Të gjithë individët që kanë kaluar një herë infeksione nga plazhi duhet të kenë kujdes të veçantë gjatë periudhës së verës. Moshigjiena e mirë e veshit, uji me klor i pishinës ose me kripë i detit, notimi për kohë të gjatë në ujë dhe pa periudha pushimi, hunda e bllokuar e me sekrecione, lagështira e shtuar në vesh, përdorimi pa kriter i kondicionerëve në ambientet e shtëpisë dhe punës na rrezikojnë me shfaqje të infeksionit në vesh
Gjatë stinës së verës temperaturat e larta, pluhuri, djersa dhe frekuentimi i plazheve e pishinave mund t’ju shkaktojë infeksione të veshit. Ankesa më e shpeshtë është dhimbje e veshit, por infeksioni nganjëherë mund të fillojë me bllokim, ndjenjë rëndese, temperaturë deri 40 gradë e të vjella. Në një intervistë për gazetën “Mapo” dr. Klodiana Zaharia, mjeke otorinolaringologe pranë Ambulancës Qendrore në Tiranë, thotë se më të rrezikuarit janë fëmijët e vegjël, të moshuarit që vuajnë nga sëmundje kronike por edhe gratë shtatzëna e nënat e reja. Ndaj, mjekja Zaharia apelon për kujdes gjatë kësaj stine dhe në rast të shqetësimeve nga veshët t’i drejtohen mjekut ORL dhe të mos neglizhojnë pasi me kalimin e ditëve, gjendja mund të rëndohet.
Pse gjatë verës rrezikohemi më shumë nga shfaqja e infeksionit të veshit?
Gjatë stinës së verës, me shtimin e pluhurit, plus dhe frekuentimi i plazheve dhe pishinave, vëmë re një rritje të numrit të pacientëve, që paraqiten te mjeku ORL, kryesisht të gjithë individë që punojnë në ambiente të hapura janë, çka i bën më të ekspozuar ndaj këtyre infeksioneve. Po ashtu pjesa me vulnerabël janë fëmijët e vegjël, moshat e treta, që kanë bashkëshoqëruese sëmundje kronike, si: diabeti, psoriazis, dermatite të ndryshme, bronkit astmatik etj. Otitet (infeksionet e veshit) i ndajmë në dy grupe të mëdha, në bazë të zonës që prek; së pari, otit ekstern, që prek kanalin e jashtëm të dëgjimit, llapën e veshit dhe/ose sipërfaqen e jashtme të membranës timpanike dhe së dyti otit media, i cili prek membranën timpanike, të gjithë kavitetin e veshit të mesëm, plus tubin e Eustakut. Teksa sipas shkaktarit i ndajmë në; virale, bakteriale dhe mykotike.
Si mund ta kuptojmë që po kalojmë infeksion, shenjat?
Ankesa më e shpeshtë dhe shqetësuese është dhimbja e veshit. Por, infeksioni nganjëherë mund të fillojë me bllokim, ndjenjë rëndese ose kruajtje të veshit, temperaturë deri 40 gradë, nausea, të vjella, fëmijët grinden dhe lënë ushqimin. Shpesh vetëm bllokimi i veshit nga dylli i bymyer pas larjes në det e pishina dhe tentativa për ta vetëpastruar mund ta komplikojë rastin dhe të bëhet shkaktar i mbivendosjes së infeksionit. Në rastet e rënda dhe të patrajtuara mund të kemi rrjedhje sekrecionesh të tejdukshme, të cilat me kalimin e ditëve bëhen të verdha, jeshile me erë të keqe. Pacienti kur flet, dëgjon zërin e vet te veshi i sëmurë.
Cilët janë faktorët e riskut?
Të gjithë individët që kanë kaluar një herë infeksione nga plazhi duhet të kenë kujdes të veçantë gjatë periudhës së verës. Moshigjiena e mirë e veshit, mospastrimi i ujit me klor të pishinës ose me kripë i detit, notimi për kohë të gjatë në ujë dhe pa periudha pauze, frekuentimi i ambienteve të përbashkëta të mbipopulluara, hunda e bllokuar e me sekrecione, lagështira e shtuar në vesh, përdorimi pa kriter i kondicionerëve në ambientet e shtëpisë dhe punës, janë faktorë risku.
Kush rrezikohet më shumë nga shfaqja e këtij infeksioni?
Nënat me fëmijë të vegjël, gratë shtatzëna, moshat e treta janë grup popullata me riskun më të lartë për të bërë infeksione të veshit. Po ashtu diabeti, kimioterapia, trauma e veshit, membrana timpanike e përforcuar, dhe çdo sëmundje kronike e patrajtuar e rëndon situatën e një veshi të sëmurë.
Si procedohet për vendosjen e diagnozës dhe përcaktimin e problemit?
Në çdo rast që kemi një shqetësim të veshit, pacienti duhet të paraqitet te mjeku specialist Otorhinolaringolog. Është ai që vendos për llojin e infeksionit, për ekzaminimet shtesë, analizat laboratorike që çojnë drejt vendosjes së diagnozës sa më të shpejtë. Mikrobet më të shpeshta të izoluara në kultura nga veshi janë: streptococus pneumoniae, staphylocoçus aurecus, escherichia coli, haemophilus influenzae, moraxella catarrhalis.
Cili do të ishte trajtimi më i mirë?
Duhet theksuar se në shumicën e rasteve diagnoza është klinike, pra mjeku mbledh të dhënat, ankesat, bën ekzaminimin e kujdesshëm të veshit, otoskopi, oroskopi, rinoskopi. Më pas vendoset strategjia e mjekimit, nëse veshi ka papastërti (debrisë) dhe dyllë largohen ato me aspirator. Mund të bëhet një shpëlarje e kanalit me ujë borik të vakët (37 gradë). Menaxhimi i shpejtë i dhimbjes me anti-inflamatorë josteroidiene është kyç në suksesin e terapisë. Mjeku zgjedh rast pas rasti antibiotikun ose antimykotikun dhe vendos dozën e saktë, plus ditë-zgjatjen e skemës. Pacienti vendoset në mbikëqyrje dhe rikontroll pas disa ditësh të trajtimit ambulator.
A mund të parandalohen infeksionet e veshit?
Çdo herë që kemi ndjenjën e bllokimit apo kruajtjes së veshit, duhet të evitohet përdorimi i kunjave, sendeve të forta apo shkopinjve me pambuk. Mjafton përdorimi i një sprai me ph lehtësisht acid, shpëlarje (irrigimi) e veshit me të, për të larguar ndjenjën e kruajtjes dhe lagështirës në vesh. Edhe tretësirat alkoolike kryejnë të njëjtin funksion. Është detyrë e prindërve, që pas mbarimit të banjove të diellit, të largojnë nga veshët e fëmijëve ujin me kripë apo klor, duke i larë me ujë të vakët e të bollshëm. Mbajtja me vete e pikave për vesh, sprait për hundë, ibuprofenit, mund të ndihmojë në parandalimin e një infeksioni të veshit, si dhe fitimit të kohës, po kështu mund të fillohet përdorimi edhe pa arritur te mjeku.