“Dhuro flokë! Fal Shpresë” është fushata që po qarkullon prej disa ditësh në rrjete sociale. Organizata “Europa Donna Albania” ka nisur një fushatë në kuadër të muajit të ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit. Kjo fushatë ka të bëjë me dhurimin e flokëve për pacientët me kancer.
Për shkak të mjekimeve këtyre pacientëve ju bien flokët, ndaj fushata ka si qëllim mbledhjen e flokëve të cilat më pas përpunohen në paruke të përsonalizuara dhe do të dhurohen për të sëmurët me kancer.
Me 15 tetor u zhvillua dhe aktiviteti që mblodhi shumë njerëz në parkun “Rinia” ku artistë të ndryshëm e njerëz të njohur të ekranit dhanë mesazhe sensibilizuese, si dhe shumë vajza dhuruan flokët.
Fushatë e cila ka përfshirë njerëzit e thjeshtë, politikanët, gazetarët, artistët e futbollistët.
Elseid Hysaj, lojtari më i paguar në ‘Serinë A’ ka shpërndarë në faqen e tij në facebook eventin “Dhuro Flokë! Fal Shpresë”, duke i ftuar të gjithë të bëhen pjesë e kësaj fushate, duke ju kërkuar fansave të tij të dhurojnë shpresë dhe dashuri.
Më pas ka qenë Andi Lila ai që ka kërkuar të gjithë ta mbështesin këtë kauzë të organizuar nga “Europa Donna Albania”.
Dhe një ndër protagonistët e Kombëtares shqiptare, Armando Sadiku ka treguar anën e tij të ndjeshme duke vënë theksin tek femra, të cilën e quan “të jashtëzakonshme”, ka ftuar të gjithë të dhurojnë mbështetje dhe sensibilizim.
Tre lojtarët më të lakuar të Kombëtarës shqiptare kanë treguar edhe njëherë se janë lojtarë me zemër në fushë dhe jashtë saj, duke iu bashkuar kësaj kauze sensibilizuese dhe shumë të ndjeshme.
Fushata vazhdon deri në fund të muajit tetor.