Tri mënyra për të zbuluar kancerin në gji; një është mamografia, që e zbulon kancerin 2 vjet para se të bëhet i dukshëm; mënyra e dytë është vizita e rregullt te mjeku; dhe e treta nëpërmjet kontrollit të vetes, i lehtë për t’u kryer sipas rekomandimeve.
Balerinat, notaret dhe atletet duket se janë femrat më me fat, kanceri i gjirit tek to haset shumë rrallë. Më të prekurat nga kjo sëmundje rezultojnë intelektualet, gratë në karrierë dhe kryesisht femrat beqare. Nga ana tjetër edhe pse incidenca më e lartë është në grupmoshat 55-59 vjeç, vitet e fundit mjekët onkologë deklarojnë se ka rritje të rasteve me kancer gjiri edhe te moshat e reja nën 35 vjeç. “Ka shumë faktorë që akuzohen për këtë” – shpjegon Dhurata Tarifa, shefe e Kimioterapisë në Shërbimin e Onkologjisë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”-“por vonesat në martesa si rrjedhim dhe në lindje, lindjet e kufizuara, mosushqyerja me gji, përdorimi i kontraceptivëve të pakontrolluar, kufizimi i aktivitetit fizik, janë shkaqet kryesore për të cilat akuzohet sot zhvillimi i kancerit të gjirit te femrat”. Por a duhet të prisni të keni një shqetësim, dhimbje apo problem shëndetësor për të kryer kontrolle? Absolutisht jo! Veçanërisht për shëndetin vlen shprehja e Albert Ajnshtajnit, i cili ka thënë: “Nuk mund të parandalosh dhe të përgatitesh për luftë në të njëjtën kohë”. Ndaj gratë dhe vajzat nuk duhet të presin shenja patjetër që të kryejnë një kontroll mjekësor te një mjek onkolog. Doktoresha onkologe, Dhurata Tarifa shpjegon se: “diagnoza e hershme e kancerit të gjirit është shumë e lidhur me prognozën dhe mbijetesën e sëmundjes. Sa më i hershëm të jetë stadi i sëmundjes, aq më pak agresiv është dhe trajtimi, aq më e mirë është prognoza dhe mbijetesa”. Për ato vajza dhe gra të cilat janë diagnostikuar me këtë sëmundje, ndjekja dhe trajtimi i sëmundjes bëhet periodikisht, sipas protokolleve të përcaktuara nga linjat guidë ndërkombëtare.
Tetori është muaji i sensibilizimit kundër kancerit të gjirit, por a mund të parandalohet?
Muaji Tetor është muaji i sensibilizimit të luftës kundër kancerit të gjirit. Në fakt lufta kundër kancerit të gjirit duhet të shtrihet gjatë gjithë vitit, por në muajin tetor i cili është bërë personifikim i kësaj lufte ndodh një masivizim i shprehur i grave, që paraqiten në strukturat mjekësore të dedikuara për diktimin e hershëm të sëmundjes. Këto struktura fillojnë që në shërbimin primar te mjeku i familjes i cili duhet të këtë njohuri jo vetëm të përgjithshme por edhe specifike rreth kancerit të gjirit. Në qoftë se ai nuk i ka këto, mund të çojë në një diagnozë të vonuar që pasohet nga një prognozë e pafavorshme. Struktura e dytë është onkologu i rrethit përkatës, i cili seleksionon rastet e dyshimta dhe i dërgon në strukturat terciare për diagnozë definitive.
Cilat janë shenjat që duhet të çojnë patjetër një grua drejt një vizite te mjeku onkolog?
Gruaja mund të paraqitet te mjeku edhe pa patur simptoma. Megjithatë shenja kryesore është konstatimi i një formacioni tredimensional në gji, i cili mund të mos ketë simptoma lokale ose të përgjithshme. Simptoma të jashtme që duhet të tërheqin vëmendjen janë ndryshimi në lëkurën dhe formën e gjirit, rrjedhje të sekrecioneve nga mamela apo edhe konstatimi i një limfonoduli në regjionin e sqetullës.
Cilat janë kategoritë më të rriskuara? Nisur nga rastet që ju keni ekzaminuar, a ka një trend të prekjes së moshave të reja, kam parasysh këtu moshën nën 50 vjeç?
Në vitet e fundit në vendin tonë, incidenca më e lartë është në grupmoshat 55-59 vjeç. Vëmë re një rritje të incidencës edhe në mosha të reja, që ne quajmë moshat nën 35 veç. Ka shume faktorë që akuzohen për këtë, përmendim vonesat në martesa si rrjedhim dhe në lindje, lindjet e kufizuara, mosushqyerja me gji, përdorimi i kontraceptivëve të pakontrolluar, kufizimi i aktivitetit fizik etj.
Flitet për shumë shkaqe dhe akuzohen shumë faktorë, predispozues për të shkaktuar këtë sëmundje, por a janë stresi, përkushtimi ndaj karrierës, lindjet e vona apo edhe beqaria faktorë predispozues?
Faktor kryesor akuzohet hormoni femëror estrogjeni. Sasia më kryesore e këtij hormoni buron nga vezoret. Në periudhën e shtatzënive ky hormon nuk prodhohet, si pasojë gruaja është më e mbrojtur nga ndikimi i këtij hormoni. Burim tjetër i hormonit estrogjen është indi dhjamor. Kjo i bën gratë obeze më të predispozuara. Kjo është arsyeja që grave iu rekomandohet aktivitet fizik dhe dieta me fibra. Janë pikërisht këto arsyet që incidenca është më e lartë te gratë e zonave urbane, tek ato intelektuale, te gratë në karrierë, të cilat shpesh e harrojnë aktivitetin fizik. Kanceri i gjirit haset shumë rrallë tek atletet, balerinat, notaret.
Në rast konstatimi të sëmundjes, si bëhet ndjekja e rasteve dhe a mund të vijojnë jetën normale, pas trajtimit të sëmundjes? Cilat janë aktivitetet dhe kujdesi që duhet treguar pas shërimit?
Diagnoza e hershme e kancerit të gjirit është shumë e lidhur me prognozën dhe mbijetesën e sëmundjes. Sa më i hershëm të jetë stadi i sëmundjes, aq më pak agresiv është dhe trajtimi, aq më e mirë është prognoza dhe mbijetesa e sëmundjes. Diagnoza përfundimtare përcaktohet nga biopsia dhe imunohistokimia, të cilat japin të dhëna të gradës së malinjitetit, por gjithashtu japin të dhëna shumë të rëndësishme të biologjisë tumorale, që do të thotë të faktorëve prognostikë, shumë të rëndësishëm në përcaktimin adekuat të protokollit të trajtimit medikamentoz. Protokolli përfundimtar i trajtimit të një pacienteje përcaktohet nga një staf multidisiplinar, që përbëhet nga morfologu, kirurgu, onkologu mjekësor, radioterapeuti dhe imazheristi. Pasi pacientët përfundojnë të gjitha modalitetet e përcaktuara nga stafi multidisiplinar, rekomandohet të bëjë ndjekjen periodike sipas protokolleve të përcaktuara nga linjat guidë ndërkombëtare.
Box :
Çfarë është kanceri i gjirit?
Kanceri i gjirit është një tumor që zhvillohet nga qelizat e vetë gjirit. Kanceri i gjirit është rritja dhe përhapja jashtë kontrollit e qelizave jo normale të indit të gjirit. Këto qeliza grumbullohen dhe formojnë një tumor i cili shtyp, përhapet dhe shkatërron indin normal të gjirit.
Shenjat
Ndryshime të gjirit: tumori, ndryshimi i madhësisë, pozicioni i formës së gjirit. Ndryshimet e lëkurës: gropëzime, fiksimi, ulcerimi, simptoma e kores së portokallit. Ndryshime të thithit: rrafshimi, futja brenda, spostimi, ulcerimi, sekrecionet. Masë aksilore (nën sqetull). Tumori është një simptomë mbizotërues dhe më i kapshëm nga vetë e sëmura. Ai preket prej tyre në 90% të rasteve, ndërsa në ekzaminimin fizik është i pranishëm në 98% të rasteve. Veçori dalluese e tij është fortësia, sipërfaqja e çrregullt, kufij jo të qartë dhe lëvizshmëri e kufizuar brenda gjirit. Zakonisht ai nuk dhemb në prekje.
Tri mënyra për ta hetuar
Ndërkohë që mjekët onkologë tregojnë se ka tri mënyra për të zbuluar kancerin në gji. Një është mamografia, që e zbulon kancerin 2 vjet para se të bëhet i dukshëm. Mënyra e dytë është vizita e rregullt te mjeku, dhe e treta nëpërmjet kontrollit të vetes, i lehtë për t’u kryer sipas rekomandimeve.
Këshilla për zvogëlimin e rrezikut:
- Mbani dhe ruani një peshë trupi të shëndetshme;
- Kryeni rregullisht aktivitet fizik;
- Konsumoni ushqime me yndyra të pakta;
- Konsumoni perime dhe fruta;
- Mos konsumoni alkool;
- Konsultohuni me mjekun për kontraceptivët;
- Mos pini duhan dhe eliminoni duhanpirjen pasive;
- Përdorni ushqyerjen me gji për fëmijën tuaj;
- Flisni me mjekun, për mundësinë e vlerësimit të rrezikut tuaj nga kanceri i gjirit.
Të dhënat
OBSH evidenton se kanceri i gjirit është i dyti, pas kancerit në mushkëri, që prek më shumë gratë. Para moshës 30 vjeç, probabiliteti për t’u prekur nga sëmundja është 1 në 2.200. Në moshën 30-40 vjeç gjasat janë 1 në 235, kurse mbi 60 vjeç rriten në 1 në 23 gra.