Erida Nelaj, Menaxhere e Programit Kombëtar të Vaksinimit në Institutin e Shëndetit Publik, thotë se fëmijët e pavaksinuar rrezikojnë të preken të parët nga fruthi, nëse do ketë raste të shpërthimeve epidemike, prindërit duhet të ndërgjegjësohen që po i lënë këta “në mëshirë të fatit”
Prej më se një viti në disa vende të Europës është rikthyer virusi i fruthit. Duke iu referuar të dhënave të sektorit shëndetësor, fruthi ka shënuar disa raste në Itali, Francë dhe Gjermani, ndërsa në Rumani situata është më alarmante pasi kanë humbur jetën 17 fëmijë të moshës 1 deri në 15 vjeç, të pavaksinuar. Përballë kësaj epidemie të shpërthyer në këto vende, Shqipëria rrezikon seriozisht prekjen prej saj. “Nëse në vendin tonë do të ketë raste të shpërthimeve epidemike, fëmijët e pavaksinuar rrezikojnë të preken të parët nga fruthi” -shpjegon Erida Nelaj, Menaxhere e Programit Kombëtar të Vaksinimit në Institutin e Shëndetit Publik, e cila thotë gjithashtu se “hezitimi ndaj vaksinimit ka qenë i njëjti shkak pse këto vende në Europë po përballen me epidemitë e fruthit. Prandaj në rast të mosvaksinimit, prindërit duhet të ndërgjegjësohen që po i lënë këta fëmijë të pambrojtur apo siç themi në gjuhën e përditshme “në mëshirë të fatit”. Për këtë arsye Nelaj thotë se përballë vendimit të prindërve për të mos vaksinuar fëmijët, duhet të kuptojnë që fruthi nuk është një sëmundje që kalon lehtë, por është një sëmundje që lë pasoja, të cilat shkojnë deri në vdekje. Në një intervistë për MAPO, Erida Nelaj, Menaxhere e Programit Kombëtar të Vaksinimit në ISHP, shpjegon gjithashtu se si do të funksionojë vaksinimi kundër fruthit, i të rinjve të lindur në vitet ‘80-90 dhe vendi ku duhet të drejtohen për të përfituar falas vaksinimin.
Prej disa ditësh, specialistë të ISHP-së kanë drejtuar një apel për rivaksinim të të rinjve të lindur në vitet ‘80-90. Cilën vaksinë duhet të bëjnë dhe si përfitohet ajo? Cila është arsyeja që ky brez duhet të rivaksinohet?
Bëhet fjalë për vaksinën kundër Fruthit dhe Rubeolës. Për kryerjen e kësaj vaksine mjafton që individët të drejtohen pranë qendrave shëndetësore më afër vendbanimit të tyre.
Ka disa arsye pse ne e rekomandojmë këtë vaksinim. Duke patur parasysh situatën epidemiologjike të fruthit në rajonin europian, ku po vazhdon kjo epidemi duhet të jemi të kujdesshëm dhe të mbrojmë popullatën sa më shumë të mundemi. Duke iu rikthyer në kohë kushteve të zinxhirit të ftohtë, kryesisht për vaksinën e Fruthit e cila kërkon ruajtje shumë të mirë dhe duke parë studimet më të fundit të seroprevalencës rezulton që ky kontingjent popullate nuk ka mbrojtje të mirë. Nga ana tjetër, një skemë e plotë vaksinimi duhet të përmbajë dy doza vaksine, e në atë kohë kalendari ka qenë me një dozë të vetme.
Në vitet 2000 iu është ofruar vaksinim të gjithë të lindurve në vitet 1985-1999 dhe në vitet 2001-2002 të gjitha femrave të lindura në vitet 1965-1985. Nëse këta individë kanë mundësi të kontrollojnë statusin e tyre të vaksinimit në konsultoret ku janë ndjekur në moshë të vogël dhe gjejnë informacionin mbi vaksinimim e kryer, atëherë nuk është nevoja ta kryejnë këtë vaksinë. Po ashtu nëse e kanë kaluar fruthin si sëmundje nuk kanë nevojë të rivaksinohen.
A ka rrezik rivaksinimi i tyre dhe për sa kohë do të vazhdojë kjo fushatë? Në rast se nuk pranojnë të rivaksinohen, ka rrezik për shëndetin e tyre?
Nëse nuk e marrin informacionin në lidhje me vaksinimin e mëparshëm, mund të vaksinohen pa problem, pasi një dozë tjetër vaksine nuk bën gjë tjetër veçse iu forcon sistemin imunitar.
Ne e kemi filluar këtë fushatë gjatë muajit prill dhe vaksinimi ndaj fruthit do të vazhdojë në kohë, për t’iu dhënë mundësi individëve të mbrohen. Për sa kohë e kemi fruthin në pragun e derës, të mos harrojmë që aktualisht Italia ka shumë raste me fruth, ne nuk do ta ndërpresim këtë fushatë.
Nëse nuk rivaksinohen, janë më të predispozuar të preken nga fruthi dhe më pas bëhen transmetues të kësaj sëmundjeje dhe te persona të tjerë që nuk kanë arritur të krijojnë mbrojtje nga vaksinat (ata persona me probleme të imunodeficiencës) apo te fëmijët e vegjël, nën moshën 1 vjeç, të cilët nuk kanë arritur ende moshën për vaksinim sipas kalendarit.
Nuk do ta quaja rrezik, por doja të theksoja që kjo vaksinë nuk bëhet gjatë shtatzënisë dhe nga ana tjetër pas bërjes së vaksinës duhet që gratë të mos mbesin shtatzënë për minimumi një muaj. Ndërkohë që nëse janë vaksinuar pa qenë në dijeni se janë shtatzënë, nuk indikohet aborti.
Sa e sigurt është kjo vaksinë dhe sa i takon ISHP-së dhe qendrave shëndetësore, cilat janë garancitë që japin për të?
Kjo vaksinë, ashtu si dhe të gjitha vaksinat e tjera në programin kombëtar të vaksinimit është e parakualifikuar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë. Për çdo vaksinë, procesi i parakualifikimit do të thotë kalim në “filtra” të shumtë kontrolli nga kjo organizatë.
Duke iu referuar lajmeve të fundit, fruthi është rishfaqur duke shënuar disa raste edhe në vende si Italia, Franca dhe Gjermania. Cili është apeli për nënat e reja që hezitojnë të vaksinojnë fëmijët e tyre kundër fruth-rubeolës? Çfarë rrezikojnë fëmijët e tyre?
Në këto raste që ju përmendni unë do të doja të shtoja dhe rastet e vdekjeve të 17 fëmijëve në Rumani, të gjithë të pavaksinuar. Hezitimi ndaj vaksinimit ka qenë i njëjti shkak pse tashmë këto vende po përballen me epidemitë e fruthit. Shumë prindër duke qenë konfuz e duke lexuar në internet materiale, të cilat nuk kanë patur as baza shkencore, por që padrejtësisht lënë të kuptojnë që kishte lidhje të vaksinave me autizmin, kanë preferuar të mos i vaksinojnë fëmijët e tyre, ose më saktë të shtyjnë vaksinimin pas moshës 12 muaj e nganjëherë deri në 2 vjeç. Do doja të theksoja nëpërmjet kësaj interviste që nuk ekziston një lidhje e autizmit me vaksinat. Studime të shumta me baza shkencore dhe me vlerësim të një numri shumë të madh fëmijësh kanë treguar që nuk ekziston një lidhje e tillë.
Fëmijët e pavaksinuar rrezikojnë të preken të parët nga fruthi, nëse do kemi raste të shpërthimeve epidemike dhe prindërit duhet të ndërgjegjësohen që po i lënë këta fëmijë të pambrojtur apo siç themi në gjuhën e përditshme “në mëshirë të fatit”. Duhet të kuptojnë që fruthi nuk është një sëmundje që kalon lehtë por është një sëmundje që lë pasoja, të cilat shkojnë deri në vdekje.
A mund të shpjegoni diçka pse kjo sëmundje infektive, është e rrezikshme, si funksionon ajo?
E përmenda pak më lartë që kjo sëmundje ka pasoja deri fatale, e nga ana tjetër ka një shpejtësi përhapjeje shumë të madhe. Një i sëmurë me fruth mund të infektojë deri në 12 individë të tjerë përqark tij. Duke qenë se është sëmundje virale për fruthin nuk ka asnjë trajtim. Trajtimet më pas vazhdojnë për të luftuar pasojat që lë kjo sëmundje. Mënyra më e mirë për t’u mbrojtur nga kjo sëmundje është vetëm parandalimi i saj nëpërmjet vaksinimit.
Vaksina mbron shёndetin nё çdo fazё tё jetёs
Vendi ynë vazhdon të gëzojë mbulim tё lartë vaksinal pёr periudhёn e fёmijёrisё, dhe po përparon drejt synimeve të Planit tё Veprimit Europian mbi Vaksinimin duke synuar eliminimin e fruthit dhe rubeolës. Megjithatë, mbeten akoma individё tё pavaksinuar, tё cilёt shёrbejnё si burim infeksioni dhe shkaktarë tё sёmundjeve apo vdekjeve tё cilat mund tё parandalohen nёpёrmjet vaksimit.
Shumё adoleshentё dhe individё tё rritur që kanё rrezik pёr t’u sёmurur, nuk janë të vetëdijshëm për sëmundjet që kërcënojnë shëndetin e tyre, si dhe pёr vaksinat që ata kanë nevojë për të siguruar mbrojtje të vazhdueshme.
Kjo fushatё thekson rёndёsinё e vaksinimit dhe promovimit tё saj gjatё gjithë fazave tё jetёs sё individit, si njё mёnyrё e sigurt pёr tё parandaluar sёmundjet e transmetueshme dhe pёr tё arritur objektivat e Planit tё Veprimit Europian mbi Vaksinimin.