Quantcast
Channel: Shëndeti – Gazeta Mapo
Viewing all articles
Browse latest Browse all 2522

Osteoporoza: Si hetohet sëmundja dhe ushqimet aleate të kockave

$
0
0

Shpesh shenja e parë e osteoporozës është fraktura/thyerja e kockës. Por, nëse dikush ka faktorë rreziku për osteoporozë duhet të shkojë te mjeku, i cili sugjeron kryerjen e testeve specifike dhe trajtimin e nevojshëm nëse është e mundur

Pas moshës 20 vjeç, hollimi i kockave është një proces natyral i cili nuk mund të ndalet plotësisht. Masa kockore e fituar gjatë rinisë është një përcaktues i rëndësishëm i rrezikut të osteoporozës gjatë jetës së mëvonshme. Prandaj ndërgjegjësimi për osteoporozën duhet të fillojë që në moshë të re, me qëllim që të ndërmerren masa për ta parandaluar atë. Fëmijët duhen ndihmuar të kuptojnë rëndësinë e ndërtimit të masën kockore që kur janë të rinj. Ata duhen inkurajuar dhe edukuar të kenë një dietë të ekuilibruar të pasur me kalcium, vitaminë D dhe proteina, të ndërgjegjësohen për rëndësinë e peshës normale dhe ushtrimeve fizike, efektet e pirjes së duhanit dhe alkoolit mbi kockat etj. Mënyra më e mirë për të ndihmuar parandalimin e dobësimit të kockave është fillimi i aktivitetit  fizik dhe zakoneve të shëndetshme të ushqyerjes që në fëmijëri dhe ruajtja e tyre edhe në moshë të rritur.

Shenjat

Duke qenë se humbja e masës kockore gjatë osteoporozës ndodh gradualisht dhe është e padhembshme, nuk ka simptoma të dukshme që tregojnë se një person është duke zhvilluar osteoporozë. Për këtë arsye osteoporoza quhet “epidemi apo sëmundje e heshtur”. Megjithatë disa shenja si dhimbja e lehtë, reduktimi i gjatësisë trupore me disa centimetra apo fraktura, mund të jenë të lidhura me osteoporozën. Shpesh shenja e parë e osteoporozës është fraktura/thyerja e kockës. Por, nëse dikush ka faktorë rreziku për osteoporozë duhet të shkojë te mjeku, i cili sugjeron kryerjen e testeve specifike dhe trajtimin e nevojshëm nëse është e mundur.

Trajtimi

Në varësi nga rezultatet e testit të densitetit kockor, mjeku mund të japë medikamente dhe suplemente për të parandaluar humbjen e masës kockore.

Ka një numër opsionesh trajtimi efektiv të cilat kanë treguar se veprojnë për të ruajtur densitetin kockor dhe reduktuar rrezikun e frakturave/thyerjeve. Një mjekim i përshtatshëm i kombinuar me ndryshime të stilit të jetës mund të shmangë shumë nga frakturat. Trajtimi i osteoporozës është efektiv vetëm nëse merret ashtu siç rekomandohet nga mjeku. Trajtimi i osteoporozës zgjat për periudha të gjata kohore. Kjo gjë për shumë persona nuk është e këndshme, por nuk duhet të jetë arsye për ta ndërprerë mjekimin.

Krahas mjekimit, marrja e mjaftueshme e kalciumit dhe vitaminës D është e domosdoshme mbasi ndihmon për të siguruar efektivitetin maksimal të mjekimit me medikamente.

Aktiviteti fizik

Kryerja e ushtrimeve të rregullta fizike luan një rol të rëndësishëm në ndërtimin dhe mbajtjen e masës kockore. Ato reduktojnë rrëzimet dhe përmirësojnë rehabilitimin nga frakturat. Ushtrimet janë individuale, por përgjithësisht shumica e njerëzve ka nevojë për 30-40 minuta 3 deri 4 herë në javë.

Kalciumi

Marrja e kalciumit në sasi të mjaftueshme, sasia e kalciumit që duhet të konsumojmë ndryshon në stade të ndryshme të jetës. Kërkesat për kalcium janë të larta në vitet e adoleshencës për shkak të rritjes së shpejtë të skeletit. Me kalimin e moshës, aftësia e trupit për të absorbuar kalcium bie, dhe kjo është një nga arsyet pse edhe të moshuarit kanë nevojë për sasi më të larta kalciumi. Ushqimet e pasura me kalcium janë: qumështi dhe produktet e tij; perimet jeshile si brokoli, lakra jeshile etj., disa fruta si portokalli, kajsia, fiqtë e thatë; arrat, bajamet; drithërat; peshku i konservuar dhe sardelet; lëngjet e frutave dhe uji mineral.

Vitamina D

Vitamina D është gjithashtu esenciale për absorbimin e kalciumit. Ekspozimi për 15 minuta në ditë në diell i duarve, krahëve dhe fytyrës, është zakonisht i mjaftueshëm për prodhimin e vitaminës D për shumicën e njerëzve. Vitamina D mund të sigurohet edhe nga ushqimet dhe suplementët. Ushqime të pasura me vitaminë D janë vaji i peshkut, veza, mëlçitë, drithërat etj.

Dieta

Ndjekja e një stili të shëndetshëm jete është pjesë e kujdesit për kocka të shëndetshme. Mënjanimi i duhanpirjes, pirja e moderuar e alkoolit, si dhe mbajtja brenda kufijve të normës i peshës trupore janë disa faktorë të rëndësishëm. Kafeina dhe kripa mund të rrisin humbjen e kalciumit nga trupi dhe nuk duhet të merret në sasi të tepërt. Alkooli duhet gjithashtu të merret në sasi të moderuar. Megjithëse nuk ka të dhëna bindëse që tregojnë se pijet e gazuara joalkoolike dobësojnë kockat, nuk duhet tepruar me to.

Rreziku

Vetëdijësimi për faktorët e rrezikut-çdo person duhet të jetë i vetëdijshëm për çdo faktor rreziku personal që mund të ndikojë në shëndetin e kockave, dhe të konsultohet me mjekun nëse është në rrezik.


Viewing all articles
Browse latest Browse all 2522