Ndërkohë që Kryeministri Edi Rama inaguroi ditën e sotme Qendrën Kombëtare të Urgjencave Mjekësore së bashku me Ministrin e Shëndetësisë Ilir Beqaj, shërbimi i urgjencës në Rrogozhinë, është krejt ndryshe nga qendra që Rama inaguroi sot.
Një kronikë e “ABC News”, ka zbuluar ditën e sotme kushtet e ambulancës së kësaj urgjence.
Shoferi tregon se nuk është vetëm shofer, por edhe mjek apo infermier. Ai tregon se si ndihmon pacientët, duke i pyetur për sasinë e oksigjenit që duan, pasi ai vetë nuk e ka të qartë.
Kjo ambulancë është prodhim i vitit 1980 dhe funksionon në Urgjencën e Rrogozhinës që prej vitit 1993. Sirena e sipërme sinjalizuese është e thyer, krevati për pacientët i grisur dhe serumi qëndron i varur në një ganxhë hekuri të sajuar nga vetë shoferi i ambulancës.
Për qytetarët, këto dy ambulanca janë “barrake kafshësh” apo “qerre”.
Drejtori i kësaj urgjence është shprehur se i ka kërkuar dhe Ministrit të Shëndetësisë, autoambulanca të reja të cilat Ministri ja ka premtuar, por nuk kanë ardhur ende.
Ministri Beqaj tha se Qendra e re Kombëtare e Urgjencave Mjekësore do të mundësojë shërbim më të shpejtë dhe të kontrolluar të autoambulancave ndaj vendeve që thirren.
Kryeministri Rama tha se me trurin e instaluar elektronik, do të marren thirrjet në kohë reale nga i gjithë vendi dhe do të komandohen e koordinohen lëvizjet. Rama shtoi se tani Shqipëria ka dyfishin e ambulancave, por duket se ka harruar ambulancat e Urgjencës së Rrogozhinës./ABC News/