Afërdita Metani: Kontrolli bazë për mua ka qenë shumë i rëndësishëm sepse më ka shpëtuar jetën. Po të mos kishte dalë check-up-i unë sot nuk do të isha në jetë
Viktor dhe Mrikë Gjoka, 55 dhe 52 vjeç janë një çift bashkëshortësh nga Rubiku, ndonëse nuk vuajnë nga ndonjë sëmundje apo problem shëndetësor, sapo janë informuar për kryerjen e këtyre kontrolleve falas, kanë kryer edhe ata check-up-in
Dhembje koke e vazhdueshme, fryrje në trup, marrje mendsh e të vjella, probleme të cilat dy vite radhazi 49-vjeçarja nga Durrësi Afërdita Metani i ka mbajtur nën kontroll me aspirinë. Pamundësi ekonomike, neglizhencë, shumë herë edhe mungesë informacioni, Metani shpjegon se nuk ka arritur dot asnjëherë të kryejë analizat e plota shëndetësore. Për “Mapo”-n, gruaja nga Durrësi tregon se ka kryer disa herë analizën e thjeshtë të gjakut, po kështu edhe analizë urine, por asnjëra prej tyre nuk hetuan probleme shëndetësore, iu tha se nuk kishte asgjë. Vetëm një vit më parë Afërdita Metani, gruaja e papunë pas këshillimit nga mjekja e familjes, ajo kryen check-up-in, kontrollin e plotë shëndetësor, nga ku diagnostikohet me “polycythemia vera”- nivel të lartë të trombociteve në gjak. Për Afërditën kryerja e këtij kontrolli falas i ka shpëtuar jetën, pasi ishin analizat që hetuan sëmundjen dhe prej një viti po kurohet dhe mban nën kontroll.
Rrëfime
Afërdita Metani tregon se për check-up-in është informuar nga televizioni, disa herë ajo e kishte parë fushatën informuese “Si je” dhe vetëm pas këmbënguljes së mjekes ajo ka kryer analizat. “Me televizionin jam informuar. Kisha gati dy vjet që unë kisha probleme, kisha marrje mendsh, të vjella, dhimbje gishtash dhe pija aspirinë dhe u qetësoja. Në janar ka dalë check-up-i, në qershor e kam bërë unë. Edhe sepse në fakt unë jam detyruar nga doktoresha e lagjes time, Brisilda Zalla, ajo më tha që hajde bëj check-up-in se unë e kisha lënë pak pas dore. Atëherë kur bëra check-up-in më kapi sëmundjen, me trombocitet të larta. Kjo sëmundje u kap me check-up-in. Një herë në dy tre ditë pija aspirinë dhe u qetësoja. Pasi kreva check-up-in më thirrën për së dyti dhe vunë re se në gjak diçka nuk po shkonte mirë, aty vunë re se kisha probleme, në mënyrë urgjente iu jam nënshtruar kurimit”, -rrëfen 49-vjeçarja e cila thotë se -“arsyeja që nuk kisha arritur më parë të bëja analizat e plota janë ekonomia e dobët, pamundësia. Pasi burrë e grua jemi të papunë, disa herë mund t’i ketë bërë analizat e gjakut, por shumë herë më kanë thënë jo s’ke gjë, jo spondiliatrozë, dhe unë i pata lënë pas dore. U mjekoja vetëm me aspirinë, me atë e kaloja. Pas rezultateve të analizave të check-up-it u shtrova në spital, ndenja katër ditë shtruar dhe vazhdoj marr mjekim, çdo muaj bëj analizat dhe po mbaj sëmundjen nën kontroll”. E vetëdijshme që ka neglizhuar kontrollet mjekësore edhe për shkak të ekonomisë, tani që ka bërë check-up-in, thotë se do ua rekomandonte të gjithëve. “Për mua ka qenë shumë i rëndësishëm sepse më ka shpëtuar jetën. Po të mos kishte dalë check-up-i unë sot nuk do të isha në jetë. Nga momenti në moment unë mund të kisha humbur jetën, se jo gjithmonë i njohim sëmundjet, nuk i kuptojmë se nga çfarë na vijnë shqetësimet. Kryhen falas dhe i bënë të gjitha llojet e analizave, është gjëja më e mirë që mund të bëhet. Ndërkohë që kur vinte puna që analizat ti bëja me lekë, unë kufizohesha ose me një analizë urine, ose një gjak të thjeshtë, po të gjitha ato analiza që i bën check-upi nuk i bëja dot, kanë kosto të lartë”.
Viktor dhe Mrikë Gjoka, 55 dhe 52 vjeç janë një çift bashkëshortësh nga Rubiku, ndonëse nuk vuajnë nga ndonjë sëmundje apo problem shëndetësor, sapo janë informuar për kryerjen e këtyre kontrolleve falas, kanë kryer edhe ata check-up-in. 55-vjeçari nga Rubiku e vlerëson si shumë të rëndësishëm check-up-in, pasi mendon se shqiptarët janë neglizhentë, shumë herë edhe nga pamundësia nuk iu nënshtrohen kontrollove mjekësore. Ndërsa sipas tij ky kontroll pikërisht këtë synon ndërgjegjësim për shëndetin dhe parandalimin e çdo sëmundje apo problemi i kapur sot që të mos bëhet nesër i madh. Pasi i është nënshtruar kontrollit shëndetësor bazë, Viktori rrëfen se fatmirësisht analizat nuk hetuan probleme serioze dhe se vazhdimisht mban nën kontroll shëndetin e tij. Për bashkëshorten e tij, Mrikë Gjoka, 52 vjeçe analizat e check-up-it hetuan një anemi për të cilën, ajo pohon se më parë nuk kishte dijeni se vuante dhe se aktualisht ka marrë mjekim dhe vazhdon të trajtohet. Mrika rrëfen për “Mapo”-n se është e lumtur që ka arritur të diagnistikojë në kohë problemin e saj, ndonëse ajo mendonte se nuk kishte asnjë problem shëndetësor por që fatmirësisht falë check-up-ut, anemia u hetua herët, pa kaluar në faza të mëtejshme dhe çdo gjë duket nën kontroll.
Por çfarë është check-up-i dhe pse pikërisht kjo kategori moshe iu ofrohet falas? Në fakt dy vite më parë, Ministria e Shëndetësisë nisi një fushatë për kontrollin falas të shëndetit bazë, për të gjithë shqiptarët nga mosha 40 deri në 65 vjeç, në qytete e fshatra, deri edhe në zonat më të thella të Shqipërisë, ajo që sot njihet si “check-up”. Sot ky kontroll shëndetësor ofrohet në çdo qendër shëndetësore dhe jepet falas për këtë grupmoshë. Arsyeja përse i drejtohet kësaj kategorie, është në këtë moshë fillojnë e shfaqen sëmundjet dhe kapja e hershme e tyre bënë të mundur trajtimin më të lehtë të problemeve, po kështu kjo fushatë shërben edhe për sensibilizim dhe parandalim të problemeve të mëtejshme shëndetësore. Çfarë matet me check-up? Përmes kryerjes së këtij kontrolli shëndetësor falas bëhet e mundur vlerësimi, këshillimi, referimi dhe ndjekja e parametrave fiziologjikë e biokimikë siç janë tensioni arterial, indeksi i masës trupore, aktiviteti i zemrës (EKG), formula e gjakut, Hb, HCT, MCV, MCH, MCHC, kolesteroli total, HDL kolesterol, LDL kolesterol, triglyceride, glicemia, albuminuria, prania e qelizave, azotemia dhe kratinemi; vlerësim, këshillim, trajtim dhe ndjekje për faktorët e stilit të jetesës siç janë ushqyerja, konsumimi i duhanit e i alkoolit apo dhe niveli i stresit dhe depresionit etj.
-Të mësosh se “Si je”, tani është fare e thjeshtë. Të parandalosh është më mirë së të kurosh. Mjafton të shkosh në Qendrën shëndetësore të zonës ku banon
– check-up-in” falas, për grup moshat 40- 65 vjeç, në të gjithë Shqipërinë vijon nën moton: “Të shëndetshëm, jemi të gjithë të barabartë! Shëndeti nuk është një privilegj, është e drejta jote.”
-Kontroll falas të popullatës, me qëllim kujdesin për shëndetin, parandalimin e sëmundjeve dhe komplikacioneve, zbulimin e hershëm të çrregullimeve, mjekimin në fazat e hershme si dhe përmirësimin e kulturës shëndetësore