Rritja e jetëgjatësisë, urbanizimi dhe adaptimi në rritje i një stili jetese perëndimore, janë ndër përcaktuesit e rëndësishëm në rritjen e incidencës së kancerit të gjirit në vendet në zhvillim
Kanceri i gjirit është aktualisht në krye të listës së llojeve të kancerit te gratë në botë, si në vendet e zhvilluara ashtu edhe tek ato në zhvillim. Ekzistojnë diferenca të mëdha në sëmundshmërinë dhe vdekshmërinë prej kancerit të gjirit në vende të ndryshme të botës, pavarësisht se kanceri i gjirit është kanceri që haset më shpesh te gratë në shumicën e këtyre vendeve. Kanceri i gjirit prek të gjitha gratë, por rreziku rritet me rritjen e moshës. Përgjithësisht preken moshat mbi 50 vjeç, por mund të shfaqet edhe në mosha fare të reja. Bazuar në të Dhënat e Agjencisë Ndërkombëtare mbi Kërkimet mbi Kancerin në Botë (GLOBOCAN), i cili përllogarit një vlerësim të situatës reale në çdo vend të botës, ka vlerësuar se kanceri i gjirit ka incidencën më të lartë ndër llojet e kancerit që prekin gratë. Shumica e vdekjeve nga kanceri i gjirit ndodh në vendet me të ardhura të ulëta e mesatare, ku shumica e grave me kancer të gjirit diagnostikohen në faza të vonshme, kryesisht për shkak të mungesës së ndërgjegjësimit në zbulimin e hershëm dhe barrierave ndaj shërbimeve shëndetësore. Aktualisht nuk ka njohuri të mjaftueshme mbi shkaqet e kancerit të gjirit, dhe zbulimi i hershëm i sëmundjes mbetet themeli i kontrollit të kancerit të gjirit. Kur kanceri i gjirit zbulohet herët, dhe nëse diagnoza dhe trajtimi adekuat janë në dispozicion, ka mundësi që kanceri i gjirit të shërohet. Organizata Botërore e Shëndetësisë promovon kontrollin e kancerit të gjirit në kuadër të programeve kombëtare të kontrollit të kancerit. Strategjitë e rekomanduara për zbulimin e hershëm të kancerit të gjirit për vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme janë: rritja e ndërgjegjësimit për kapjen e hershme të shenjave dhe ekzaminimi klinik i gjirit. Depistimi nëpërmjet mamografisë është shumë i kushtueshëm dhe është rekomanduar për vendet me infrastrukturë të mirë shëndetësore që mund të përballojnë një program afatgjatë.
Të dhëna
Në Shqipëri kanceri i gjirit është kanceri që haset më shpesh, sidomos te femrat mbi 50 vjeç. Vihet re një tendencë e prekjes nga kanceri i gjirit edhe të moshave të reja. Çdo vit, në Qendrën Spitalore Universitare Tiranë (QSUT) janë hasur mesatarisht rreth 350 raste të reja me kancer gjiri me një prirje të lehtë rritjeje, me një kulm prej 443 rastesh në vitin 2013. Për t’u shënuar mbetet fakti që rastet me kancer gjiri paraqiten në faza të avancuara kur trajtimi bëhet shumë i vështirë dhe në disa raste i pamundur; rrjedhimisht dhe vdekshmëria është e lartë. Nga mesi i viteve 80 deri më sot, numri i vdekjeve në vit nga kanceri i gjirit është rritur më shumë se 3 herë.
Shkaqet
Shkaku i kancerit të gjirit, ashtu si i gjithë llojeve të kancerit në përgjithësi, nuk është shumë i njohur, por disa faktorë duken se rrisin rrezikun për këtë lloj kanceri. Këta faktorë grupohen në dy kategori: a) faktorë rreziku të pandryshueshëm, të cilët janë të pranishëm dhe nuk mund të ndikohet për t’i ndryshuar; b) faktorë rreziku të ndryshueshëm të cilët mund t’i mbajmë nën kontroll.
Kontrollet
Gratë që nuk kanë asnjë faktor rreziku, kanë një rrezik mesatar për të zhvilluar kancer gjiri. Atyre ju rekomandohet; nëse janë 20-40 vjeç: Ekzaminim klinik i gjirit te personeli mjekësor çdo tre vjet, vetëkontroll mujor i gjirit; nëse janë 40-50 vjeç: Ekzaminim klinik te personeli mjekësor çdo vit, vetëkontroll mujor i gjirit; nëse janë 50-70 vjeç, mamografi çdo 2 vjet, ekzaminim klinik te personeli mjekësor çdo vit, vetëkontroll mujor i gjirit. Gratë që kanë disa faktorë rreziku (si histori familjare apo personale, probleme beninje të gjirit, fillim të hershëm dhe mbarim të vonshëm të menstruacioneve, moslindje ose lindje mbi moshën 30 vjeç, obezitet, ind të ngjeshur të gjirit dhe ekspozim ndaj rrezatimit terapeutik) kanë një rrezik më të larte se mesatarja për të zhvilluar kancer gjiri. Atyre ju rekomandohet: Ekzaminim klinik i gjirit te personeli mjekësor çdo vit, konsultë me specialistin e gjirit, mamografi (dhe EKO nëse është e nevojshme) çdo vit nga mosha 40 vjeç si dhe vetëkontroll mujor i gjirit. Grave që kanë faktorë gjenetikë (janë bartëse të defektit BRCA 1 apo BRCA 2), kancer gjiri te një familjar mashkull, kancer gjiri dhe kancer vezoresh në të njëjtin person, në dy ose më shumë familjarë të ngushtë iu rekomandohet: Ekzaminim klinik i gjirit çdo gjashtë muaj, mamografi dhe/ose rezonancë magnetike çdo vit nga mosha 25 vjeç, konsultë me specialistin e gjirit dhe specialistin gjenetik.
Trajtimi
Kanceri i gjirit është ndër llojet e kancerit pothuaj tërësisht të trajtueshëm. Sot ekzistojnë mënyra të ndryshme të trajtimit si marrja e preparateve të ndryshme hormonale, kimioterapia, trajtimi kirurgjik etj. Fatmirësisht, pothuaj të gjitha mënyrat e trajtimit bashkëkohor ofrohen edhe në Shqipëri. Së fundmi kanë hyrë edhe preparate të cilat rrisin jetëgjatësinë për pacientët në faza të avancuara. Trajtimet e reja vonojnë progresin e sëmundjes shumë më mirë se preparatet e deritanishme, duke ofruar një mundësi të re për pacientët.