Quantcast
Channel: Shëndeti – Gazeta Mapo
Viewing all articles
Browse latest Browse all 2522

Me domate dhe karota, kundër kancerit, forcon kockat dhe mbron zemrën

$
0
0

Me konsumimin e karotës luftoni aneminë nga mungesa e hekurit, disa tipa tumoresh, sëmundje kardiovaskulare, përfshi edhe infarktin e zemrës. Ndërsa domatja zvogëlon rrezikun nga kanceri i prostatës, mbrojtëse ndaj zemrës, kundër çrregullimeve gjenetike dhe anti-inflamatore

Konsumimi i një karote në ditë e mban larg doktorin. Do të ishte akoma më mirë nëse karota do të zihej dhe më pas të pritej, por mund të konsumohet edhe e gjallë. Vlerat antikancerogjene të karotës janë zbuluar katër vite më parë nga studiuesit e Universitetit të Danimarkës dhe atij të Newcastle-it, të cilët vërejtën falkarinolin, substancën kundër kancerit që gjendet te karota, duke hedhur poshtë bindjen se kjo përgjegjësi i detyrohej betakarotenit.

Studimet

Tani, një studim tjetër i udhëhequr sërish nga shkencëtarët e Universitetit të Newcastle-it, përcakton shkencërisht një bindje të paqartë prej kohësh: karotat duhet të jenë të ziera para se të priten në copëza të vogla, me qëllim që të mos i humbasin vlerat ushqyese. Falkarinoli vepron me një fuqi më të madhe se 25 për qind nëse perimet janë të prera para se të zihen. Në thelb ndodh kjo dukuri: sa më shumë nxehtësia e zbut sipërfaqen e karotës (e nëse është e prerë nxehtësia vepron më shpejt) aq më shumë treten disa prej vlerave ushqyese, siç janë sheqernat dhe vitamina C, të cilat nxisin përhapjen në ujë edhe të substancave të tjera, si falkarinoli. “Me prerjen e tyre rritet sipërfaqja e kontaktit me ujin dhe substancat ushqyese, përfshi sheqernat dhe falkarinolin, kanë tendencë të përhapen në ujë gjatë prerjes”, shpjegon doktoresha Kirsten Brandt.

Studimi i parë

Studimi do të prezantohet me rastin e evenimentit francez “NutrEvent”, konferenca mbi shëndetin dhe ushqimin. Edhe këtë herë ajo është drejtuar nga doktoresha Kirsten Brandt, (nga Shkolla e Bujqësisë, Ushqimit dhe Zhvillimit Rural). Ishte pikërisht ajo që katër vjet më parë zbuloi efektet mirëbërëse të falkarinolit te karota, duke kryer një eksperiment te një grup minjsh, të cilëve u kishte injektuar një toksinë, që nxit tumorin në zorrën e trashë. Minjtë u ndanë në tri grupe. Dy prej tyre iu nënshtruan një diete të pasur me falkarinol. Studiuesit vunë re se dy grupet e ushqyera me karota shfaqnin një të tretën e probabilitetit për të zhvilluar një tumor. Që nga ajo periudhë e deri më sot grupi i studiuesve është përpjekur të studiojë se si reagon kjo substancë kimike kur karota zihet ose kur është e ngrirë në akull, duke tentuar të gjejnë metoda të reja për të kultivuar karota me përqindje të lartë falkarinoli.

Vlerat ushqyese

Falë vlerave të saj mirëbërëse, mund të cilësohet si një “bimë mjekësore”. Karota është e pasur me substanca shumë të nevojshme për organizmin tonë. Përmban vitaminë A (karoten), B, C dhe E; gjithashtu është e pasur me hekur, fosfor, kalcium, natrium, kalium, magnez, brom etj. Falë këtyre substancave aktive, ajo përdoret për të parandaluar dhe luftuar një numër të madh patologjish, që sot janë shumë të përhapura: anemi nga mungesa e hekurit, disa tipa tumoresh, sëmundje kardiovaskulare, përfshi infarktin e zemrës. Duke qenë se përmban shumë vitamina dhe kripëra minerale, karota është edhe një ilaç mjaft efikas kundër problemeve të shumta të lëkurës, si edhe një prej elementeve më të rëndësishme kundër plakjes. Karota përdoret te kremrat dhe locionet e plazhit, të cilat gjenden në treg. Karota ka qenë një prej bimëve më të përhapura në antikitet dhe vazhdon të mbetet e tillë edhe sot në shekullin tonë. Janë shumë të njohura vlerat e saj ushqyese, e ndoshta më pak të njohura ato terapeutike dhe kozmetike. Lëngu i karotës është mjaft i pasur me karotinë, vitaminë B dhe C. Për të përmirësuar shikimin e dobët pihet çdo ditë një gotë me lëng karote. Fëmijët duhet të konsumojnë nga 50 deri në 150 mililitra lëng karote në ditë. Te të rriturit sasia ndryshon: ajo shkon nga 150 deri në 300 mililitra në ditë. Nëse vuani nga kolla dhe laringiti atëherë zieni 4-5 karota, shtypini derisa të arrijnë një masë të njëtrajtshme, më pas përziejini me 4 lugë mjaltë dhe konsumoni një lugë pas çdo vakti. Kjo perime e zakonshme e përdorur për të përgatitur shumë salca dhe për t‘i dhënë shije më të këndshme çdo lloj gatimi, përmban vlera të ndryshme ushqyese, mes tyre karotenin, substancën që organizmi ynë e transformon në vitaminë A. Gjithashtu përmban vitamina të grupit B, D dhe E, përveç shumë cilësive të dobishme. Mes vetive mirëbërëse të karotës kujtojmë atë të larjes së zorrëve, lehtëson sekretimin e qumështit te lehonat, si edhe nxit urinimin.

Domatet

Të ngrënit e shumtë të domateve dhe të produkteve të tyre është e lidhur me forcimin e shëndetit dhe me zvogëlimin e rrezikut për gjendjet siç janë kanceri, osteoporoza (brishtësia e kockave) dhe të sëmundjeve kardiovaskulare të gjitha këto duke u mbështetur në hulumtimet e bëra. Për më tepër gatimi dhe përpunimi i domateve rrit  potencën (fuqinë) e lykopenit, një përbërës që lufton sëmundjet. Hulumtuesit kanë gjetur se domatet janë burimi më i madh i lykopenit dietetik, një antioksidant i fuqishëm që ndryshe nga përbërësit e shumë frutave dhe perimeve, ka një biodisponueshmëri (pranueshmëri të përbërësit në gjak) më të madhe pas gatimit dhe përpunimit. Ata gjetën një lidhshmëri ndërmjet konsumimit të domateve dhe rrezikut të ulur për disa lloje kanceresh,  si dhe disa gjendje të tjera, duke përfshirë sëmundjet kardiovaskulare, osteoporozën, dëmtimet e lëkurës të shkaktuara nga rrezet ultraviolete dhe disfunksionit kognitiv (të menduarit).  “Zhvillimi dhe përparimi i shkencës rreth domateve dhe produkteve të tyre mund të jetë një strategji e thjeshtë dhe efektive për të ndihmuar individët në rritjen e konsumimit të perimeve, që shpie në përmirësimin e modeleve të përgjithshme të ushqyerit dhe përfundimisht në një shëndet më të mirë”, thonë autorët. “Domatet janë ndër perimet më të rëndësishme pa niseshte (që përmbajnë shumë pak sheqer) në dietën amerikane. Hulumtimi nënvizon marrëdhënien ndërmjet konsumimit të domateve dhe rrezikut të ulur të kancerit, sëmundjeve të zemrës dhe gjendjeve të tjera”, përfundojnë autorët. “Të dhënat gjithashtu sugjerojnë se preferohet konsumimi i domateve për shkak të dobive ushqimore dhe për faktin se një gjë e tillë mundë të jetë një strategji e thjeshtë dhe efektive për të rritur konsumin e përgjithshëm të perimeve”. Lykopeni është një ndër karitenoidët më të shpeshtë në trupin e njeriut dhe njëri ndër karitenoidët më të fuqishëm antioksidues. Përveçse në domate, është gjetur edhe në fruta të tjera të kuqe si shalqiri, papaja, rrushi i trëndafiltë dhe gujava e trëndafiltë. Studimet e tjera kanë treguar se leukopeni zvogëlon rrezikun nga kanceri i prostatës dhe gjithashtu ka veçori kardioprotektive (mbrojtëse ndaj zemrës), antimutagjen (kundër çrregullimeve gjenetike), antikanceroze dhe anti-inflamatore (kundër ndezjeve). Lykopeni është i patretshëm në ujë dhe është i lidhur fortë për fibrat e frutave dhe perimeve, prandaj edhe biodisponueshmëria e leukopenit rritet nga përpunimi i tyre. Prandaj prodhimet si lëngu i domateve, supa, salca dhe keçapi (preferohet i përgatitur në shtëpi), mundësojnë koncentriket më të larta të biodisponueshmërisë së lykopenit.


Viewing all articles
Browse latest Browse all 2522

Trending Articles