Quantcast
Channel: Shëndeti – Gazeta Mapo
Viewing all articles
Browse latest Browse all 2522

Kujdes me antibiotikët, pse nuk përdoren në rastet e gripit

$
0
0

aida-keci-farmakologeEfektet anësore të shkaktuara nga antibiotikët mund të jenë të lehta dhe kalimtare, por ka raste kur komplikohen; efekte të tilla nisin që nga alergjitë, çrregullime gastrointestinale, ndryshime në funksionin hepatik dhe renal, shfaqje të mykut

Nën presionin e firmave farmaceutike dhe falë përfitimeve që marrin prej tyre, mjekët gjithnjë e më shumë përshkruajnë receta me antibiotikë, ndonëse në shumicën e rasteve janë të panevojshme. Nga ana tjetër janë të shumta rastet kur edhe vetë qytetarët u drejtohen farmacive për të marrë antibiotikë. Mirëpo nga keqpërdorimi dhe mbipërdorimi i tyre, shumë infeksione nuk po arrijnë të trajtohen sepse mikrobet shfaqin rezistencë ndaj antibiotikëve, duke kthyer në problem kurimin e tyre. Në një intervistë për “Mapo”-n farmakologia msc. Aida Keçi, kandidate për titull shkencor “Doktor Shkencash”, Drejtore Teknike pranë Spitalit Gjerman, shpjegon rastet kur përdoret një antibiotik dhe pse në rastet e infeksioneve virale apo siç njihet gripi nuk duhet të përdoret antibiotiku. Sipas farmakologes Keçi duhet treguar kujdes në përdorimin e antibiotikëve sepse efektet anësore të tyre prekin gjithë organizimin tonë, duke dëmtuar rëndë sistemin imunitar, gastrointestinal e deri atë nervor. 

Çfarë janë antibiotikët dhe si përzgjidhen ata?

Antibiotikët janë barna antimikrobiale, të cilat vrasin dhe parandalojnë rritjen e baktereve dhe disa infeksioneve kërpudhore. Përdoren për mjekimin e infeksioneve bakteriale, kërpudhore dhe atyre nga parazitët. Përzgjedhja e terapisë me antibiotikë përbën sintezën e të gjithë të dhënave (klinike dhe laboratorike). Këto të dhëna konsistojnë në marrjen saktë të anamnezës në vlerësimin klinik të rastit bashkëngjitur të gjeneve laboratorike që lidhen me procesin infektiv si dhe me organizimin dhe në organizimin në përgjithësi. Vlerësimi kritik i ecurisë së terapisë në pjesën më të madhe të rasteve duhet të justifikojë përzgjidhen e tij. Mosrespektimi i këtyre kërkesave mund të çojë në konkluzione që përmblidhen rreth idesë se “antibiotiku më i fortë është më i miri”, duke hapur rrugën e përdorimit abuziv të antibiotikëve me pasoja negative në trajtimin e infeksionit e më gjerë.

Mjeku dhe farmacisti duhet ta trajtojë me kujdes këtë gjendje të rëndësishme duke u mbështetur në njohjen e procesit infeksioz dhe vetive të antibiotikëve.

Kur marrim një antibiotik, ku gabojmë; te doza, mënyra apo shpeshtësia e tyre? 

Keqpërdorimi i antibiotikëve konsiston në marrjen e tyre pa u bërë një vlerësim i saktë i gjendjes infeksioze, pra në marrjen e gabuar të tyre. Një tjetër formë e keqpërdorimit të antibiotikëve është edhe në rastin kur pacientët nuk respektojnë orarin e marrjes (intervalin nga doza në dozë) kohën e administrimit (para ose pas ushqimit) dhe zgjatjen ditore të përdorimit (përdorimi për një kohë më të shkurtër ose më të gjatë) nga sasia e përcaktuar nga mjeku.

Çfarë efektesh anësore mund të shkaktojnë antibiotikët? 

Gama e efekteve anësore të shkaktuara nga anabiotikët është shumë e gjerë. Ato shpesh janë të lehta dhe kalimtare, por ka raste kur komplikohen. Si efekte të padëshirueshme mund të përmendim mbindjeshmërinë ndaj antibiotikut që mund të manifestohet në reaksione alergjike, si: kruajtje, urtikarie, eritemë multiforme etj. Më pas kemi çrregullime gastrointestinale, si: të përziera, të vjella, diarre, kapsllëk. Në efektet e sistemit nervor qendror, përmendim: dhimbje koke, marrje mendsh, parestezi. Mund të vërehen ndryshime në funksionin hepatik dhe renal të cilat manifestohen me ndryshime laboratorike, (rritje kalimtare të vlerave të uresë, kreatinës, fosfatazave alkaline, transaminazave dhe jo në pak raste mund të vërehet trombocitopeni). Shpesh përdorimi i zgjatur i antibiotikëve shkakton shfaqjen e mykut. Disa faktorë që ndikojnë në efektet anësore të antibiotikëve janë edhe mosha, gjinia, gjendja patologjike dhe ajo psiko-emocionale e pacientit.

Në cilat raste nuk duhet të rekomandohet përdorimi i antibiotikëve? 

Në rastet e infeksioneve virale dhe në ato që njihen si gjendje gripale, të cilat shoqërohen me temperaturë, djersitje, dhimbje trupore dhe debulesë, të cilat zakonisht e zgjasin 3-5 ditë, në të tilla raste nuk duhet të përdoret antibiotiku. Këto simptoma në shumicën e rasteve kalojnë pa u komplikuar dhe në këto raste si pacientët, si mjekët duhet të tregohen të kujdesshëm në mospërdorimin e menjëhershëm të antibiotikëve.

Për cilat sëmundje ka rrezik për rezistencë ndaj antibiotikëve?

Përdorimi i gjerë dhe pa kriter i antibiotikëve vepron si një ndër faktorët më të fuqishëm në përhapjen e rezistencës bakteriale. Trajtimi me antibiotik asgjeson ose frenon shumëzimin e baktereve të ndjeshëm ndaj tij, ndërkohë që nuk arrin të veproj në mutantet rezistente si dhe në florën bakteriale rezistente. Efekti selektues i baktereve rezistente nga presioni antibiotikëve është elementi bazë në përhapje të rezistencës bakteriale. Frekuenca e shtamave rezistent është maksimale në mjediset spitalore, veçanërisht në repartet e Djegies, Përkujdesit Intensiv dhe Urologjisë. Në ditët tona ky është një problem madhor për vetë faktin se në tri dekadat e fundit janë zbuluar vetëm dy antibiotikë të rinj, ndërkohë që evolucioni bakterial është me hapa galopantë. Kjo do të thotë që bakteret po fitojnë luftën me antibiotikët, gjë që është kërcënuese. Gjithashtu s’duhet harruar pa u përmendur që sot bëhet një luftë e madhe nga firmat farmaceutike ndaj mjekëve për përshkrimin sa më të madh të antibiotikëve. Ajo që ngelet detyrë e gjithë personelit mjekësor duke filluar nga mjekët, farmacistët është përdorimi sa më racional, i kufizuar dhe konkret i antibiotikëve sipas patologjisë përkatëse. Një tjetër detyrë është edhe ndërgjegjësimi i pacientëve nëpërmjet fushatave ndërgjegjësuese mediatike dhe më gjerë për mos vetëmjekimin me antibiotik, si dhe zhvillimi i protokolleve të tilla mjekësore që e ndalojnë farmacistin që të mjekojë me antibiotik pa përshkrimin përkatës nga mjeku.

Si paraqitet trendi në vendin tonë, a ka patur raste të rezistencës?

Mund të themi se deri diku situata paraqitet dramatike. Kemi gjithmonë edhe më shumë individë që vetëmjekohen me antibiotikë jo të përshtatshëm për patologjinë të cilën kanë. Gjithmonë edhe më shumë kemi pacientë të pabindur të cilët mjekohen deri në momentin e zhdukjes së simptomave duke e lënë mjekimin në gjysmë dhe pa përfituar benefitet e kërkuara të antibiotikut, por gjithashtu kemi një përshkrim pa kriter të antibiotikëve nga ana e mjekëve dhe farmacistëve, të cilët janë nën presionin e firmave farmaceutike, në këmbim të benefiteve personale. Pra, na nevojitet urgjentisht një protokoll për të vendosur përdorimin racional të medikamenteve të lançuara në treg dhe sidomos antibiotikëve.

 

Efektet anësore të antibiotikëve

Efektet anësore të shkaktuara nga antibiotikët mund të jenë të lehta dhe kalimtare, por ka raste kur komplikohen. Si efekte të padëshirueshme mund të manifestohen me reaksione alergjike, si: kruajtje, urtikarie, eritemë multiforme etj. Më pas kemi çrregullime gastrointestinale, si: të përziera, të vjella, diarre, kapsllëk. Në efektet e sistemit nervor qendror, përmendim: dhimbje koke, marrje mendsh, parestezi. Mund të vërehen ndryshime në funksionin hepatik dhe renal të cilat manifestohen me ndryshime laboratorike, (rritje kalimtare të vlerave të uresë, kreatinës, fosfatazave alkaline, transaminazave dhe jo në pak raste mund të vërehet trombocitopeni). Shpesh përdorimi i zgjatur i antibiotikëve shkakton shfaqjen e mykut. Disa faktorë që ndikojnë në efektet anësore të antibiotikëve janë edhe mosha, gjinia, gjendja patologjike dhe ajo psiko-emocionale e pacientit.


Viewing all articles
Browse latest Browse all 2522