Dezinsektimi, Beqaj: Reduktojmë prezencën e mushkonjave në bregdet. Ministri i Shëndetësisë inspektoi një prej grupeve të terrenit për kryerjen e dezinsektimit të 50 ha sipërfaqe në zonën Velipojë-Shkodër
Një sipërfaqe prej 50 hektarësh është dezinsektuar në zonën e Shkodrës dhe atë të Velipojës gjatë këtij viti. Nuk ka qenë vetëm sipërfaqja e zonave bregdetare, por edhe kanalet, pusetat dhe bodrumet pranë këtyre zonave, ato që janë përfshirë gjithashtu në këtë proces të kontrollit të përhapjes së mushkonjave apo insekteve të tjera të dëmshme.
Inspektimi
Ministri i Shëndetësisë, z. Ilir Beqaj, gjatë një inspektimi të punës në terren të një prej ekipeve që po zbaton programin e dezinsektimit të Ministrisë së Shëndetësisë, ka pohuar se ka një përmirësim të ndjeshëm të situatës. “Procesi i dezinsektimit po kthehet tashmë në një proces të konsoliduar që Ministria e Shëndetësisë bën përgjatë gjithë zonës ligatinore të Ultësirës Perëndimore, por edhe në disa qytete kryesore të vendit,” – tha ai.
“Edhe në Velipojë, është viti i dytë që zbatojmë këtë procedurë,” – vazhdoi më tej z. Beqaj, duke shtuar se, praktikisht, ka një përmirësim të ndjeshëm të reduktimit të prezencës së mushkonjave në orare të caktuara të ditës. “Besoj se kjo ndihmon jo vetëm në mbarëvajtjen e sezonit turistik duke pakësuar bezdisjen ndaj pushuesve, por sigurisht ul shumë edhe rrezikun që nëpërmjet tyre mund të merren sëmundje të cilat janë të dëmshme për shëndetin e njeriut,” pohoi Beqaj.
Sa i përket preparateve të përdorura, ato janë krejtësisht agjentë biologjikë, në mënyrë që të mos ketë shkatërrim të florës dhe faunës në zonat e dezinsektuara. “Ky trajtim, po realizohet për herë të parë, pasi përdoren mjetet nga më të mirat, janë mjete biologjike, për luftimin e larvave dhe mushkonjave. Tashmë, nuk ka më insekticide kimike, të cilat dëmtojnë florën dhe faunën, duke mos pasur asnjë ndikim te njerëzit, kafshët apo edhe qeniet e tjera më të vogla,” ka pohuar Dr. Jorgji Petrokosta, mjek epidemiolog dhe drejtues teknik i këtij programi në këtë rajon.
Analizat
Nga matjet e realizuara nga Drejtoria Rajonale e Shëndetit të Shkodrës, rezulton se në zonat e dezinsektuara nuk ka prani të larvave të mushkonjave. “Aktualisht, ne kemi përfunduar trajtimin e dytë në Shkodër dhe në Velipojë. Duhet thënë që, në total, janë dezinsektuar rreth 50 ha sipërfaqe, dhe gjithashtu, janë dezinsektuar rreth 2 mijë m2 sipërfaqe në bodrume vetëm në qytetin e Shkodrës, si dhe rreth 1 mijë m2 të tilla në Velipojë. Ne besojmë që, pas këtyre trajtimeve, do të kemi rezultate shumë të mira, ashtu sikurse edhe vendet e tjera që i kanë aplikuar këto metoda,” ka pohuar Dr. Artan Mesi, Mjek Epidemiolog, Shef i Shërbimit të Kontrollit dhe Parandalimit të Sëmundjeve Infektive, DRSH Shkodër.
Deri tani, janë bërë 2 trajtime dezinsektimi të zonave bregdetare të Shkodrës dhe Lezhës, duke përdorur teknikat e Cold-fogging (Bti ËG); Pompave me presion të lartë (Bti ËG); dhe Atomizatorit të shpinës për granula (Bti G) për sipërfaqet e gjera, ndërsa Granulatorët e dorës (Bti + Bsph) janë përdorur për pusetat; dhe Dozatorët për lëng (film monomolecular) për bodrumet.
Procesi i dezinsektimit në zonën e Shkodrës dhe Velipojës do të vazhdojë deri në fund të muajit tetor.
Turizmi
Ndërkohë që prej datës 15 qershor 23800 pushues dhe turistë kanë marrë ndihmë mjekësore në të gjitha qendrat shëndetësore turistike të çelura në të gjithë vendin. Shifra është bërë publike nga Ministri i Shëndetësisë, z. Ilir Beqaj, gjatë një vizite pune të realizuar pranë Qendrës Shëndetësore të ngritur posaçërisht për sezonin turistik tek zona e Malit të Robit, në Golem. Kreu i shëndetësisë ka pohuar se me ofrimin e këtij shërbimi në zonat turistike ky sezon ka qenë edhe më i plotë për turistët.”
“Praktikisht, nga nisja e këtij shërbimi në 15 qershor deri në fund të javës së parë të gushtit, jemi në 23800 pushues që kanë marrë shërbimin në këto qendra shëndetësore, dhe ne besojmë se u kemi plotësuar atyre pushimet, kemi kontribuuar në një sezon turistik të suksesshëm, por japim edhe më shumë garanci për operatorët turistikë që në paketat e tyre të ofertave kanë edhe këtë element garancie minimale,” nënvizoi ministri.
Nga ana tjetër, mjekët e kësaj qendre shëndetësore kanë treguar se rastet më të shpeshta te fëmijët janë gastroenteritet, infeksionet dhe pickimet nga insektet apo peshqit, kurse tek të rriturit, problemet kardiake dhe diabeti.” Numri i rasteve ka ardhur duke u shtuar, sidomos këtë 3-javëshin e fundit, duke shkuar deri në 40-50 vizita përgjatë 24 orëve.
Deri më sot, kemi realizuar 1500 vizita, ku pjesa më e madhe kanë qenë fëmijë me infeksione të rrugëve të sipërme respiratore por edhe gastroenterite apo reaksione alergjike, kurse pjesa tjetër i takon moshave më të mëdha me kriza hipertensive apo çrregullime të diabetit,” ka pohuar Esmeralda Zaçe, mjeke pranë kësaj QSH.
Kjo e fundit ka theksuar, se QSH është e pajisur me të gjitha barnat dhe aparaturat e duhura për të trajtuar urgjencat e ndryshme. “Shërbimi shëndetësor ka funksionuar nga 15 qershori deri më sot, përgjatë 24 orëve, duke u përpjekur që t’u përgjigjemi të gjithë urgjencave në kohë sa më të shpejtë të mundshme, duke pasur si ndihmesë furnizimin e plotë me barna dhe të gjitha materialet e mjekimit që na duhen për të përballuar këto raste, që nga defibliratori, EKG-ja, glukometri, saturometri, si dhe autoambulanca, e cila na është përgjigjur në çdo kohë,” theksuan bluzat e bardha.
Angazhimin dhe përkushtimin e personelit, kreu i shëndetësisë nuk harroi ta verë në dukje përmes falenderimeve, duke pohuar se shërbimi shëndetësor në të gjithë vendin, dhe sidomos në zonat turistike, ka qenë në gatishmëri të plotë. “Kemi një shërbim korrekt, profesional, dhe është arritur që të ketë një shërbim normal me barna dhe materiale mjekësore të nevojshme për urgjencat verore. Unë do të falenderoj mjekët dhe infermierët qe punojnë me profesionalizëm këtu, por edhe drejtuesit e QSH në Durrës dhe në Kavajë, që bashkërisht arrijnë të shërbejnë këtu apo në rastet kur duan të përcjellin pacientë të ndryshëm ne spital qoftë më shërbimin e autoambulancës,” pohoi ministri Beqaj.
Gjatë 2 javëve të fundit në të gjitha Qendrat Shëndetësore Turistike është vëne re një rritje e numrit të pacientëve për shkak të fluksit të madh të pushuesve në këto zona.