Ndër shenjat e para që një burrë kryesisht pas moshës 40 vjeç duhet ta shqetësojë për probleme me prostatën janë shtimi i frekuencës së urinimit, ulje e presionit të urinimit, ndërprerje e urinimit, shtrëngim për të filluar urinimin, urinim i shpeshtë gjatë natës etj.
Veçanërisht në lidhje me problemet me prostatën meshkujt nuk duhet të neglizhojnë dhe as të presin që dhembjet apo shqetësimet të kalojnë, pasi problemet me prostatën shfaqen në mosha të ndryshme, por zakonisht kanceri i prostatës dhe zmadhimi beninj i prostatës shfaqet te meshkujt pas moshës 40 vjeç. Ndër shenjat e para që një burrë kryesisht pas moshës 40 vjeç duhet ta shqetësojë për probleme me prostatën janë shtimi i frekuencës së urinimit, ulje e presionit të urinimit, ndërprerje e urinimit, shtrëngim për të filluar urinimin, urinim i shpeshtë gjatë natës etj. Por jo gjithmonë ka vend për alarm, pasi doktor Rezart Xhani, Mjek Urolog në Shërbimin e Urologjisë, QSUT, në një intervistë për “Mapo” shpjegon se sëmundjet e prostatës përgjithësisht mund të ndahen në: zmadhimi i prostatës (Hiperplazia beninje e prostatës, HBP), kanceri i prostatës dhe sindroma e dhimbjes prostatike apo infeksionet e prostatës (prostatiti akut dhe kronik). Mjeku urolog apelon për kontrolle dhe vë theksin te rëndësia e simptomave që shfaqin meshkujt e moshave të ndryshme, për të bërë diagnostikim e duhur.
Doktor mendohet se problemet me prostatën te meshkujt shfaqen pas moshës 40 vjeç. Çfarë është prostata dhe si mund të hetohen problemet?
Prostata është një gjëndër aksesore seksuale që gjendet në organizmin e meshkujve dhe që si funksion kryesor ka ndihmesën në funksionin e spermës dhe për pasojë fertilitetit. Gjatë ejakulacionit mendohet se prostata kontraktohet për të sekretuar 0.5 – 1.0 ml lëng, i cili i shtohet atij të ejakuluar. Ajo është e vendosur në zonën e bacinit, anteriorisht prostatës ndodhet simfiza pubike, posteriorisht ndahet nga rektumi nëpërmjet fascies denonvilliers, prapa dhe sipër saj është fshikëza e urinës, vezikulat seminale, duktuset deferente dhe ureterët. Kjo gjëndër është që në lindje te meshkujt, por problematika e saj fillon dhe jep shenja të dukshme klinike te meshkujt pas moshës 40-vjeçare (në rastin e kancerit të prostatës) dhe arrin pikun në moshën 65−75-vjeçare.
Lidhur me këto probleme që ju thatë, cilat janë analizat dhe testet që i zbulojnë?
Në rastin e zmadhimit beninj të prostatës (HBP), shkaku nuk dihet saktësisht por ka spekulime të shumta mbi çrregullimin e ekuilibrit midis estrogjeneve dhe androgjenëve. Këto janë parë në studime eksperimentale me kafshë por jo në njerëz. Vetëm 1 në 10 njerëz shfaqin bllokim të urinimit për shkak të HBP dhe kërkojnë trajtim për këtë. Madhësia e prostatës nuk ka rëndësi sepse prostata më madhësi të vogël shkaktojnë bllokim të rëndë dhe prostata me madhësi të madhe nuk shkaktojnë. Ngushtimi i lumenit të uretrës prostatike është problemi kryesor.
Në rastin e kancerit të prostatës studimet epidemiologjike kanë treguar fakte të qarta për predispozicion gjenetik, kjo është e bazuar në historinë familjare dhe raciale/etnike. Është e pavërtetë që faktorë si dieta, sjellja seksuale, konsumimi i alkoolit, ekspozimi ndaj rrezatimit ultraviolet, inflamacioni kronik, si edhe ekspozimi ndaj ndotësve ambientalë, ndikon në shfaqjen e kancerit të prostatës, por ato mund të ndikojnë në zhvillimin e një kanceri nga latent (në gjumë) te një kancer që shfaqet klinikisht.
Sindromi i dhimbjes prostatike
Dhimbjet kronike në regjionin e prostatës në 90% të rasteve janë abakteriale (pra nuk kemi ndonjë infeksion të pranishëm) dhe vetëm në 10% të tyre kemi një infeksion. Sindroma e dhimbjes prostatike është shfaqja e përsëritur apo vazhdimi i një episodi dhimbjeje gjatë 3 apo 6 muajve të kaluar. Nuk kemi infeksion të vërtetuar apo ndonjë patologji tjetër lokalisht. Sindromi i dhimbjes prostatike zakonisht shoqërohet me sjellje seksuale negative apo me lëkundje emocionale, po ashtu kemi edhe shfaqjen e tablosë së simptomave të traktit të poshtëm urinar (LUTS) dhe çrregullime të funksionit seksual.
Shenjat
Dhimbja është simptoma kryesore e sindromës së dhimbjes prostatike. Asnjë faktor etiologjik nuk është gjetur deri tani për këtë dhimbje. Një shpjegim është që kjo sindromë shfaqet te meshkujt e predispozuar ndaj ekspozimit të një apo më shumë faktorëve shpërthyes, të cilët mund të jenë: të vetëm, të përsëritur apo të vazhdueshëm. Disa nga faktorët e propozuar janë: infeksionet gjenetike, anotomike, neuro-muskulare, endokrine, imune (duke përfshirë ato auto-imune) apo mekanizma psikologjike. Këta faktorë mund të çojnë në një gjendje inflamatore apo dëmtimi neurologjik periferik, duke krijuar një dhimbje akute e më pas kronike. Ka gjithmonë e më shumë të dhëna për një origjinë neuropatike dhe lidhjeje me ndryshime të sistemit nervor qendror në dhimbjen prostatike.
Cilët janë shkaktarët që ndikojnë dhe a mund të parandalohen?
Ka vetëm informacione të pakta në prevalencën e Sindromit të dhimbjes prostatike (PPS) në popullatën e përgjithshme. Kjo edhe si pasojë e mbivendosjes të simptomave të patologjive të tjera si p.sh. Hiperplazia beninje e prostatës. Rreziku i prostatit rritet me moshën, burrat nga 50 – 59 vjeç kanë 3,1 herë më shumë rrezik se ata të moshës 20 – 39 vjeç. Ka një ndryshim të madh në trajtimin e kësaj sindrome nëpër seritë e publikuara, kjo vjen si rezultat i origjinës multifaktoriale të PPS. Një strategji për të përmirësuar efektin e trajtimit në këta pacientë është trajtimi sipas ndarjes fenotipike të tyre, kjo për shkak se është parë nëpër seritë e botuara se dështimi i trajtimit mund të jetë heterogjeniciteti i popullatës së pacientëve. Alfa-bllokuesit, si p.sh. terazosin, doxazosin, tamsulosin dhe silodosinë kanë dhënë rezultate pozitive në përmirësimin e simptomave. Studimet tregojnë se ato përmirësojnë në mënyrë sinjifikative dhimbjen dhe zbrazjen e vezikës urinare. Terapia empirike me antibiotikë përdoret gjerësisht për shkak se disa pacientë janë përmirësuar. Ata pacientë që përgjigjen ndaj terapisë duhen mbajtur nën antibiotikë për 4-6 javë apo më shumë. Fatkeqësisht, urokultura, leukocitet dhe statusi i antitrupave në mostrat prostatë-specifike nuk mund të parashikojnë pacientët me PPS, të cilët do përgjigjen ndaj antibiotikëve. Biopsitë e prostatës te pacientët me PPS nuk ndryshojnë nga ata me një prostatë të shëndetshme. I vetmi studim i randomizuar me cilësi të lartë është bërë për përdorimin oral të ciprofloxacinës (6 javë), levofloxacinë (6 javë) dhe hidroklor-tetraciklinë (12 javë). Ky studim ka treguar një ulje të simptomave, siç është dhimbja apo zbrazja e vezikës në krahasim me grupin placebo. Terapia e kombinuar me alfa-bllokues dhe antibotikë ka dhënë akoma më shumë rezultat në përmirësimin e këtyre simptomave. Medikamentet anti-inflamatore kanë treguar se në 80% të rasteve kanë patur më shumë përmirësim të simptomave se ato placebo.
Zmadhimi beninj i prostatës ndodh në moshën mbi 40 vjeç, ku shfaqen për herë të parë noduset hiperplazike në zonën tranzicionale të saj. Tre janë faktorët që shkaktojnë bllokim: a) muskujt e lëmuar përreth qafës së vezikës urinare, të cilët nuk kontraktohen kur muskuli detrusor kontraktohet; b) adenoma, e cila bllokon lumenin; dhe c) insuficienca e muskulit detrusor (muskuli i vezikës urinare). Komplikacionet e këtij bllokimi janë humbja e aftësisë kontraktuese të muskulit të vezikës urinare, si edhe formimi i divertikujve, infeksionet e herëpashershme apo formimi i gurëve si pasojë e moszbrazjes së vezikës urinare dhe së fundi, uropatia obstruktive, që është humbja e funksionit renal, i cili çon në uremi. Diagnoza vendoset me anë të marrjes së simptomave që referon pacienti, si p.sh. moszbrazje e plotë pas urinimit, shtimi i frekuencës së urinimit, ulje e presionit të urinimit, ndërprerje e urinimit, shtrëngim për të filluar urinimin, urinim i shpeshtë gjatë natës. Ndonjëherë mund të dallojmë një bllokim urinar kur pacienti ka dhimbje supra-pubike dhe në ekzaminimin klinik (sidomos te personat e dobët) dallojmë glob vezikal (vezika e mbimbushur me urinë). Tjetër ekzaminim është ai i uroflowmetrisë, i cili mat presionin e urinimit, ekografia abdominale për matjen e urinës reziduale (mbetëse), ekografia transrektale për të matur volumin e saktë të prostatës. Duhet patur kujdes të dallojmë zmadhimin beninj të prostatës nga sëmundje të tjera, si p.sh. kanceri i prostatës (në prekjen digitale rektale prostata në rastin e zmadhimit e ka konsistencën e butë), ngushtimi i uretrës (kanalit të jashtëm të urinës), neuropatia, poliuria, depresioni.
Si mbahet nën kontroll problemi, çfarë trajtimi këshilloni për zmadhimin e prostatës?
– Taktika prit dhe shiko p.sh. te burrat e vjetër, të cilët kanë irritim të prostatës për një ose dy vjet dhe që më pas bëhen mirë pa marrë asnjë trajtim, në këtë rast pacienti ngrihet një ose dy herë natën, presioni i urinës është i mirë dhe nuk ka urinë mbetëse të rëndësishme pas urinimit.
– Medikamentet si p.sh. alfa-bllokuesit kur prostata është e vogël dhe simptomat dominohen nga shpeshtësia e urinimit, këtu mund të përmendim Tamsulosinen, Alfuzosinen etj. Bllokuesit e 5 alfa-reduktazës, si p.sh. Finasteride, i cili shkakton një “rrudhje” të prostatës, duke çuar kështu në një përmirësim të simptomave. Të dy klasat e medikamenteve mund të merren së bashku për 3-9 muaj për të dhënë një rezultat të shpejtë, derisa të vendoset se kush nga medikamentet të vazhdojë i vetëm.
– Kirurgjia e hapur (me bisturi) përdoret në pacientët, të cilët kanë indikacion për kirurgji dhe prostata është më > 80 – 100 gramë, TUR-p (rezeksioni transuretral i prostatës) te pacientët me volum prostate < 80 gramë. Komplikacionet janë struktura në 3% të meshkujve, ejakulacioni retrograd i spermës për shkak të heqjes së qafës së vezikës urinare, impotenca në 10 – 15% të meshkujve. Pas operacionit pacientët kanë një kateter urinar për disa ditë dhe pacienti del nga spitali pas 5 – 7 ditësh.