Babai i 16-vjeçares Kostandina Anagnosti, që ndërroi jetë në spitalin e Sarandës më 15 nëntor të vitit të shkuar, akuzon katër ekspertë të Mjekësisë Ligjore për heqjen dhe zhdukjen e organeve të vajzës së tij me qëllim fshehjen e shkakut të vërtetë të vdekjes. Raporti i autopsisë në Greqi konfirmon se vajzës i janë hequr disa organe, duke e bërë të pamundur përcaktimin e shkakut të vdekjes.
Një vit pas vdekjes së 16-vjeçares Kostandina Anagnosti në spitalin e qytetit të Sarandës, babai i saj nuk është ende i bindur se shkaku i vdekjes së të bijës është hemorragjia cerebrale, sikundër shprehen ekspertët mjekoligjorë.
Disa dokumente të autoriteteve greke hedhin dyshime të forta jo vetëm për shkakun e vdekjes së 16-vjeçares, por edhe për zhdukjen e organeve të saj, çka e bën të pamundur përcaktimin e shkakut të vdekjes.
Dokumentet i janë përcjellë edhe Mjekësisë Ligjore në Tiranë, pasi katër mjekë të saj janë vënë nën akuzë. Mjekët Sh. E., Z. I., A. S. dhe F. H., akuzohen për shpërdorim detyre, dhunim kufome, akt-ekspertim i rremë dhe fshehje e provave.
Kallëzimi penal ndaj tyre tashmë është depozituar në Prokurorinë e Tiranës, ku argumentohet përgjegjësia e tyre jo vetëm në shkakun e rremë të vdekjes, por edhe në zhdukjen e disa organeve, që sipas mjekëve grekë e bëjnë të pamundur përcaktimin e shkakut të vdekjes së 16-vjeçares.
Kalvari i babait të vajzës nis më 15 nëntor të vitit 2014, kur në spitalin e Sarandës ka vdekur në rrethana misterioze vajza e tij, Kostandina Anagnosti, e lindur në Greqi.
Pas divorcit të prindërve, sipas kallëzimit, vajza është dërguar në shtëpinë e fëmijës nga nëna e saj, pa marrë miratimin e babait. Më 14 nëntor vajza ka kaluar pikën doganore mes Shqipërisë dhe Greqisë, e shoqëruar nga personi i quajtur Spiro Papa.
Të nesërmen vajza ka shkuar në parukeri, më pas te dentisti dhe është nisur me të njëjtin person drejt Janinës në Greqi.
Rreth 3.5 km larg klinikës, vajza ka humbur ndjenjat dhe është dërguar prej taksistit në spital, ku ka ndërruar jetë. Por babai pretendon se vajza ka mbërritur e vdekur në spitalin e Sarandës dhe ajo ka vdekur në një klinikë private të këtij qyteti, ku është dërguar për të abortuar.
Pretendimet e tij bazohen në të dhënat e mbledhura deri tani.
Sipas procesverbalit të këqyrjes së kufomës nga mjeku, thuhet se në anën e pasme të qafës, në të djathtë, vihen re dërmishtje në ngjyrë të kuqe, me gjatësi 7 dhe gjerësi tre centimetra. Ndërsa në anën e majtë, vihen re dërmishtje të çrregullta me përmasa 2×2 centimetra. Gjithashtu, në sytë e viktimës sklerat e syrit janë të bardha.
“Kjo lë të dyshohet se shkaku i vdekjes nuk mund të jetë ai që deklarohet nga mjekët, pra, nuk mund të jetë hemorragjia cerebrale. Në krahun e djathtë i është gjetur një age fleksibël, që është e lidhur me elikoplast”, thuhet në kallëzim.
Më datën 16 nëntor të vitit 2014, pas vdekjes është kryer akti i ekspertimit me numër 513, nga eksperti E. Sh, i IML-së, i cili ka arritur në konkluzionin se “vdekja ka ardhur si rezultat i arrestit kardiak, ndalimit të punës së zemrës në terren të hemorragjisë difuze, të shprehur poshtë cipave të trurit, në brendësi të trurit dhe edemës së trurit”.
Më 02.2.2015 është kërkuar riekspertimi nga mjekët, Z. I., A. S. dhe F. H., të cilët kanë kryer aktin e ekspertimit me numër 510, vetëm duke u bazuar në dokumentacionin e ndodhur në fashikullin e prokurorisë dhe materialeve të vëna në dispozicion të tyre.
Sipas tre ekspertëve, nga ekzaminimi mikroskopik i mitrës nuk u konstatua hemorragji, por konçestion i vazave të gjakut.
“Lindin dyshimet lidhur me aktin e ekspertimin, pasi mitra dhe truri nuk gjendeshin, pasi janë zhdukur qysh më parë në mënyrë misterioze”, thuhet në kallëzim.
Këto të dhëna konfirmohen nga autoritetet greke, pasi babai i vajzës, përpara varrimit të saj ka kërkuar kryerjen e autopsisë në spitalin e Janinës. Ky ekspertim u bë nga mjeku ligjor grek, Theodhori Vujukllaqis, më 17 nëntor të vitit 2014, me urdhër të Nëndrejtorisë së Sigurisë në Janinë.
“Sipas ekspertit grek, shkaku i vdekjes është i papërcaktuar për arsye të heqjes së organeve bazë nga autopsitë e mëparshme. Sipas tij, nuk u gjendën truri, truri i vogël, laringu, trakeja, bronket, ezofagu, stomaku, mbiveshkorja e majtë, organet gjenitale të brendshme dhe pothuajse më shumë se gjysma e zemrës”, thuhet në akt-ekspertimin e mjekut grek.
Por dyshimet shtohen edhe më shumë, pasi mjekët grekë kanë konstatuar lidokainë me përqendrim mjaft të lartë në kampionet e lëngjeve biologjike.
“Kjo lë për të dyshuar se në trupin e vajzës, përpara vdekjes janë kryer injeksione me anestezi, si lidokainë. Nga kjo dyshohet se vajza ka qenë shtatzënë dhe ka kryer një abort të sforcuar në një nga klinikat. Pra, shkaku nuk është ai që kanë deklaruar ekspertët që kanë përpiluar të dyja akt-ekspertizat”, thuhet në kallëzimin penal.
Lidhur me këto konkluzione të ekspertëve grekë, babai i vajzës bën përgjegjës mjekët shqiptarë, të cilët i akuzon për heqjen e organeve të së bijës me qëllim fshehjen e shkakut të vërtetë të vdekjes.
Shoqata e Avokatëve Antikorrupsion që ka marrë përsipër ndjekjen e rastit në kallëzimin e dërguar në Prokurorinë e Tiranës, akuzon mjekët për akt-ekspertim të rremë dhe fshehje të provave duke hequr organet e 16-vjeçares.
Historia e 16-vjeçares, mjekët: Vajza vdiq nga hemorragjia cerebrale
Vdekja e 16-vjeçares Kostandina Anagnosti u pasua me një hetim të Prokurorisë Sarandë, e cila përveç akt-ekspertimit të parë, të kryer një ditë pas vdekjes së vajzës, ka urdhëruar edhe një tjetër akt-ekspertim në shkurt të këtij viti.
Aktualisht, hetimet për këtë çështje janë pezulluar në pritje të rezultateve të autopsisë dhe ekspertimit nga spitali i Janinës. Këto të dhëna mësohet se kanë mbërritur ditët e fundit, çka mund të përbëjë shkak për rihapjen e hetimeve.
Megjithatë, Prokuroria e Sarandës është bazuar në akt-ekspertimet e mjekëve të Mjekësisë Ligjore në Tiranë, të cilat bien në kundërshtim me akt-ekspertimet e kryera në Greqi.
Nga hetimet e deritanishme prokuroria ka mundur të ndërtojë edhe dinamikën e ditës së vdekjes së 16-vjeçares, e cila ka ardhur në Shqipëri pa autorizimin e prindërve, pasi personi që e shoqëronte nuk ka pasur prokurë të asnjërit prej prindërve të vajzës.
Nga deklarimet e Spiro Papës, mësohet se vajza ka kaluar kufirin në datën 14.11.2014 dhe ka shkuar te gjyshja e saj në fshatin Dermish, të Sarandës.
“Spiro Papa mori vajzën gjatë paradites së datës 15 nëntor, në orën 11:00, nga fshati Dermish dhe u nis për në Sarandë. Rreth orës 11:20, Spirua e ka dërguar vajzën te floktorja ose parukeria që të priste flokët, e cila ndodhet në rrugën e tretë pranë gjykatës. Pasi ka rregulluar flokët, vajza largohet nga parukeria në orën 11:50. Ndërsa në orën 12:00 shkoi te dentisti, i cili ndodhet përballë spitalit të Sarandës”, thuhet në dosjen e Prokurorisë së Sarandës.
Vajza ka ndërruar vetëm llastiqet e aparatit të dhëmbëve te dentistja dhe rreth orës 12:30, e shoqëruar nga shtetasi Spiro Papa, u nis në drejtim të Janinës, në Greqi, pa ndaluar askund.
Por rreth 3.5 kilometra larg nga klinika e dentistit, në fshatin Metoq, sipas deklaratës së Spiro Papës dhe sipas policisë, vajza humbi ndjenjat dhe nuk u përmend më. Spiro Papa deklaron se vajza pati dridhje në trup dhe menjëherë humbi ndjenjat.
Prandaj, sipas tij, ata u kthyen menjëherë për në urgjencën e spitalit të Sarandës. Pas mbërritjes në spital, vajza ishte e pajetë dhe vdekja e saj u konfirmua sipas kartelës klinike me numër 11717, e vitit 2014. Kjo u kartelë mban nënshkrimin e mjekut Th. Çavo.
Ndërsa dentistja që e mjekoi pak më parë, ka deklaruar se vajza është larguar nga klinika dentare në orën 12:30, të datës 15 nëntor 2014. Por edhe dinamika e datës 15 nëntor 2014 kundërshtohet nga babai i vajzës, i cili ngre dyshime për vonesën kohore, sepse distanca nga vendi i ngjarjes deri në spital është vetëm 3.5 kilometra,
“Pra, kanë lindur dyshimet për vdekjen e saj, për arsye se koha prej tri orësh për të përshkruar 3.5 kilometra, nuk justifikon veprimin”, thuhet në kallëzimin penal.
Mjekët grekë: U ndryshuan kampionet e organeve
Instituti Mjekoligjor i Janinës ka kërkuar nëpërmjet ambasadës greke t’i vihen në dispozicion provat për të dalë në konkluzion të saktë lidhur me shkakun e vdekjes së 16-vjeçares.
Nga Instituti Shqiptar i Mjekësisë Ligjore janë vënë në dispozicion kampione të gjakut dhe pjesë të organeve.
Meqenëse ekspertët grekë nuk kanë arritur në konkluzionin për të bërë ekzaminimin e këtyre kampioneve të ardhura nga Shqipëria, pasi këto kampione janë dëmtuar deri në degradim, dyshimet e Institutit të Mjekësisë Ligjore të Janinës i kanë detyruar ata të kërkojnë bërjen e analizës së AND-së, me qëllim për të vërtetuar nëse kampionet e ardhura nga Shqipëria i përkasin viktimës Kostandina Anagnosti.
“Sipas ADN-së rezulton se kampionet e gjakut janë të njëjta. Si kampionet e Institutit Ligjor të Janinës, ashtu edhe ato të Institutit Shqiptar të Mjekësisë Ligjore. Ndërsa për pjesët e tjera të trupit, edhe organet e brendshme nuk rezultojnë të njëjta. Kjo do të thotë se veprimet e kryera nga ekspertët shqiptarë janë bërë me dashje, për të fshehur të vërtetën e ngjarjes së datës 15 nëntor 2014, ku humbi jetën e mitura Kostandina Anagnosti”, thuhet në kallëzimin penal.