Quantcast
Channel: Shëndeti – Gazeta Mapo
Viewing all articles
Browse latest Browse all 2522

Antibiotikët: Rezistenca, sfidë për shëndetin global

$
0
0

antibiotikRezistenca ndaj antibiotikëve po kthehet në një nga sfidat më të mëdha për shëndetin global. Ky fakt po vë në pikëpyetje shumë prej përparimeve që janë bërë deri më sot në mjekësi. Alarmi vjen nga OBSH (Organizata Botërore e Shëndetit), e cila paralajmëron mbi efektet e kundërta që rrezikon të krijojë përdorimi i tepërt i tyre.

Antibiotikët po fillojnë të humbasin efektet mbi bakteret duke i bërë ato më rezistente për të rrezikuar kështu përhapjen e infeksioneve. Edhe vendi ynë nuk i ka shpëtuar një situate të tillë ku në bazë të një studimi të kryer nga Instituti i Shëndetit Publik, niveli i përdorimit të antibiotikëve është shqetësues. Gjatë një interviste për gazetën “Mapo”, Gentiana Qirjako, shefe e Departamentit të Promocionit Shëndetësor në ISHP, tregon se ky studim u realizua në kuadër të “Javës Botërore të Ndërgjegjësimit për antibiotikët”. “Gjetjet e këtij studimi sugjerojnë një sërë veprimesh që duhen ndërmarrë në Shqipëri në nivel qendror dhe lokal” -u shpreh ajo. Sipas saj studimi siguron një seri gjetjesh të rëndësishme lidhur me përdorimin e antibiotikëve, nivelit të njohurive mbi përdorimin korrekt të tyre, të kuptuarit e problemit të antibiotiko-rezistencës si dhe çfarë mund dhe duhet bërë për këtë çështje të rëndësishme.

Studimi

Studimi përfshin periudhën kohore nga data 1 deri në 20 Nëntor 2016 ndërsa përqendrohet në tri qytete kryesore Tiranë, Vlorë, Shkodër. Prevalenca e përdorimit të këtij medikamenti rezultonte të ishte më e lartë në zonat rurale sesa në qytete ku përkatësisht shifrat qëndronin 41% me 28%. Për shkak të pamundësisë financiare për ta shtrirë studimin në të gjithë Shqipërinë, Qirjako tha se u vendos që ai të mbulonte të paktën popullatë përfaqësuese nga tri zona gjeografike të Shqipërisë: Veriu (Shkodër), Jugu (Vlora) dhe Shqipëria Qendrore (Tirana). Te individët me nivel të ulët edukimi ndaj atyre me nivel të lartë shifrat qëndronin 38% me 23%. Në 6 muajt e fundit përdorimi i këtij medikamenti kishte përqindjen më të madhe te të rinjtë ku përkatësisht të rinjtë përbënin 72% ndërsa personat e moshuar përbënin 39% .Mes pjesëmarrësve të këtij studimi, të cilët raportuan për përdorimin e antibiotikëve 71% e tyre tregonin se i kishin me receta nga mjeku ndërsa 24% i përdornin pa udhëzimin e duhur. Diferencat qëndronin po ashtu edhe mes gjinive ku 75% e femrave kanë raportuar se i përdorin në bazë të recetave ndërsa kjo gjë ndiqej vetëm nga 66% e meshkujve. Shumë prej pjesëmarrësve në studim e lidhnin përdorimin e medikamentit drejtpërdrejt me infeksionet dhe dëmtimet e lëkurës.

Të dhënat

Në përgjithësi, 61% e pjesëmarrësve u përgjigjën se antibiotikët duhet të merren sipas udhëzimeve. Këtë gjë e pohon gjatë një interviste edhe Desdemona Bregu, farmaciste në një prej pikave të lagjes Yzberisht. Sipas saj, pjesa dërrmuese e personave që vijnë janë të pajisur me receta nga mjeku. Në anën tjetër studimi tregon se rreth 33% kanë raportuar se mund ta ndalojnë marrjen e tyre kur fillojnë të ndihen më mirë. Ekzistonte një lidhje pozitive e njohurive të sakta në lidhje me përdorimin e antibiotikëve me moshën e vjetër, nivelin e lartë arsimor dhe vendbanimin urban. Bregu shprehet se jo të gjithë janë të informuar mbi këtë çështje dhe se është detyra e farmacistëve të informojnë mbi këtë pjesë. “Disa janë në dijeni por kjo nuk përbën shumicën edhe nëse nuk janë e marrin lajmërimin nga ne sepse kjo është detyra jonë. Detyra e farmacistëve është t’i vendosë në dijeni dhe jo të vazhdojë t’ju japë”, është shprehur ajo.

Shumica e të anketuarve kanë identifikuar në mënyrë korrekte infeksionet e lëkurës apo plagët si dëmtime të cilat mund të trajtohen me antibiotikë. Nuk mungojnë rastet kur edhe pa udhëzimet e mjekut shumë prej tyre u drejtohen farmacive. Farmacistja thotë se në një rast të tillë ajo vlerëson dëmtimin apo infeksionin dhe nëse është diçka e lehtë mund të japë pomada por në të kundërt i drejton personat te mjeku. 61% e të anketuarve e kanë identifikuar saktë gonorrenë si gjendje e cila mund të shërohet nga antibiotikët, çka tregon mungesën e njohurive nga ana e tyre. Rreziku i përdorimit pa udhëzimin e mjekut fsheh gjithashtu edhe rrezikun e shfaqjes së alergjive. “Antibiotikët shfaqin shenja të alergjive të dukshme dhe për këtë nuk mund të jepen pa recetën e mjekut. Është e vështirë të dallohet nëse personi ka alergji nga antibiotikët dhe duhet ekzaminimi i mjekut për këtë. Në momentin që bëhet ekzaminimi nga mjeku ai vendoset në dijeni për alergjinë ndaj dhe nuk mund të jepen antibiotikët pa recetën përkatëse” ka përfunduar Bregu.

Në anën tjetër, një pjesë e konsiderueshme e pjesëmarrësve i konsideruan gabimisht gjendjet virale si të patrajtueshme me antibiotikë kur në fakt ato mund të trajtohen. 73% e individëve përcaktuan gabimisht dëmtimet e fytit si gjendje, të cilat mund të trajtohen me antibiotikë. Për më tepër, 69% e pjesëmarrësve deklaruan se ftohjet e zakonshme dhe gripi duhet të trajtohen me antibiotikë. Gjithashtu, 41% dhe 34% e individëve konsideruan si të përshtatshme përdorimin e antibiotikëve për dhimbjet e përgjithshme të trupit. Në përgjithësi pjesëmarrësit e rinj, ata me arsimim më të ulët dhe të anketuarit nga zonat suburbane dhe rurale kishin një nivel më të ulët të njohurive në lidhje me sëmundjet që duhet të trajtohen me antibiotikë.

Njohuritë mbi rezistencën ndaj antibiotikëve

Në përgjithësi, 67% e pjesëmarrësve kishin dëgjuar për rezistencën ndaj antibiotikëve; 63% kishin dëgjuar për rezistencën ndaj drogës; 59% kishin dëgjuar për bakteret rezistente ndaj antibiotikëve; dhe 46% kishin dëgjuar për rezistencën “antimikrobiale”. Vetëm 39% kishin dëgjuar për superbugs (bakterin që po shfaq rezistencë ndaj antibiotikëve), ndërsa 21% e individëve të përfshirë në këtë studim nuk kishin dëgjuar asnjë nga termat e lartpërmendur. Një përqindje shumë e ulët e pjesëmarrësve të rinj, ata me arsimim më të ulët dhe të anketuarit nga zonat suburbane dhe rurale kishin dëgjuar në lidhje me termat e lartpërmendur, të cilët kanë të bëjnë me rezistencës ndaj antibiotikëve.

Mjekët dhe infermierët përbënin burimin më të shpeshtë të informacionit rreth rezistencës ndaj antibiotikëve ndjekur nga mediat ku bënin pjesë, TV, radio apo gazeta. Këto dy burime janë ndjekur nga familja ose miqtë dhe në fund të listës qëndronin farmacistët. Sipas shefes së Departamentit të Promocionit Shëndetësor ky studim mund të ndihmojnë profesionistët shëndetësorë, politikëbërësit dhe vendimmarrësit në Shqipëri të dizenjojnë strategji dhe ndërhyrje të përshtatshme dhe kost-efektive për kontrollin dhe parandalimin e antibiotiko-rezistencës në popullatën e përgjithshme. Në krahasim me vendet e tjera të rajonit Shqipëria rezulton të ketë një prevalencë më të lartë të përdorimit të antibiotikëve gjatë muajit të fundit ku nëse marrim raportin me Serbinë raportet qëndrojnë (31% vs 19%). “Krahasuar me vlerat mesatare nga 12 vendet e përfshira në studim, në Shqipëri kishte një nivel më të lartë të keqkuptimit mbi shumë aspekte të antibiotiko-rezistencës, një çështje kjo e cila ngre shqetësime serioze”, -tha Qirjako.

Punoi: Inva Hasanaliaj


Viewing all articles
Browse latest Browse all 2522

Trending Articles