Nëse shfaqet në periudhën e pubertetit është formë më e lehtë e hirsutizmit. Nëse hirsutizmi shfaqet në moshë madhore atëherë lidhet më tepër me tumore të gjëndrës mbiveshkore apo ovareve. Gjithashtu, nëse shfaqja e hirsutizmit është e menjëhershme dhe progresive sugjeron për forma tumorale
Nuk është një problem vetëm estetik, por mund të jetë edhe shëndetësor. Hirsutizmi është një nga patologjitë më të shpeshta endokrine dhe në varësi të shkallës mund të çojë në probleme të mëdha shëndetësore. Konkretisht ajo që në mjekësi përkufizohet si hirsutizmi, njihet si dalja e qimeve terminale te femrat në zona mashkullore. Ersida Golemi, mjeke endokrinologe në Poliklinikën e Specialiteteve nr. 3 në Tiranë në një intervistë për “Mapo”, shpjegon se lidhur me hirsutizmin duhet kryer një vizitë mjekësore te mjeku endokrinolog, për të përcaktuar shkakun dhe më pas për të vendosur diagnozën dhe formën e trajtimit, ndërsa apelon për mosneglizhim pasi format e rënda të hirsutizmit kanë vdekshmëri të lartë.
Çfarë është hirsutizmi?
Hirsutizmi përkufizohet si dalja e qimeve terminale te femrat në zona mashkullore. Është një nga patologjitë më të shpeshta endokrine, gati 10% të grave në SHBA e kanë këtë problem. Në varësi të shkallës së hirsutizmit mund të çojë në probleme të mëdha shëndetësore. Trupi përpara pubertetit mbulohet nga vellus, që janë qime të holla të shkëlqyeshme. Janë androgjenët pubertal ata që përcaktojnë kthimin e vellus në qime terminale, të cilat janë më të trasha dhe kanë pigment. Disa zona si koka dhe vetullat janë të pandikuara nga veprimi i androgjenëve. Dihidrotestosteroni është androgjeni i cili vepron në folikulin e flokut për prodhimin e qimeve terminale. Ai prodhohet nga shndërrimi i testosteronit nën veprimin e 5-alfa-reduktazës në folikulin e qimes. Burimi kryesor i androgjenëve te femrat janë gjëndra mbiveshkore dhe ovaret. Është pikërisht aktiviteti i enzimës 5 alfa-reduktazë që shpjegon pse disa femra me të njëjtin nivel testosteronesh kanë shkallë të ndryshme të hirsutizmit. Te femrat gjëndra mbiveshkore prodhon androstenedion, DHEA,DHEAS dhe testosterone. Ovaret prodhojnë androstenedion dhe testosterone.
Kush është shkaku i hirsutizmit dhe a ka shenja të tjera dalluese?
Hirsutizmi mund të vijë nga patologji të gjëndrës mbiveshkore ku përfshihen; tumore të gjëndrës mbiveshkore, sindroma Cushing , hiperplazia adrenale kongjenitale dhe nga ovaret, ku përfshihen tumore të ovareve apo PCOS ( sindromi i ovarit polikistik), si dhe hirsutizmi idiopatik i cili është më tepër një diagnozë përjashtuese kur nuk gjendet asnjë shkak tjetër. Në rastin e hirsutizmit më e rëndësishmja është të përjashtohen shkaqet e rëndësishme. Mosha është një e dhënë e rëndësishme. Nëse shfaqet në periudhën e pubertetit atëherë lidhet më tepër me hirsutizmin idiopatik apo PCOS, që janë formë më e lehtë e hirsutizmit. Në këto raste anamneza familjare është e rëndësishme. Nëse hirsutizmi shfaqet në moshë madhore atëherë lidhet më tepër me tumore të gjëndrës mbiveshkore apo ovareve. Gjithashtu, nëse shfaqja e hirsutizmit është e menjëhershme dhe progresive sugjeron për forma tumorale. Klinikisht mund të shoqërohet me çrregullime të ciklit menstrual, acanthosis nigricans, mbipeshë, prani e akneve në fytyrë etj. Zonat e trupit të përdorura për të klasifikuar hirsutizëm janë buzët e sipërme, mjekër, gjoks, këmbë, kofshë, krahun e sipërm, parakrah, prapa krah, pjesa e poshtme e shpinës, barku i sipërm dhe barku i poshtëm.
Hirsutizmi është një problem estetik apo shëndetësor?
Hirsutizmi nuk është një problem vetëm estetik. Siç u përmend janë patologji të ndryshme endokrine të cilat duhen përjashtuar. Shpeshherë pacientët na rekomandohen nga dermatologu për këtë problem. Por ndonjëherë nga qendrat estetike ku në mënyrë joprofesionale është tentuar heqja e tyre. Në çdo rast duhet përjashtuar nga endokrinologu mundësia e një problemi hormonal të lidhur me gjëndrën mbiveshkore apo me vezoret. Format e rënda të hirsutizmit kanë mortalitet të lartë. Në rastin e hirsutizmit idiopatik niveli hormonal i testosteronit mund të jetë normal ose lehtësisht i rritur. Kjo është forma më e lehtë e hirsutizmit dhe lidhet më tepër me histori familjare. Shfaqet më tepër në periudhën e pubertetit.
Kush janë analizat hormonale që bëhen në këtë rast?
Rreth 50% e femrave mund të kenë nivel mesatar të hirsutizmit por nivel të lartë të androgjeneve. Testosteroni është androgjeni më specifik që matet në këto raste dhe preferohet niveli i testosteronit të lirë, të palidhur me proteinat. Kur niveli i tij është shumë i lartë lidhet më tepër me tumore të gjëndrës mbiveshkore apo të vezoreve. Vlerat mesatare apo normale lidhen më tepër me format beninje si hirsutizmi idiopatik apo sindromi ovarit polikistik. DHEAS ( Dehidroepiandosteron sulfat) duke qenë se sintetizohet në gjëndrën mbiveshkore atëherë rritja e tij tregon për probleme që vijnë nga gjëndra mbiveshkore. Ekzaminime të tjera janë 17 (OH) progresteroni, kortizoli, niveli ACTH, FSH, LH, vlerësim i diabetit mellitus pasi 5% e tyre kanë diabet, eko abdominale për të vlerësuar një masë tumorale apo kistet në vezore.
Trajtimi i hirsutizmit
Trajtimi i hirsutizmit bëhet në varësi të shkakut. Terapitë sistemike kundër hirsutizmit ndahen në ato që zvogëlojnë prodhimin e androgjenëve ovarian apo surenal, dhe ato që pengojnë veprimin e androgjenëve në lëkurë. Në terapitë sistemike bëjnë pjesë glukokortikoidet, kontraceptivët oralë, spironolaktoni, flutamidet, finasteridi, ciproteron acetat, sensitivët e insulinës (metformina dhe rosiglitazonë) sipas rekomandimit të mjekut endokrinolog. Në rastin e hirsutizmit idiopatik, kur niveli hormonal është normal mund të bëhet vetëm trajtim kozmetik i cili duhet vlerësuar mirë pasi ka disavantazhet e veta. Peroxidi i hidrogjenit nuk përdoret në hirsutizmin e rëndë. Depilimi mund të shkaktojë irritim të lëkurës dhe predispozicion për infeksione. Elektroliza mund jetë e dhimbshme. Terapia me laser përdoret në rastet kur niveli hormonal është normal dhe është më efektive.