Lajmi për vezët e kontaminuara ka dominuar në mediat europiane këto ditë.
Shqetësimi ka mbërritur edhe në Shqipëri, ku autoritetet kanë qetësuar opinionin publik duke thënë se ky rrezik nuk ekziston në vendin tonë.
Por Belgjika e ka pranuar se e dinte që në qershor se vezët e fermave holandeze mund të jenë të kontaminuara me një insekticid.
Informacioni nuk është ndarë me vendet e tjera për shkak të një hetimi për mashtrim, bëri të ditur Belgjika.
Fakti që belgët e dinin që në qershor këtë gjë, ka irrituar ndjeshëm gjermanët.
Ministri gjerman i Agrikulturës, Christian Schmidt shprehu shqetësim për këtë fakt dhe tha se do të thërrasë të hënën homologun e tij belg.
Supermarketet në Belgjikë, Gjermani dhe Holandë i kanë hequr nga shitja vezët e dyshuara.
Megjithatë mendohet se gjermanët kanë konsumuar të paktën 10 milionë vezë të dyshuara si të kontaminuara.
Vezët vinin nga Holanda, që është një prej eksportuesve më të mëdhenj të vezëve në botë.
Ky vend prodhon 10 miliardë vezë çdo vit.
Për momentin në këtë vend janë mbyllur 180 pulari përkohësisht, ndërkohë që vazhdon hetimi.
Vezët dyshohet se përmbanin një kimikat të quajtur fipronil, që shkakton dëme në mëlçitë, veshkat dhe gjendrat tiroide të njerëzve.