjatë ndryshimit të turneve të stafit mjekësor ose atëherë kur pacientët dërgohen në një procedurë pa informacionin e duhur mbi gjendjen e tyre shëndetësore.

 

Ndryshimet klimatike, rriten temperaturat me dy gradë

Marrëveshja e Parisit mbi Klimën e negociuar në Francë dhjetorin e kaluar dhe e nënshkruar kohët e fundit në selinë e Kombeve të Bashkuara përmend dy kufij të rritjes së temperaturës: 1.5 dhe 2.0 gradë Celsius më lart se në kohët para-industriale. Dallimi mes rritjes së ngrohjes me 1.5 dhe 2.0 gradë celsius është i rëndësishëm, veçanërisht për shtetet ishuj dhe vendet në zhvillim që janë më të pambrojtura ndaj ndryshimeve klimatike. Studiuesit europianë, në një shkrim në revistën Earth System Dynamics, analizojnë dallimin në mes të dy kufijve të ngrohjes në 25 rajone të botës. Ata kanë përdorur 11 tregues, duke filluar nga rendimentet bujqësore, ujin e pijshëm, motin ekstrem, e deri tek humbja e koraleve dhe rritja e nivelit të detit. Nëse temperatura globale rritet me kufirin më të lartë, 2.0 gradë Celsius, ata parashikojnë valë të gjata nxehtësie në rajonet tropikale që mund të zgjasin 50 për qind më shumë se sesa tani. Prodhimi bujqësor do të goditej më rëndë. Sipas objektivit më të ulët të rritjes së temperaturës, shkëmbinjtë koralorë, të cilat strehojnë specie detare dhe mbrojnë brigjet, mund të përshtaten dhe të mbijetojnë. Gjithashtu në nivelin 1.5 gradë Celsius, shkalla e rritjes së nivelit të detit do të mund të ngadalësohej në mënyrë të konsiderueshme.

 

Protezë “3D” në lojërat verore

Atletja gjermane, Denise Schindler, do të ndërmarrë një hap gjigant në Lojërat verore Paralimpike për atletët me aftësi të kufizuara që zhvillohen në Rio de Zhaneiro. Çiklistja me një këmbë, do të pedalojë biçikletën e saj me një këmbë të shtypur me printerat 3D. Denise Schindler do të hyjë në histori kur të marrë pjesë në gara me një këmbë artificiale të shtypur me printer 3 dimensionalë. Proteza u dezinjua në Shtetet e Bashkuara nga kompania Autodesk, por u prodhua në Gjermani. “Aktualisht po testojmë protezën e shtypur me printer 3D dhe nëse cilësia e saj do të jetë e nivelit të njëjtë me atë të protezave tradicionale. Materiali është i ndryshëm dhe unë ndiej “ndryshimin” edhe kur pedaloj si rezultat i cilësisë. Jemi në rrugën e duhur për të arritur ngurtësinë dhe aerodinamikën e duhur”, thotë atletja. Falë përparimeve teknologjike, proteza prodhohet më lehtë se sa në mënyrat tradicionale. Mike Wakefield është inxhinier me kompaninë Autodesk. “Me printer 3D, skaner të thjeshtë, laptop jo të kushtueshëm dhe këtë program kompjuteri, do të jetë e lehtë të prodhohen proteza me cilësi të ngjashme, në kohë të shkurtër dhe pa shumë njohuri paraprake.”

 

Kujdes! I nxehti “vret”, 7 këshilla për verën

Stina e verës, veçanërisht muajt korrik dhe gusht shoqërohen me temperatura të larta. Këtë verë ndryshe nga vitet e tjera temperaturat janë edhe më të larta. Edhe më të “vështire” e kanë përshtatjen  me temperaturat e larta fëmijët e vegjël, të moshuarit dhe të sëmurët kronikë, sidomos të sëmurët më sëmundje kardio vaskulare, pulmonare dhe të sistemit nervor qendror. Mjekët këshillojnë që të mos ekspozohen në diell në “presjen” e tij, nga ora 10:00 deri në 16:00.

Edhe qëndrimi nën çadër, pra në plazh, nuk rekomandohet pasi ajri është tejet i thatë, i nxehtë dhe rrezet x të diellit e depërtojnë çadrën. Të konsumohen sasi të bollshme uji gjatë gjithë ditës, sa herë të kemi ndjenjën e etjes. Të përdoren kremra hidratues dhe mbrojtës me faktorë të lartë për lëkurën. Kujdes me nishanet, ato duhet të mos ekspozohen në diell, të mbrohen me kremra me faktorë të lartë mbrojtës 40-50, ose me mbrojtës të veçantë për diellin që ofrohen në farmaci. Kujdes me frutat dhe zarzavatet, ato duhet të jenë të freskëta dhe të lara mirë me ujë të rrjedhshëm. Kujdes kur hyni në ujë, kontakti me ujin duhet të jetë gradual, sado i ngrohtë t’ju duket uji i detit apo liqenit. Të sëmurët kronikë para se të vendosin të shkojnë me pushime duhet të kontaktojnë mjekun e tyre, të sigurohen që i kanë medikamentet e nevojshme me vete, të këshillohen për dozat dhe kohëzgjatjen e mjekimit.


Viewing all articles
Browse latest Browse all 2522