Quantcast
Channel: Shëndeti – Gazeta Mapo
Viewing all articles
Browse latest Browse all 2522

Mos i humbisni: Disa studime pikante mbi shëndetin

$
0
0

antibiotikAntibiotikët, 5 gabimet që bëjnë mjekët

Rezistenca ndaj antibiotikëve, çfarë mund të bëjnë punonjësit e shëndetësisë?! Rezistenca ndaj antibiotikëve ndodh kur bakteri ndryshon dhe bëhet rezistent ndaj antibiotikut të përdorur për trajtimin kundër infeksionit që ai ka shkaktuar. Së pari, duhet parandaluar infeksionet duke u siguruar se duart tuaja, instrumentat dhe ambienti është i pastër. Së dyti, mbani datat e vaksinave të pacientëve tuaja të përditësuara. Së treti, nëse mendoni se pacienti juaj ka nevojë për antibiotikoterapi, sa herë është e mundur, testoheni paraprakisht për të konfirmuar llojin. Së katërti, përshkruani antibiotikë vetëm kur është e domosdoshme. Së pesti, përshkruani antibiotikun e duhur, në sasinë e duhur dhe në kohën e duhur.

 

Harta, virusi Zika “prek” 8 vende europiane

Tetë vende europiane rezultojnë me prani të mushkonjave që shkaktojnë virusin Zika. Pas Italisë, rezulton të jetë përhapur edhe në Austri, Bosnjë, Francë, Gjermani, Greqi, Spanjë e Turqi. Kjo evidentohet nga harta, e përditësuar së fundmi gjatë muajit korrik, publikuar nga Qendra Europiane e Kontrollit të Sëmundjeve, që ka hetuar mushkonjën Aedes albopictus-shkaktare të Virusit Zika. Por ajo çka evidentojnë si shqetësuese, sipas mjekëve është edhe prania e mushkonjës tigër, prania e së cilës është evidentuar gjithashtu në këto vende. Mjekët nënvizojnë gjithashtu se kjo mushkonjë është ndër 100 llojet më të përhapura të mushkonjave dhe rezulton të jetë ndër më agresivet dhe infektueset.

 

Analiza e gjakut evidenton tendencën për vetëvrasje

Studiues australianë kanë zbuluar se prania e një shënjuesi në gjak evidenton tendencën për të kryer vetëvrasje. Ndaj dhe ata shpresojnë se përmes një analize gjaku të mund të çojnë në zhvillimin e kurave të reja për trajtimin e disa formave të depresionit. Docenti i shkencave neurologjike, Gilles Guillemin i “Macquarie University” në Sidnej të Australisë, prej 20 vitesh studion ndërlikimet që vijnë pas inflamacionit cerebral në depresion dhe në predispozicionin ndaj vetëvrasjes dhe sëmundjeve të tjera neurodegjenerative. Në vitin 2013 bashkë me kolegët e tij ka gjetur një lidhje mes mbiprodhimin e një neurotoksinë e quajtur acid kuinolinik dhe predispozicionit për të kryer vetëvrasje. Ndërkohë që një studim i ri, zhvilluar në bashkëpunim me Institutin “Karolinska” në Zvicër dhe Institutit “Van Andel Research Institute”në SHBA, ka evidentuar lidhjen mes mungesës së prodhimit të një enzime të quajtur ACMSD,  e cila shërben për të ulur prodhimin e një tjetër acidi. Në këtë mënyrë studimet e fundit përforcojnë të dhënat, të cilat tregojnë akoma më shumë mekanizmat biologjikë në funksionimin e tendencës për vetëvrasje. Ndaj dhe studiuesit synojnë që të formulojnë një analizë gjaku me anë të së cilës të evidentohet acidi kuolinikin dhe ai pikolinik, për të evidentuar kështu personat me tendencë për të kryer vetëvrasje.

 

Mungesa e hekurit, prek një në tre gra shtatzëna 

Një në tre gra mund të ketë ndërlikime gjatë shtatzënisë për shkak të mungesës së hekurit. Në 10% të rasteve kjo mungesë ka si shkak primarë problemet me tiroiden. Ky është rezultati në të cilin ka arritur një studim, publikuar në revistën Europiane të Endokrinologjisë. Edhe pse hekuri mund të merret edhe në një sërë ushqimesh, mes të cilëve edhe tek mishi, fasulet, arrat, drithërave dhe frutave të thata. Tek të rriturit mes moshës 19-50 vjeç, Instituti Ndërkombëtar i Shëndetit rekomandon një raport ditor prej 8 mg hekur për meshkujt dhe 18 mg për gratë, ndërkohë që gjatë shtatzënisë sasia e domosdoshme e hekurit rritet deri në 27 mg. Mungesa e hekurit shkakton rënie të nivelit të hemoglobinës, proteinë e cila shërben për transportin e oksigjenit drejt organeve të tjera të trupit, duke shkaktuar lodhje, mungesë frymëmarrje dhe takikardi. Tek mamatë e ardhshme dhe fëmijët e tyre mungesa e hemoglobinës mund të shkaktojë dëme. Nga ana tjetër hekuri ndihmon në funksionimin e tiroides, (TPO) enzima kryesore për prodhimin e hormonit të tiroides që favorizon në zhvillimin e trurit të fetusit, në mënyrë të veçantë gjatë tremujorshit të parë të shtatzënisë, periudhë gjatë së cilës tiroidja është akoma në zhvillim.

 

Tek të moshuarit, problemet me gjumin shkaktojnë iktus

Problemet me gjumin prekin 6 deri në 10 persona të cilët kanë kaluar iktus (goditje në tru), mund të përkeqësojnë këtë patologji dhe të ngadalësojnë rikuperimin e pacientit. Këto janë rezultatet e një studimi të zhvilluar në Gjermani dhe publikuar në revistën e Neurologjisë. Për të kuptuar më mirë lidhjen, ekipi i “University Hospital Essen”, në Gjermani, ka drejtuar një studim duke krahasuar rezultatet e 29 studimeve, të cilat kanë pasur pjesëmarrës rreth 2343 pacientë. Të gjithë këta pacientë kanë kaluar një ishemi apo hemoragji cerebrale kalimtare, shpeshherë e përkufizuar si një mini- iktus. Mjekët vunë re se tek 72% e pacientëve të cilët kishin kaluar iktus- ishemik, vazhdonin të kishin probleme me pagjumësinë dhe apnean. Tek personat që kishin kaluar iktus hemoragjik këto probleme shfaqeshin tek 63% e pacientëve dhe tek vetëm 38% e atyre që kishin kaluar mini-iktus.  Ajo çka studiuesit nënvizojnë është fakti se këto probleme ishin të pranishme edhe më parë tek këta pacientë, por edhe pas kalimit të iktusit, çka e vështirësonte përmirësimin e gjendjes shëndetësore.

 

Varësia ndaj punës, jep dhembje trupi, shkakton ankth

Kush punon shumë dhe është i fiksuar ndaj punës, pas një kohe të gjatë shfaqen shenjat e përkeqësimit shëndetësor, po kështu preken edhe nga depresioni, ankthi dhe nivel të lartë të hipertensionit. E gjithë kjo situatë përkufizohet si ‘Workaholism’,  dhe është studiuar nga profesorë në departamentin e Psikologjise në Universitetin e Bolonjës në bashkëpunim me studiues e kërkues të tjerë të Universitetit të Trentos, në Itali. Studimi i publikuar në “Journal of Management”, “The Individual “Costs” of Ëorkaholism- shpjegojnë se këtë gjendje e kalojnë ata njerëz tek të cilët shfaqen këto shenja; pamundësia për tu shkëputur nga puna, një fenomen sot i pranishëm gjithnjë e më shumë, pas ritmit të shpejtë që të imponon jeta e sotme. Sipas studiuesve ‘workaholism’ është gjithashtu një formë negative e investimit të shumtë në punë, shumë herë më shumë se sa është kërkuar dhe në këtë mënyrë jepet më shumë ndaj punës nga sa është kërkuar. Ndërsa po kështu këta persona ndihen keq kur shkëputen prej punës. Jo vetëm në nivelin psikologjik varësia ndaj punës shkakton probleme, por edhe në anën fizike.


Viewing all articles
Browse latest Browse all 2522