Quantcast
Channel: Shëndeti – Gazeta Mapo
Viewing all articles
Browse latest Browse all 2522

Zhurmat, kufjet dhe sëmundjet kronike, rrezik për humbjen e dëgjimit

$
0
0

Në një intervistë për “Mapo”, dr. Anjeza Kuçi, mjeke otorinolaringologe në Poliklinikën e Specialiteteve nr. 3 në Tiranë, shpjegon se “Te moshat e brezit të tretë, nëse ndodh një rënie e menjëhershme e dëgjimit mundet që gjatë natës të ketë ndodhur një infarkt i arteries që ushqen veshin e brendshëm, si rezultat i një krize hipertensive gjatë natës”

Nëse papritur keni vështirësi dëgjimi në njërin vesh apo nga të dy, mos humbni kohë dhe shkoni menjëherë në urgjencë mjekësore. Mund të bëhet fjalë për një problem kalimtar, sikurse është bllokimi i kanalit të veshit nga dylli, dhe me ndihmën e mjekut rikuperohet, por mund të jetë edhe sinjal i diçkaje më të rëndë, humbjes së dëgjimit të përhershëm. Sidomos te të moshuarit duhet treguar kujdes me dëgjimin, pasi në këtë moshë për shkak edhe të sëmundjeve që kanë, sikurse janë diabeti, hipertensioni, problemet me dëgjimin janë shqetësuese dhe nuk duhen neglizhuar pasi rrezikon deri në humbjen e dëgjimit. Në një intervistë për “Mapo”, dr. Anjeza Kuçi, mjeke otorinolaringologe në Poliklinikën e Specialiteteve nr. 3 në Tiranë, shpjegon se “Te moshat e brezit të tretë nëse ndodh një rënie e menjëhershme e dëgjimit mundet që gjatë natës të ketë ndodhur një infarkt i arteries që ushqen veshin e brendshëm, si rezultat i një krize hipertensive gjatë natës”. Ndërkohë që një apel të veçantë mjekia iu drejton edhe të rinjve për përdorimin e kufizuar të kufjeve, pasi dëgjimi i muzikës me zë të lartë për një periudhë rreth 3 muaj ose më shumë është shoqëruar në shumicën e pacientëve me zhurmë në vesh dhe rënie dëgjimi të nivelit të lehtë në mesatar.

Referuar problemeve të dëgjimit, cilat janë shkaqet dhe faktorët që ndikojnë në uljen, deri në humbjen e dëgjimit?

Të dëgjuarit është një nga shqisat tona më të rëndësishme, që arrin të na bëjë të komunikojmë me botën e jashtme dhe të orientohemi në mënyrë perfekte, rëndësinë e të cilës ne arrijmë ta kuptojmë vetëm kur e humbim ose e dëmtojmë. Është një proces i ndërlikuar, i cili fillon me përplasjen e tingullit në daullen e veshit ose membranë timpanike, në transmetimin në kockat e dëgjimit, pastaj në veshin e brendshëm te koklea ose kërmilli dhe deri në përcjelljen e tij nëpërmjet nervit të dëgjimit në koren e trurit. Dëmtimi i njërës prej këtyre hallkave çon në rënien ose dëmtimin e dëgjimit. Pra, problemi mund t’i takojë veshit të jashtëm, pra hapësirës që nga llapa e veshit e deri në daulle, veshit të mesit që është hapësira pas daulles ku vendosen kockat e dëgjimit ose veshit të brendshëm, ku vendoset organi i dëgjimit dhe i ekuilibrit. Në problemet e veshit të jashtëm futen bllokimi nga dylli, infeksionet e kanalit të jashtëm të dëgjimit, në problemet e veshit të mesëm futen infeksionet e daulles, nga ato akute deri në kronike, që quhen otitet media akute dhe kronike, bllokimet e kanalit që lidh hundën me hapësirën pas veshit ose eustakeitet, tumoret e kavitetit timpanik ose kolesteatomat, polipet etj. Në problemet e veshit të brendshëm futet sëmundja menier ose sëmundja kryesore dhe më tipikja e veshit të brendshëm, që gabimisht në popullatë njihet si Veshi i Mesit, dhe që shoqërohet me kriza me rënie dëgjimi e marrje mendsh, por këtu në rënien e dëgjimit ndërhyjnë edhe faktorë të tjerë sistemikë, si: hipertensioni, diabeti, dislipidemite, mungesa vitaminike, faktorët gjenetike, traumat akustike, puna në ambiente me zhurmë, mosha pas 50 vjeç etj.

Problemet me dëgjimin janë të shumta, por papritur nuk dëgjojmë nga njëri vesh ose të dy, çfarë po ndodh?

Problemet me dëgjimin janë të shumta dhe shqetësimi i pacientëve është real dhe deri në problem social për veten dhe familjen, por rënia e menjëhershme e dëgjimit nga njëri vesh apo të dy lidhet me shkaqe sa të lehta e deri në probleme serioze që kërkojnë një trajtim të gjatë. Nëse një person del nga dushi dhe ka një bllokim të qëndrueshëm të dëgjimit kjo mund të vijë nga bllokimi i dyllit në kanalin e jashtëm të dëgjimit, nëse jemi në stinën e virozave dhe sidomos te fëmijët që nuk dinë t’i shfryjnë hundët dhe i tërheqin mbrapsht ndodh bllokimi i kanalit që lidh hundën me veshin. Por e njëjta gjë mund të ndodhë edhe te të rriturit në rastin e virozave, në rastin e bllokimit të vazhdueshëm të hundës, dhimbjes së kokës. Më shqetësues është problemi te moshat më të avancuara, sidomos në moshat e brezit të tretë që kanë edhe probleme të tjera shoqëruese, si: hipertensioni, diabeti. Nëse në këto mosha ndodh një rënie e menjëhershme e dëgjimit mundet që gjatë natës të ketë ndodhur një infarkt i arteries që ushqen veshin e brendshëm, si rezultat i një krize hipertensive gjatë natës. Në rastet e traumave akustike nga zhurma e fuqishme, goditjeve me armë, fishekzjarrëve apo kapsollave që mund të plasin në afërsi, qëndrimeve në ambiente me zhurmë të madhe si diskotekat apo pubet. Nëse brenda 24 orëve rënia e menjëhershme e dëgjimit vazhdon, problemet mund të jenë serioze.

Cilat janë shenjat e këtij problemi, si ta kuptojmë nëse është diçka shqetësuese ose jo? Nga çfarë mund të shkaktohet dhe mund të parandalohet?

Shenjat klinike janë rënia e menjëhershme e dëgjimit e shoqëruar apo jo me zhurmë në vesh. Në rastin e virozave shoqërohet me bllokim hundësh, sekrecione të trashura dhe me ngjyrë, dhimbje koke, marrje mendsh etj. Në rastin e bllokimit pas daljes nga dushi mund të shoqërohet me dhimbje të kanalit. Në rastin e pacientëve me sëmundje hipertensive, që mund të anashkalojnë ose të marrin mjekim jo të rregullt dhe ngrihen në mëngjes me humbje të menjëhershme të dëgjimit zakonisht nuk kemi asnjë shenjë tjetër klinike. Pra, në situata të ndryshme edhe klinika është e ndryshme. Serioziteti i patologjisë varet nga shkalla e rënies së dëgjimit, vazhdimësia në kohë dhe nga sëmundjet e tjera shoqëruese. Në bllokimet e menjëhershme pas dushit nga dylli në vesh problemi është i zgjidhshëm në mënyrë të menjëhershme pas vizitës te mjeku orl dhe lavazhit të veshit. Në rastin e bllokimeve pas virozave dhe sidomos pas krizave hipertensive e traumave akustike problemi është më serioz.

Cilat janë ekzaminimet dhe si vendoset diagnoza?

Përditë na vijnë pacientë me rënie të menjëhershme të dëgjimit, zhurmë në vesh dhe shqetësimi i tyre është i dukshëm. Në mënyrë të menjëhershme bëhet otoskopia, pra këqyrja e kanalit të jashtëm të dëgjimit deri në membranë timpanike, ekzaminimi i hundës dhe i fytit, pra i të tria organeve për të shqyrtuar një patologji të mundshme që i lidh të tria. Bëhen provat kamertonale, matja e nivelit të dëgjimit (audiometria) dhe matja e presionit në veshin e mesëm (timpanometria). Në rastin e fëmijëve të vegjël të cilët nuk bashkëpunojnë, bëhet vetëm timpanometria. Ajo që na ndihmon shumë në vendosjen e diagnozës është anamneza ose historia e sëmundjes së pacientit, shenjat e tjera shoqëruese, mosha. Rëniet e menjëhershme të dëgjimit në mosha të reja pa asnjë shenjë klinike, mund të kërkojnë edhe bërjen e një rezonance magnetike të kokës për ndonjë patologji tjetër shoqëruese që nuk ka lidhje me veshin.

Si mund të trajtohet, çfarë këshilloni ju?

Mjekimi i rënies së menjëhershme të dëgjimit është në varësi të situatës, që e ka shkaktuar. Nëse rënia vjen nga bllokimi i kanalit nga dylli aplikohet lavazhi me ujë ose aspirimi i kanalit në varësi të sëmundjeve të mëparshme të veshit. Nëse rënia shoqërohet me probleme të tjera si gjendja virale, bllokimi i hundëve, sekrecione, dhimbje koke atëherë fillohet mjekimi edhe për patologjitë shoqëruese, që e shkaktojnë. Nëse rënia e menjëhershme shfaqet te pacientët me moshë të madhe një ndihmë të madhe në mjekim, jep kortizoni, por këta pacientë edhe mund të hospitalizohen, që të mbahen nën kontroll për problemet hipertensive që shoqërojnë mjekimin me kortizon. E njëjta gjë mund të ndodhë edhe te pacientët diabetikë. Në rastin e krizave të sëmundjes menier ose sëmundjes së veshit të brendshëm fillohet një terapi specifike. Kujdes në rastet e rënies nga traumat akustike, shpërthimet e ndryshme, gjuajtjet me armë me veshët e pambrojtur, ku rëndësi ka momenti i paraqitjes te mjeku sepse edhe minuti është i rëndësishëm në fillimin e terapisë dhe në rikuperimin e plotë të dëgjimit. Do të doja të ngrija një apel sidomos për njerëzit që punojnë në ambiente me zhurmë, me shkrepje armësh, punonjësit e policisë, të ushtrisë, ata që punojnë në industrinë e rëndë, në call center sepse në përgjithësi janë pacientë të rinj. Ndaj mbrojini veshët tuaj nga zhurmat e fuqishme ose nga zhurmat e vazhdueshme përditë! Nëse gjatë procesit të punës nuk është i nevojshëm komunikimi, atëherë të mbrohen veshët me tapa që të minimizohet zhurma. Në rastin e zhurmave dhe rënies pas frekuentimit të pubeve ose diskotekave nëse zhurma vazhdon më shumë se 24 orë duhet një vizitë urgjente me mjekun ORL. Asnjëherë të mos anashkalojmë një bllokim të vazhdueshëm më shumë se një javë sepse dëmtimi mund të jetë i parikthyeshëm ose pjesërisht i rikthyeshëm.

 

 

Të rinjtë, kujdes me përdorimin e kufjeve!

Gjithmonë volumi i zërit mbahet deri në gjysmën e volumit që ka aparati i telefonit ose aparati që prodhon muzikë. Ndërkohë që përdorimi muzikës me zë të lartë për një periudhë rreth 3 muaj ose më shumë te të rinjtë ose adoleshentët që ecin të shpenguar në rrugë me kufjet në vesh është shoqëruar në shumicën e pacientëve me zhurmë në vesh dhe rënie dëgjimi të nivelit të lehtë në mesatar.


Viewing all articles
Browse latest Browse all 2522

Trending Articles