Quantcast
Channel: Shëndeti – Gazeta Mapo
Viewing all articles
Browse latest Browse all 2522

Marrja e frymës te të sëmurët me zemër, shkaqet dhe si trajtohet

$
0
0

Kardiologia Teferiçi këshillon që të sëmurët kardiakë të bëjnë kontrolle të vazhdueshme, qoftë për mbajtjen nën kontroll të tensionit, teksa apelon që të tregojnë kujdes maksimal gjatë virozave të stinës sepse viruset dëmtojnë zemrën duke shkaktuar rrezik për probleme të vazhdueshme, nga shfaqja e problemeve të lehta e deri te situata fatale për jetën

Marrja e frymës është një ndër ankesat kryesore te pacientët që janë të diagnostikuar me sëmundje kardiake, por ka edhe raste që personi nuk e di që të jetë i sëmurë me zemër dhe marrja e frymës është një nga shenjat e para që e bën këtë person të drejtohet te mjeku, nga ku zbulon sëmundje kardiake të cilat kanë çuar në shfaqjen e marrjes së frymës. Zakonisht marrja e frymës që ka shkak zemrën fillon natën, në pozicion shtrirë, madje mund t’ju zgjojë edhe nga gjumi me një “uri” të tmerrshme për oksigjen, ajër. Në një intervistë për gazetën MAPO, doktoreshë Daniela Teferiçi, D. Sh. M., Kardiologe pranë Shërbimit të Kardiologjisë, Klinika II, në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, sqaron se kjo është një shenjë paralajmëruese për një problem shëndetësor, i cili kërkon ndihmë mjekësore urgjente. “Është një situatë emergjente e cila trajtohet me oksigjeno terapi, dhe diuretike ( lasix) intravenoz. Ndërkohë mjekohet edhe shkaku, i cili ka çuar në shfaqjen apo përkeqësimin e insuficiencës kardiake. Sepse insuficienca kardiake është një patologji që ka acarimet dhe qetësit e veta. Sadopak prishet ky ekuilibër atëherë ndodh çekuilibri i situatës, që shfaqet me këtë gjendje urgjence. Për këtë është e rëndësishme që menjëherë sapo del nga situata emergjente atëherë synohet mjekimi i shkakut”-shpjegon mjekia kardiologë Teferiçi.

Cilat janë shkaqet e marrjes së frymës që kanë lidhje me zemrën?

Marrja e frymës është një ndër ankesat kryesore te pacientët që janë të diagnostikuar me sëmundje kardiake, por ka edhe raste që personi nuk e di që të jetë i sëmurë me zemër dhe marrja e frymës është një nga simptomat e para që e bën këtë person të drejtohet te mjeku dhe zbulohen sëmundje kardiake të cilat kanë çuar në shfaqjen e kësaj simptome, pra të marrjes së frymës. Për të dalluar marrjen e frymës që vjen nga insuficienca kardiake, shumë vite më parë, u përdor termi astma kardiake për ta diferencuar nga astma bronkiale. Marrja e frymës është nga sëmundje kardiake, astma bronkiale është nga sëmundjet pulmonare.

Çfarë karakteristike ka astma kardiake?

Karakteristika kryesore e astmës kardiake, marrja e frymës, në të shumtën e rasteve fillon natën, në pozicion shtrirë. Gjithmonë marrja e frymës që ka shkak zemrën keqësohet kur shtrihet dhe lehtësohet në pozicion ngritur. Keqësohet natën, madje mund të kenë bërë disa orë gjumë dhe i zgjon nga gjumi me një “uri” të tmerrshme për oksigjen, me marrje fryme, me djersë profuze dhe pacienti ngrihet në mënyrë të menjëhershme dhe mundohet të dalë diku ku ka oksigjen, ku ka ajër. Ndodh natën sepse natën në pozicion shtrirë është më i madh kthimi venoz, gjaku kthehet në anën e djathtë të zemrës dhe më pas shkon në mushkri. Pra, shtohet sasia e gjakut që shkon në zemër dhe mushkri. Në një zemër e cila vuan, pra që ka dobësim të muskulit dhe që nuk është e aftë të hedhë sasinë e duhur të gjakut atëherë ky gjak pellgëzohet në dhomat e zemrës dhe më pas pellgëzohet në mushkëri. Duke u rritur shumë presioni i gjakut në mushkëri, atëherë rritet kalueshmëria e enëve të vogla gjakut që ushqejnë mushkëritë dhe bronket, dhe ky gjak del jashtë këtyre mureve duke u shfaqur ajo që ne në gjuhën mjekësore e quajmë edemë pulmonare. Që është një urgjencë imediate dhe personi menjëherë duhet të shkojë në qendrën më të afërt spitalore për të marrë ndihmën mjekësore.

Cilat janë shkaqet që çojnë në pamjaftueshmërinë e zemrës (insuficiencën kardiake)?

Ka shumë shkaqe të cilat dëmtojnë muskulin e zemrës: një nga shkaqet janë sëmundjet valvulare, (stenoza mitrale, stenoza e aortës apo insuficienca mitrale, apo insuficienca e aortës). Pra, janë patologjitë valvulare, mitrale dhe aortale. Shkak tjetër është hipertensioni. Pra, në një krizë hipertensive personi, pacienti mund të bëjë dispne, marrje fryme deri në edemë pulmonare akute. Pra, shpeshherë ne kemi njerëz të cilëve në pamje të parë muskuli iu pompon mirë, por në krizë hipertensive, kur rriten shumë vlerat e tensionit atëherë ky muskul vuan sepse nuk është elastik siç është zemra e një personi që nuk vuan nga hipertensioni, por është i ngurtë. Një muskul i ngurtë bën rritje të menjëhershme të presioneve brenda në zemër dhe më tej në mushkri, duke shkaktuar astmën kardiake, marrjen e frymës dhe stad më të avancuar që është edema pulmonare akute.

Shkak tjetër është infarkti i miokardit. Dhimbja e infarktit të miokardit është shumë, shumë e fortë, është urgjencë mjekësore, dhimbje e fortë që qetësohet vetëm nga drogat morfinë, petidinë. Ka persona të cilët nuk kanë fare dhimbje por shenja e parë është marrja e frymës deri tek edema pulmonare akute.

Çfarë është edema pulmonare akute?

Është një mungesë ekstreme oksigjeni, personi ka kollë, fillon shkumë nga goja, nxirja e buzëve dhe menjëherë ky person shkon në spital për të marrë ndihmën e parë. Te një person i cili nuk ka pasur probleme të mëparshme, ekzaminohet për të parë se cili është shkaku i kësaj marrjeje fryme. Dhe shpeshherë ne shohim se ky person ka pësuar infarkt. Pra, shenja e parë e infarktit akut të miokardit është shprehur me marrje fryme. Pati shumë raste të prekjes së muskulit të zemrës nga virusi dhe miokarditi çoi në insuficiencë kardiake, nga format më të lehta, deri te format më fulminante që kanë përfunduar edhe me vdekje.

Cilat janë shenjat që të kuptojmë se po kalojmë një astmë kardiake?

Marrja e frymës që shoqërohet me kollë të fortë që keqësohet kur personi është në pozicion shtrirë dhe lehtësohet disi kur ngrihet në këmbë. Personat kronikë që vuajnë nga insuficienca kardiake në përgjithësi kërkojnë jastëkun ta kenë pak të ngritur, sepse iu lehtësohet marrja e frymës, në faza më të avancuara mbajnë krevatin gjysmë të ngritur. Marrje fryme, kollë, djersë dhe në edemën pulmonare kanë edhe shkumë nga goja, nxirje buzësh. Është një situatë ku trajtohet urgjenca me oksigjeno terapi, sepse thamë që është urgjencë mjekësore, menjëherë dhe jepet për të lehtësuar simptomat, marrjen e frymës, jepet lasix intravenoz për të dalë nga situata emergjente dhe oksigjeno terapia.

Ndërkohë mjekohet zbulohet edhe shkaku, cila ka qenë situata që ka përkeqësuar insuficiencën kardiake. Sepse insuficienca kardiake është një patologji që ka acarimet dhe qetësit e veta. Sado pak prishet ky ekuilibër atëherë ndodh çekuilibri i situatës, që shfaqet me këtë gjendje urgjence. Për këtë është e rëndësishme që menjëherë sapo del nga situata emergjente atëherë synohet mjekimi i shkakut, parandalimi sekondar i përkeqësimit të situatës duke mjekuar shkakun që ka çuar në këtë problem; pra duke mjekuar tensionin, infarkti sigurisht është një gjendje akute që do të marrë gjithë mjekimin e duhur, apo trajtimin e sëmundjeve valvulare që zakonisht janë me kirurgji, miokarditi ka trajtimin e vet medikamentoz.

Ju thatë që një ndër shkaqet që sjell insuficiencë kardiake janë edhe virozat. Si ndikojnë ato?

Viroza që ishte në muajt që në fillim të muajt nëntor e deri në shkurt, virusi që qarkulloi gjatë asaj periudhe preku zemrën. Pra, preku muskulin e zemrës duke çuar në miokardit dhe insuficiencë kardiake. Pati shumë persona të cilëve iu prek zemra.

Si mund të dallojmë astmën kardiake nga astma bronkiale?

Në të dyja rastet, si në astmë kardiake dhe në astmën bronkiale kanë fishkëllima, përveçse iu rritet frekuenca respiratore, marrin frymë më shpesh dhe më sipërfaqësore, kanë zhurma respiratore. Është një frymëmarrje jonormale e një personi që vuan për oksigjen.

Bëhet një grafi dhe shikohet te të dyja, te pacienti kardiak shihet silueta e zemrës e zmadhuar, te pacienti pulmonar shihen problemet pulmonare, shihet një zemër normale. Ajo që bën diagnozën diferenciale për të ndarë nëse është kardiake apo pulmonare është ekokardiografia, pra me eko ne vlerësojmë muskulin e zemrës, vlerësojmë valvulat, vlerësojmë funksionin. Ekokardiografia është një ekzaminim që tashmë është bërë rutinë por është shumë e rëndësishme sepse ndan diagnozat dhe duke ndarë diagnozat, përcaktohen edhe terapitë përkatëse.

Kur rrezikohen të kthehen në kronike problemet e insuficiencës kardiake dhe a rrezikohet kthimi në kronike? Si duhet trajtuar?

Kjo është një gjë që ka të bëjë me ecurinë e miokardit, në çfarë forme ka qenë, pra forma e lehtë, e mesme apo forma e rëndë fulminante, që përfundon me vdekje. Zakonisht janë të rikthyeshme. Në rast se është forma e lehtë dhe e mesme dhe i ka mbijetuar atij ataku të parë, ky person është vazhdimisht nën mjekim dhe në ndjekjen të vazhdueshme ekokardiografike. Pra, për të parë se si ka rikuperuar muskuli, në format e lehta muskuli rikuperohet totalisht. Ka format e mesme që edhe mund të ngelet insuficiencë kardiake ose mund të përmirësohet funksioni kardiak. Pra, është në varësi të formës që ka kaluar. Gjithmonë do të jetë në ndjekje, me ekzaminime, me eko dhe me mjekimin përkatës. Në varësi të ecurisë do të vendoset mjekimi dhe për sa kohë do të vazhdojë.

Kur duhet ngritur niveli alarmit dhe sa është kohëzgjatja normale e një insuficience kardiake?

Në rast se kemi një prishje të lehtë të ekuilibrit, pra kemi një tension ku ai 170 me 90, por personi e kap në kohë, merr medikamentin e duhur për tensionin dhe tensionet. Në rast se shkaku është një krizë hipertensive që i shkon 220 me 120, që nuk mund të menaxhohet në shtëpi sepse edhe marrja e frymës rëndohet shumë, është urgjencë nuk ke kohë të veprosh në shtëpi, duhet t’i drejtohesh urgjencës, trajtim intravenoz dhe oksigjeno terapi. Në rast se ka bërë një infarkt do t’i vazhdojë kjo situatë derisa të shkojë në spital. Gjithmonë varet nga shkaku. Në rast se është një marrje fryme që sapo i ka filluar për shkak të luhatjes së tensionit, për shkak të një viroze që po kalon, për shkak të një mbilodhje, janë situata që vlerësohen në moment.

Mostrajtimi, çfarë rrezikohet?

Pacientët me insuficiencë kardiake për shkaqe të ndryshme kanë acarim të sëmundjes, kanë edhe periudhat e qetësisë. Është insuficiencë kardiake që mund të jetë me një funksion shumë të ulët të zemrës por është fazë e kompensuar dhe është insuficiencë kardiake që është fazë e dekompensuar, sikurse ndodh në rastin e një krize hipertensive, në pamje të parë në eko zemra është normale nga fuqia e vet tkurrëse por në fakt kjo është një zemër joelastike që i janë rritur shumë presionet në këtë krizë hipertensive dhe ripërsëritet. Prandaj nuk duhen neglizhuar vizitat mjekësore, që nga mjeku i familjes, kardiologu i lagjes apo edhe në qendra spitalore terciare.

 

Shenjat kryesore të astmës kardiake

Marrje fryme me ose pa gulçim

Kollë

Frymëmarrje e shpejtë dhe e cekët

Rritje e presionit të gjakut dhe ritmit të zemrës

Ndjenjë frike


Viewing all articles
Browse latest Browse all 2522