Quantcast
Channel: Shëndeti – Gazeta Mapo
Viewing all articles
Browse latest Browse all 2522

‘Shqiptari më i urryer’ jep shenja tërheqje, por…

$
0
0

martinMilioneri shqiptaro-amerikan premton të zvogëlojë çmimin e barnës por nuk tregon me sa – ofron përjashtime e lehtësira për pacientët e varfër

Nga Ruben Avxhiu, Illyria

Martin Shkreli doli dje për një intervistë ekskluzive në kanalin televiziv kombëtar amerikan ABC dhe deklaroi se kompania e tij Turing Pharmaceutical kishte vendosur ta ulte çmimin e ri, por nuk tregoi se sa do ta ulte.

“Do ta ulim, çmimin e Daraprimit në pikën që mund të jetë e arritshme për pacientët por edhe duke siguruar që kompania të nxjerrë fitim, ndonëse një fitim shumë të vogël”, tha ai.

Shkreli, që dikur u bë i njohur kur u shpall në elitën 30 Nën 30, të njëzetecavjeçarëve të cilët ishin bërë milionerë në Wall Street, është përballur me një urrejtje të madhe nga publiku pasi monopolizoi këtë ilaç të rëndësishëm për ata që vuajnë nga AIDS dhe nga kanceri dhe ia ngriti çmimin brenda natës nga 13 dollarë në 750, një rritje prej gati 5.500%

Në 48 orët e kaluara, sharje e mallkime kanë vërshuar drejt tij nga publiku. Ai është kthyer në simbol të pangopshmërisë së industrisë farmaceutike amerikane.

Një nga politikanët që kanë reaguar menjëherë ka qenë Hillary Clinton që po kandidon për presidente dhe që sapo ka nxjerrë një platformë për mënyrën se si do të kufizojë grykësinë e firmave farmaceutike duke ua përcaktuar nivelin e fitimeve që duhet të ndajnë për kërkim shkencor, për t’ia ulur grykësinë.

Shkreli në kundërofensivë

Milioneri i ri shqiptar ka arsye të inatoset. Kompani të tjera kanë bërë gjëra të ngjashme dhe nuk janë sulmuar kaq shumë.

Në fund të fundit, ai nuk ka shkelur ndonjë ligj. Nëse dëshirojnë njerëzit dhe politikanët duhet të ndryshojnë ligjet dhe ta bëjnë industrinë më të rregulluar nga shteti.

Mirëpo, në një farë mënyre, Shkeli e ka fajin vetë. Më shumë se lajmi i rritjes katastrofike të çmimit, njerëzit u revoltuan nga intervistat e tij në televizion. Milioneri i rim und të jetë mjeshtër në manovrimet e tregut, po jot ë marrëdhënieve me publikun. Duke qeshur para intervistuesve që këmbëngulnin, duke shpërfillur ndjenjat e njerëzve të pakënaqur nga kjo ngjarje, duke mos shprehur asnjë lloj mirëkuptimi për pasojat që mund të kenë milionat njerëz që vuajnë nga kanceri dhe AIDS, ai la përshtypjen e një birboje të përkëdhelur që i duket vetja më i zgjuar se të tjerët.

Nuk ka rëndësi në këtë pikë se çfarë mendon Shkreli vërtet për të sëmurët dhe publikun, sesa detyra e një drejtuesi firme që të mbrojë imazhin e investimit të tij.

Të detyruar nga presioni, Shkreli tha dje për ABC-në se Turing do t’ia japë ilaçin falas të sëmurëve që nuk kanë sigurim shëndetësor dhe do të mbulojë shpenzimet nga xhepi të pacintëve, dmth ato që nuk ua mbulon sigurimi.

Këto veprime lënë barrën e shpërthimit të çmimit vetëm në kurriz të kompanive të sigurimit dhe buxhetit të shtetit që paguan për të varfërit.

Mirëpo, kjo nuk do ta zgjidhë problemin.

Së pari, kompanitë e sigurimit nuk ka dyshim që do të reagojnë duke rritur pagesat mujore të klientëve të tyre për të mbuluar shpenzimet e diferencës të çmimit të rritur. Ndërsa shteti mesiguri do të ngrejë taksat që të mbulojë pjesën e vet, në mos do t’ia heqë ndonjë tjetër pjese sociale të buxhetit. Pra në fund përsëri paguajmë të gjithë dhe shtohet pesha financiare e sistemit shëndetësor amerikan që poi a thyen kurrizin ekonomisë së vendit.

Së dyti, këto veprime vijnë me vonesë. Shkreli duhej të kishte parashikuar rrezikun e reagimit popullor. Ai mund të ketë të drejtë që këtë e kanë bërë edhe të tjerë, po kjo nuk e justifikon atë vetë moralisht. Sulmet kryesore i kanë ardhur nga vetë mjekët, që kanë hedhur dyshime mbi nevojën e kërkimeve shkencore me të cilat justifikon rritjen e çmimit Shkreli.

Brutal dhe pa klas

Kur bie në pozitën që ka rënë Martin Shkreli, një nga pasojat është që të gjithë fillojnë dhe gërmojnë të kaluarën tënde. Akoma nuk kanë dalë të familja e tij dhe origjina shqiptare për fat të mirë, po nga ana tjetër, e kaluara e tij po lexohet qysh tani me syrin e veprimit të fundit.

Një ngjarje që po përflitet më shumë sot është konflikti i tij me një ish-koleg, me të cilin janë përplasur në gjyq. Duket se Martin Shkreli ka reaguar duke ia kërcënuar në familjen. Nëpërmjet Facebook dhe rrjeteve të tjera sociale, ai ka bërë shantazh ndaj gruas s ëish-kolegut, ndaj fëmijëve të tij.

Të shoqen ia kërcënonte se do të bënte çmos që ajo dhe fëmijët e saj të mbeteshin rrugëve. I hynte në Facebook dhe i shkruante se a nuk i vinte turp që bashkëshorti ishte hajdut? Akom më skandaloze ka qenë sipas lexuesve fakti që ka kontaktuar të djalin në moshë të vogël për t’i bërë presion për babain.

Ai akuzohet se u aka marrë pastaj në zotërim llogaritë në Facebook dhe uebsajte të tjera duke ia fshirë përmbajtjen.

Në fund, çështja është zgjidhur jashtë sallës së gjyqit dhe ka mundësi që Martin Shkreli të ketë arritur marrëveshje sepse veprimet e tij, ndoshta më shumë sesa e drejta e çështjes, mund t’ia kenë sabotuar padinë.

Akuzat nga SEC, komiteti që mbikqyr dhe heton abuzimet në bursë si dhe akuzat nga FDA, agjensia federale e barnave që thotë se Martin Shkreli është përpjekur të manipulojë përfundimet shkencore të një raporti të saj, janë mbledhur të gjitha bashkë tani nga media për të plotësuar një portret shumë negativ për të.

“Nuk më duhet të mësoj shqip”

Edhe shqiptarët kanë filluar të gërmojnë në mesazhet e tij nga e kaluara në rrjetet sociale për të parë se çfarë mendon ai për Shqipërinë apo çështjet shqiptare po nuk kanë gjetur ndonjë gjë thelbësore.

Disa e qortojnë që nuk di shqip e të tjerë shprehin mahnitjen që një shqiptar ka pasur kaq sukses.
Dikujt që i shkruan në shqip, i është përgjigjur se nuk e di gjuhën, por se prindërit “më duket se janë nga Shqipëria”. (Më duket?!) Këmbënguljes së bashkëbiseduesit se edhe ky duhet të mësojë pak shqip, ai i përgjigjet se nuk i duhet shqipja.

Të them të drejtën, Amerika është e mbushur me talente e profesionistë të zotë që janë shkëputur e nuk duan të dinë për komunitetet e tyre. Martin Shkreli nuk do të ishte as shqiptaro amerikani i parë dhe as i fundit. Madje për disa është më mirë të integrohen sa më shumë në shoqërinë amerikane për të dhënë maksimumin sesa të mbeten në suazën e komunitetit.

Mirëpo për dikë që ka mbledhur shumë para për kauza të ndryshme, Shkreli do të kishte përfituar më shumë nga pak bamirësi edhe në botën shqiptare. Ka shumë shqiptarë që nuk jetojnë në komunitet por gjejnë mënyra për të kontribuar me sa munden.

Ana tjetër e medaljes është se jo pak shqiptarë duket se janë përpjekur ta kontaktojnë duke u nisur nga origjina e përbashkët. Shkreli është në vija të përgjithshme i sjellshëm me ta.

Po mes atyre që i kanë shkruar, njëri duket se e njeh mirë dhe i aka përmendur emrat e prindërve, të cilët nuk po shkruaj këtu. Ai e qorton për mos njohjen e shqipes dhe i thotë t’ia tregojë mesazhin të motrës “se ndryshe nga ty ajo është shqiptare”.

Reforma e domosdoshme

Martin Shkreli është vetëm një rast mes shumë të tjerë të ngjashëm. Barna që janë gjenerike, kthehen në emra biznesi të monopolizuara duke ua stërngritur çmimin.

Ideale është që zemërimi i lindur nga veprimi i Martin Shkrelit të drejtohet andej nga duhet. Nga Kryeqyteti amerikan, nga Kongresi dhe Shtëpia e Bardhë.

Njerëzit që sulmojnë Martinin nuk ndryshojnë gjë. Ai është në rregull me ligjin, ndonëse k ende çështje gjyqësore të hapura për një barnë tjetër të mëparshme me të cilën ka bërë të njëjtën gjë.

E vërteta është se ligjet duhet të ndryshojnë dhe që njerëzit e revoltuar duhet të turpërojnë në mënyrë të ngjashme publikisht politikanët që marrin para nga biznesmenë si Shkreli. Duhet sulmuar lobi i farmaceutikës. Duhen shkruar e miratuar ligje që vënë kufizime në veprimet firmave të farmaceutikës dhe bioteknikës. Janë biznese si këto që i japin kapitalizmit një emër të keq.

Në fakt, që tani, një kongresiste nga Maryland ka kërkuar një seancë hetimore në Kongresin Amerikan për Martin Shkrelin. Bashkë me ringjalljen e interesit për hetimet e mëparshme ndaj tij, nuk është çudi që ai premtoi sot rishikimin e çmimit dhe ofroi lehtësim për pacientët e varfër. Po e rëndëishme është që në bankën e të akuzuarve në Washington të mos ulet vetëm Shkreli, se do të ishte e padrejtë. Duhet të ulet e gjithë industria farmacutike, lobi dhe politikanët në xhepin e tyre. Nuk duhet sulmuar vetëm Martin Shkreli, por të gjithë “martinët” që pasurohen në kurriz të shoqërisë amerikane, duke përfituar nga vrimat në sistem. Është një temë që besoj se do të ngrihet shpesh në fushatën e zgjedhjeve presidenciale që po ravijëzohet.


Viewing all articles
Browse latest Browse all 2522