Avokati i Popullit Igli Totozani së bashku me ekspertët ka qenë për një inspektim sot në spitalin e Bashkisë së Rrëshenit, për të parë nga afër kushtet që ofrohen për pacientët në këtë zonë.
Avokati i Popullit e konsideroi “të papranueshëm mungesën e një sistemi ngrohës për spitalin, kur dihet se gjatë dimrit në Rrëshen temperaturat zbresin nën zero gradë Celcius”.
“Një tjetër ndërhyrje që duhet bërë me urgjencë”, – sipas Avokatit të Popullit, “është edhe plotësimi i nevojave të spitalit me mjekë specialistë. Mungesa e një mjeku obstetër gjinekolog i detyron pacientet që t’i bëjnë lindjet në spitalin e Lezhës”.
Ndalesa tjetër e Avokatit të Popullit ishte në familjen Picaku në Rrëshen, pas ankesës së tyre për kushte jetese tepër të vështira dhe mungeses se strehimit permes banesave sociale. Z. Totozani tha se po e ndjek me prioritet këtë ankesë dhe do të angazhohet personalisht për zgjidhjen e situatës ku gjendet kjo familje.
Në takimin me Kryetarin e Bashkisë së Rrëshenit, z. Totozani tha se “shqetësimet, problematikat dhe ankesat e shumta të regjistruara vetëm në një ditë nga Avokati i Popullit, duhet të gjejnë zgjidhje sa më të shpejta dhe pushteti vendor, strukturat e të cilit nuk duhet të krijojnë distanca me qytetarët, por të jenë një aleat i ngushtë i tyre në mbështëtje të halleve që kanë”.