Një pjesë e personave me hepatit mund të zhvillojnë dëmtim akut të mëlçisë, që mund të çojë në vdekje. Te disa njerëz, virusi i hepatitit B mund të shkaktojë infeksion kronik të mëlçisë, që më vonë mund të kalojë në cirrozë dhe kancer të mëlçisë
Mund të jenë të prekur nga hepatiti B dhe C, por nuk e dinë. Mirëpo nëse jeni mbartës të tyre, pasojat janë fatale pasi këto hepatite shkaktojnë sëmundje akute dhe kronike të mëlçisë, duke rrezikuar seriozisht shëndetin dhe jetën tuaj. Sipas të dhënave të Institutit të Shëndetit Publik, shqiptarët janë një ndër popujt e Europës më shumë të prekur nga hepatitët viralë B dhe C.
Hepatiti B
Hepatiti B është një infeksion i mëlçisë, i rrezikshëm për jetën, që shkaktohet nga virusi i hepatitit B. Ky hepatit mund të shkaktojë sëmundje kronike të mëlçisë dhe i vë njerëzit në rrezik të lartë vdekjeje nga cirroza dhe kanceri i mëlçisë. Kanceri i mëlçisë është pothuajse gjithmonë fatal dhe shpesh zhvillohet te persona në moshën më produktive.
Transmetimi
Virusi i hepatitit B mund të mbijetojë jashtë trupit së paku për 7 ditë. Gjatë kësaj kohe, virusi mund të shkaktojë infeksion nëse hyn në trupin e një personi që nuk është i mbrojtur nga vaksina. Në zonat me përhapje të gjerë të hepatitit B, zakonisht ai përhapet nga nëna te fëmija gjatë lindjes, ose gjatë ekspozimit ndaj gjakut të infektuar, nga një fëmijë i infektuar tek një fëmijë i painfektuar gjatë 5 viteve të para të jetës. Gjithashtu, virusi i hepatitit B transmetohet nëpërmjet kontaktit me gjakun e infektuar apo me lëngje të tjera të trupit (si lëngjet vaginale, menstruale, sperma) të një personi të infektuar. Transmetimi seksual i hepatitit B mund të ndodhë veçanërisht në meshkujt e pavaksinuar që kryejnë seks me meshkuj, te personat heteroseksualë që kanë shumë partnerë seksualë, si dhe nga kontaktet me punonjësit e seksit. Transmetimi i virusit mund të ndodhë edhe nëpërmjet ripërdorimit të ageve e shiringave në mjediset e kujdesit shëndetësor, ose në persona që injektojnë drogë. Përveç kësaj, infeksioni mund ndodhë gjatë procedurave mjekësore, kirurgjike dhe dentare, bërjes së tatuazheve, ose nëpërmjet përdorimit të makinave të rrojës dhe objekteve të ngjashme që janë të ndotura me gjak të infektuar.
Shenjat
Shumica e njerëzve nuk përjetojnë asnjë shenjë gjatë fazës akute të infeksionit. Megjithatë, disa njerëz shfaqin shenja që zgjasin disa javë duke përfshirë zverdhje të lëkurës dhe syve, urinë të errët, lodhje ekstreme, të përziera, të vjella dhe dhimbje barku. Një pjesë e personave me hepatit mund të zhvillojnë dëmtim akut të mëlçisë që mund të çojë në vdekje. Te disa njerëz, virusi i hepatitit B mund të shkaktojë infeksion kronik të mëlçisë, që më vonë mund të kalojë në cirrozë dhe kancer të mëlçisë. Mbi 90% e të rriturve të cilët janë të infektuar me virusin e hepatitit B por që nuk kanë komplikacione, do të shërohen natyrshëm nga virusi brenda vitit të parë.
Diagnoza
Nga shenjat klinike nuk mund të diferencohet hepatiti B nga hepatiti i shkaktuar nga agjentë të tjerë viral; kështu konfirmimi laboratorik i diagnozës është thelbësor. Një numër testesh gjaku janë në dispozicion për të diagnostikuar njerëzit me hepatit B. Ato mund të përdoren edhe për të dalluar infeksionet akute dhe kronike. Diagnoza laboratorike e infeksionit të hepatitit B fokusohet në zbulimin e antigjenit të virusit të hepatitit B-HBsAg. OBSH-ja rekomandon që të gjitha dhurimet e gjakut të testohen për hepatit B për sigurinë e gjakut, për të shmangur transmetimin aksidental për njerëzit që marrin produktet e gjakut. Prania e HBsAg për të paktën 6 muaj është shënues kryesor i rrezikut për zhvillimin e sëmundjeve kronike të mëlçisë-cirrozës dhe kancerit të mëlçisë.
Trajtimi
Nuk ka trajtim specifik për hepatitin akut B. Hepatiti kronik B mund të trajtohet me medikamente, duke përfshirë preparate antivirale nga goja. Trajtimi mund të ngadalësojë progresin e cirrozës së mëlçisë, redukton incidencën e kancerit të mëlçisë dhe përmirëson mbijetesën afatgjatë. Në shumicën e njerëzve trajtimi nuk shëron infeksionin e hepatitit B, por vetëm pengon shtimin e virusit. Prandaj shumica e njerëzve që fillojnë trajtimin e hepatitit B duhet ta vazhdojnë atë gjithë jetën.
Vaksina
Vaksina e hepatitit B është shtylla e parandalimit të hepatitit B. OBSH-ja rekomandon që gjithë fëmijët të marrin vaksinën e hepatitit B sa më shpejt të jetë e mundur pas lindjes, mundësisht brenda 24 orëve. Kjo dozë pasohet nga 2-3 doza të tjera për të përfunduar gjithë skemën e vaksinimit. Vaksina ka një siguri dhe efektivitet të lartë. Përveç kësaj, zbatimi i strategjive të tjera të sigurisë të gjakut, duke përfshirë sigurimin e testimit të të gjithë gjakut të dhuruar dhe komponentëve të tij të përdorur për transfuzion, mund të parandalojë transmetimin e virusit të hepatitit B. Praktikat e injeksioneve të sigurta, duke eliminuar injeksionet e panevojshme dhe të pasigurta, mund të jetë strategji efektive për t’u mbrojtur kundër transmetimit të virusit të hepatitit B. Gjithashtu, praktikat më të sigurta seksuale, duke përfshirë minimizimin e numrit të partnerëve e përdorimin e masave mbrojtëse (prezervativë) mbrojnë kundër transmetimit të virusit të hepatitit B.
Hepatiti C
Infeksioni nga virusi i hepatitit C shkakton hepatit akut dhe kronik. Infeksioni akut nga virusi i hepatitit C zakonisht është pa shenja. Rreth 15-45% e personave të infektuar pastrohen në mënyrë spontane nga virusi, brenda 6 muajve të infektimit pa asnjë lloj trajtimi. Pjesa e mbetur prej 55-85% e këtyre personave zhvillojnë hepatitin C kronik, ku rreziku i cirrozës së mëlçisë është 15-30% brenda 20 viteve. Hepatiti C është i përhapur në mbarë botën. Ka variacione të shumta të virusit të hepatitit C dhe shpërndarja e tyre ndryshon sipas rajonit/vendeve. Në varësi të vendit, hepatiti C mund të përthapet në popullata të veçanta (p.sh. ata që injektojnë drogë) dhe/ose te popullata e përgjithshme.
Transmetimi
Virusi i hepatitit C është një virus që zakonisht transmetohet duke injektuar drogë nëpërmjet shkëmbimit të pajisjeve të injektimit. Në institucionet shëndetësore për shkak të ripërdorimit apo sterilizimin jo adekuat të pajisjeve mjekësore. Nëpërmjet transfuzionit të gjakut dhe produkteve të tij të pakontrolluara. Hepatiti C mund të përhapet edhe nëpërmjet rrugës seksuale dhe të kalojë nga një nënë e infektuar tek bebi i saj; megjithatë këto mënyra transmetimi janë shumë më pak të zakonshme. Hepatiti C nuk përhapet nëpërmjet qumështit të gjirit, ushqimit ose ujit, apo nga kontaktet e përditshme të tilla si puthja, përqafimi, ngrënia e ushqimit ose pirja nga një person i infektuar.
Shenjat
Periudha e inkubacionit për hepatitin C është 2 javë deri 6 muaj. Pas infektimit fillestar, përafërsisht 80% e njerëzve nuk shfaqin asnjë simptomë. Ata njerëz që shfaqin shenja mund të kenë ethe, lodhje, rënie të oreksit, të përziera, të vjella, dhimbje barku, urinë të errët, fece të çngjyrosura në gri, dhimbje të kyçeve, si dhe zverdhje të lëkurës dhe të bardhës së syve.
Diagnoza
Për shkak të faktit se infeksioni akut me virusin e hepatitit C është zakonisht asimptomatik, diagnoza e hershme e infeksionit është e rrallë. Tek ata njerëz që zhvillojnë infeksionin kronik, infeksioni mund të mbetet i padiagnostikuar deri kur shfaqen dëmtime serioze të mëlçisë. Pasi personi është diagnostikuar me infeksion kronik të hepatitit C, ai duhet të bëjë një vlerësim të shkallës së dëmtimit të mëlçisë (nëse ka fibrozë apo cirrozë). Kjo arrihet nëpërmjet bërjes së biopsisë së mëlçisë ose shumë testeve të tjera. Diagnoza e hershme mund të parandalojë problemet shëndetësore që mund të rezultojnë nga infeksioni, si dhe të parandalojë transmetimin e virusit te të tjerët.
Si trajtohet
Hepatiti C jo gjithmonë kërkon trajtim, mbasi te disa njerëz një përgjigje e fortë imunitare pastron infeksionin dhe te disa të tjerë me infeksion kronik nuk zhvillon dëmtime të mëlçisë. Kur trajtimi është i nevojshëm duhet përzgjedhur me kujdes, me qëllim përcaktimin e metodës më të përshtatshme për pacientin. Kjo mbasi mjekimi varet nga disa faktorë, midis të cilëve nënlloji i virusit të hepatitit C dhe tipi i mjekimit të dhënë. Deri kohët e fundit, trajtimi i hepatitit C është bazuar në terapinë me interferon e ribavirinë, e cila kërkonte injeksione javore. Kohët e fundit janë zhvilluar preparate të reja antivirale që janë shumë më efektive, më të sigurta dhe të toleruara më mirë nga organizmi se terapitë e vjetra. Kjo terapi mund të shërojë shumicën e personave me hepatit C, trajtimi është më i shkurtër dhe më i sigurt.