Edi Rama ka qenë sot në Spitalin Universitar të Traumës në Tiranë, për atë që kryeministri e quan “një tjetër zhvillim me rëndësi në shërbimin tonë shëndetësor!”.
Rama shkruan në rrjetet sociale se “Pas shumë e shumë vitesh që protezat bliheshin nga pacientet në nevojë, deri në 3000 Euro, dhe për këtë arsye jo pak njerëz nuk e siguronin dot një protezë, është siguruar më në fund furnizimi FALAS për çdo pacient”.
Sipas kryeministrit “Ky shërbim do të ofrohet FALAS fillimisht në spitalin e traumës, në shërbimin e ortopedisë në QSUT dhe në spitalin rajonal të Durrësit, dhe do të shtrihet brenda gjysmës së parë të vitit të ardhshëm, në të gjitha shërbimet e ortopedisë në rang vendi”.
“Pas lehtësimit të pjesshëm të barrës financiare për protezat që filloi në 1 janar 2015, duke përjashtuar nga taksa e vjetër 20% pajisjet mjekësore të implantueshme, sot barra e mbetur rreth 2 milionë USD në xhepat e njerëzve në nevojë për këtë shërbim, hiqet tërësisht”, – thekson kreu i qeverisë.