Erida Nelaj që drejton prej vitesh programin kombëtar të vaksinimit tregon arsyet se pse kjo fushatë vaksinimi që mbulon moshat nga 27 deri në 37 vjeç ka nisur pikërisht tani dhe jo vite më parë.
Të lindurit në dekadën e fundit të sistemit monist llogariten në mbi 700 mijë personave, por jo të gjithë do të duhet t’i nënshtrohen rivaksinimit.
Nga vaksinimit përjashtohen edhe gratë shtatzëna që i janë nënshtruar më herët vaksinës.
Por edhe në rast se vaksina është bërë në dy doza, një e tretë nuk shkakton asnjë problem.
Sipas ekspertëve, alarmi i ngritur ISHP nuk bazohet në sëmundshmërinë e fruthit në vendin tonë që llogaritet në shifrën zero, por tek rreziku i lartë që vjen nga vendet fqinje, veçanërisht Italia ku të prekurit nga fruthi rezultojnë në mijëra. Ky fakt sipas studiuesve mund të prodhojë një shpërthim epidemik tek ajo pjesë e popullatës që kanë refuzuar vaksinën ose e kanë marrë injeksionin në shkelje të protokolleve.
Programi i rivaksinimit për të lindurit në vitet 80-90 ofrohet falas pranë qendrave shëndetësore, dhe do të zgjasë për një periudhë të paktën 6-mujore gjatë së cilës Instituti i Shëndetit publik njofton se nga Ministria e Shëndetësisë është bërë furnizimi me sasi të konsiderueshme të vaksinës.