Quantcast
Channel: Shëndeti – Gazeta Mapo
Viewing all articles
Browse latest Browse all 2522

Arresti kardiak, çdo vit vdesin tre mijë persona

$
0
0

Doktor Skënder Brataj, drejtor i Përgjithshëm i Qendrës Kombëtare të Urgjencës Mjekësore, në një intervistë për “Mapo” shpjegon si mund t’i jepet ndihma e parë një personi të goditur nga arresti kardiak

Çdo vit në Shqipëri dhe në botë me mijëra persona goditen nga arresti kardiak me ose pa shenja klinike paraprake duke shkaktuar mijëra viktima. Statistikat tregojnë se raporti i vdekjeve të papritura me origjinë kardiake është mesatarisht 1/1000 banorë, gjë e cila do të thotë që në tre milionë banorë që ka Shqipëria çdo vit vdesin tre mijë persona. Patologjitë kardiake dhe aksidentet automobilistike, janë përgjegjëse për përqindjen më të lartë të vdekshmërisë në orën e parë në të gjithë botën por doktor Skënder Brataj, drejtor i Përgjithshëm i Qendrës Kombëtare të Urgjencës Mjekësore, në një intervistë për “Mapo” shpjegon se shumica e njerëzve që pësojnë arrest kardiak vdesin nga pamundësia e dhënies së ndihmës. Shansi për të mbijetuar është më pak se 6 për qind, kur ndodh jashtë mjedisit të spitalit, mirëpo nëse ndërhyhet me kohë edhe nga qytetarët e pranishëm në një gjendje të tillë mund ta shpëtojnë një person me arrest kardiak. Qytetarët e thjeshtë mund të ushtrojnë dhënien e frymëmarrjes artificiale për ta bërë zemrën të filloi përsëri të punojë. Ata gjithashtu mund të mësojnë të përdorin një defibrilator të jashtëm, pajisje që dërgon shok elektrik në zemër në përpjekje për ta kthyer në ritmin e saj normal.

Çfarë është arresti kardiak?

Arresti kardiak është një gjendje klinike që karakterizohet nga mosfunksionimi i indit elektrik të zemrës ose mungesa e aktivitetit efikas kardiak: mosfunksionimi i indit elektrik përfaqëson mekanizmin më të shpeshtë të arrestit dhe fibrilacioni ventrikular është ndryshimi më i shpeshtë që ndodh në arrestin kardiak, sidomos në atë paraspitalor (70% e pacientëve). Arresti kardiak nuk duhet të ngatërrohet me infarktin e miokardit, sepse shpeshherë përdoret si term i përbashkët, por nuk janë e njëjta gjë. Infarkti është një ndër shkaqet më të shpeshta të arrestit kardiak kur mbyllet një arterie koronare me kalibër të madh, por jo çdo infarkt shkakton arrest kardiak.

 Çfarë është vdekja e papritur?

Ndërprerja e menjëhershme dhe e papritur e aktivitetit kardiovaskular dhe respirator, e paraprirë ose jo nga shenja dhe simptoma, në një person me ose pa sëmundje kardiake të njohura më parë. Shkaqet e arrestit janë me origjinë kardiake dhe jokardiake, si: mungesa e oksigjenit (Hipoksia), humbja e lëngjeve ose hemorragjia (Hipovolemia), çrregullimet elektrolitike (Hipo –hiperkalemia), temperatura e ulët trupore (Hipotermia), Acidoza metabolike (Jonet hidrogjen), mbushja e perikardit me likid (Tamponada), shpimi i mushkërisë dhe dalja e ajrit në hapësirën pleurike (Pneumotoraksi), helmime nga ilaçe, droga, helme (Intoksikimet), trombembolia pulmonare (TEP), si dhe tromboza e koronareve (IMA)

Cilat janë shenjat dhe simptomat?

Dhimbje në qendër të gjoksit e shpërndarë në drejtim të mandibulës, të shpatullave, qafës dhe krahut të majtë. Një simptomë e rëndësishme që duhet vlerësuar me kujdes është epigastralgjia (dhimbja e stomakut), që në një përqindje të madhe është infarkt inferior. Prandaj këshillimi është që çdo dhimbje nga umbilikusi deri te qafa të konsiderohet me origjinë kardiake deri në provën e kundërt. Vështirësi në frymëmarrje dhe dobësi të përgjithshme, nauze, të vjella dhe djersitje. Ndjesi presioni, shtypje ose shtrëngim në gjoks. Këto shenja dhe simptoma mund të paraqiten si gjatë sforcimit fizik ashtu dhe në qetësi. Janë të gjitha gjendje pre-arresti, të cilat po nuk u zbuluan dhe trajtuan në kohë, çojnë në arrest kardiak. Ndaj dhe njohja e tyre, njoftimi i menjëhershëm i shërbimit të urgjencës mjekësore nëpërmjet numrit unik 127, janë vendimtare për uljen e vdekshmërisë dhe invaliditetit.

Cilat janë shkaqet?

Faktorët e rrezikut janë: hipertensioni (presioni i lartë i gjakut), arteroskleroza, diabeti mellitus, konsumimi i duhanit dhe alkoolit, përdorimi drogave të ndryshme. Një rol të rëndësishëm kanë dhe ushqyerja, dieta e paekuilibruar dhe jeta sedentare të cilat favorizojnë shfaqjen e patologjive kardiake. Po ashtu mungesa e aktivitetit fizik, obeziteti, mosha, gjinia, anamneza familjare pozitive për sëmundjet e zemrës (predispozicioni gjenetik) dhe faktorët psikosocialë.

Cilat do të ishin rekomandimet dhe këshillat tuaja?

Për parandalimin e patologjive kardiovaskulare është shumë i rëndësishëm kontrolli i herëpashershëm te mjeku dhe përmirësimi i stilit të jetesës. Për këtë rekomandohet kontrollimi periodik i vlerave të presionit arterial, i frekuencës kardiake, kryerja e check up bazë: hemograma, transaminazat për kontrollin e funksionit hepatik, azotemia dhe kreatinemia për kontrollin e funksionit renal, glicemia, lipidet dhe kolesteroli, sidomos në rastet me histori familjare pozitive për sindromin metabolik (hipertension arterial, hiperglicemi dhe hiperlipidemi). Sindromi metabolik është shkaku kryesor i invaliditetit në shoqëritë perëndimore. Të sëmurët kronikë duhet të përdorin rregullisht terapinë mbajtëse, të mos e ndërpresin atë nga neglizhenca apo mungesa e simptomave akute. Këshillohet mospërdorimi i duhanit, alkoolit dhe drogave. Dieta ushqimore të jetë e ekuilibruar, në yndyra me përmbajtje HDL, karbohidrate, proteina dhe vitamina, minerale dhe antioksidantë. Së bashku me dietën e ekuilibruar po aq i rëndësishëm është dhe aktiviteti fizik, minimumi 2 deri në 3 herë në javë me kombinim ushtrimesh aerobike dhe anaerobike, si dhe ecje (të paktën 30 minuta çdo ditë). Mbajtja e peshës në normë.

 

Si veprohet në rastet e periarrestit:

Shfaqja e simptomave të periarrestit tek i sëmuri, i vetëdijshëm (përgjigjet, merr frymë dhe bashkëpunues):

-Duhet ta qetësojmë atë, të mos largohemi dhe të njoftohet menjëherë Shërbimi Kombëtar i Urgjencës Mjekësore nëpërmjet numrit unik 127/112 dhe të kërkohet ndihmë. Është shumë e rëndësishme dhënia e informacionit të saktë për sa i përket simptomave të të sëmurit, vendndodhjes dhe lënia e lirë e telefonit.

-Në rastet kur pacienti është i pavetëdijshëm, nuk përgjigjet kur i flasim apo kur e prekim, dhe\ ose nuk ka puls, nuk merr frymë, domethënë nuk ka shenja jete: Telefono menjëherë 127 dhe kërko ndihmë dhe një defibrilator, mbaje telefonin e lirë, filloni të jepni ndihmën e parë Mbajtja e parametrave jetësore dhe defibrilimi –( BLS&D. BLS & D).

Mbajtja e parametrave jetësore dhe defibrilimi- (Basic Life Support & Defibrillation)

Kur një person shkon në arrest kardiak zemra pushon së rrahuri dhe nuk kemi më qarkullim të gjakut të furnizuar me oksigjen, si pasojë indet e ndryshme vuajnë mungesën e tij. Indet që e ndiejnë mungesën e oksigjenit më shumë janë indi cerebral dhe ai kardiak, të ashtuquajtura dhe organet mbretërore. Faktori kohë është pika kyçe e mbijetesës së një personi. Dëmtimi anoksik cerebral fillon pas 4 – 6 minuta të mungesës së qarkullimit të gjakut (O2, oksigjenit) dhe pas 10 minutash ndodhin dëmtime cerebrale të parikthyeshme (në mungesë të O2 dhe RKP-së). Kjo do të thotë që nëse një personi do t’i bëhet RKP (Reanimacioni Kardio- Pulmonar) pas 10 minutash, ai mund të kthehet në jetë por nuk do të zgjohet ndonjëherë, pra do të jetë në komë dhe invalid për gjithë jetën. Prandaj është shumë e rëndësishme që në 10 minutat e para kushdo që ndodhet pranë pacientit, personel mjekësor ose jo, duhet të jetë në gjendje të bëjë RKP-në, pra shtypje gjoksi dhe ventilim, ose të paktën shtypje gjoksi deri në mbërritjen e ekipit me personel mjekësor. Kjo mënyrë veprimi kryhet nëpërmjet protokollit telefonik të Arrestit Kardiak nga Njësia e Koordinimit, duke kursyer 10 minutat e arta ose e thënë me gjuhën tonë blerje e kohës, ringjallje dhe ulje e invaliditetit të pacientëve.

Sekuenca e BLS-së (Mbajtja e parametrave jetësorë)

Parashikon një seri manovrash dhe veprimesh të koordinuara me një sekuencë kronologjike të përcaktuar sipas protokolleve shkencore, me standarde ndërkombëtare.

Gjëja e parë që kryhet kur bëjmë manovrat e shpëtimit të jetës, është sigurimi i jetës sonë, ekipit dhe vlerësimi i rrezikut aktual dhe potencial. Nëse këto rreziqe potenciale janë prezente si në aksidentet automobilistike, shpërthime, tërmete, shembje masive, përmbytje etj., është detyrë e zjarrfikësve të sigurojnë vendngjarjen dhe vendndodhjen duke eliminuar të gjitha rreziqet, pastaj ndërhyn personeli mjekësor dhe mbështetës.

Menjëherë bëhet vlerësimi i koshiencës së pacientit. Nëse nuk përgjigjet kërkojmë ndihmë nëpërmjet nr. unik 127/112 dhe kërkojmë të sjellin një defibrilator.

Pas vlerësimit të koshiencës bëhet vlerësimi i pulsit dhe frymëmarrjes (i shenjave të jetës). Nëse ato mungojnë fillon menjëherë RKP (Reanimacioni kardio- pulmonar) sipas shpjegimit të mëposhtëm:

Qarkullimi i gjakut -(Circulation)

Shtypjet e gjoksit: Pasi është verifikuar që nuk ka shenja jete pozicionohemi anash pacientit në lartësinë e gjoksit. Pika e vendosjes së duarve në gjoks është linja intermamelare, në qendër të tij. Vendosen të dyja duart njëra mbi tjetrën dhe pozicionohemi pingul me pacientin dhe kryejmë shtypjet e gjoksit, pra fillohet masazhi kardiak.

Përdorni peshën e trupit duke lëvizur artikulacionin e baçinit dhe shtypni gjoksin e pacientit jo më pak se 5 dhe jo më shumë se 6 cm thellësi.

Mënyra e kryerjes së RKP është 30 shtypje gjoksi dhe 2 ventilime, për 5 cikle ose 2 minuta. Nëse në vendngjarje janë dy dhënës të ndihmës së parë: njëri duhet të bëjë shtypjet e gjoksit dhe tjetri duhet të kryejë ventilimin (gojë më gojë, pocket mask dhe ambu).

Pas 2 minutash dhënësit e ndihmës së parë ndërrohen me njëri-tjetrin në rolet e tyre për të garantuar cilësinë e RKP-së. Shtypjet e gjoksit bëhen me një frekuencë 100-120 në minutë.

Koha e shtypjes dhe relaksimit të gjoksit janë të barabarta, pra në raport 1/1.

Frymëmarrja – (Breathing)

Pas 30 shtypjeve të gjoksit bëhen 2 ventilime në sekondë secila dhe fillohet përsëri cikli 30/2.

Mbajtja hapur e rrugëve të frymëmarrjes – (Airway)

Hiperekstensioni i kokës: Lirimi i rrugëve të frymëmarrjes bëhet duke vënë dy gishta në pjesën kockore të mandibulës, dora tjetër në ballë dhe tërheqja mbrapa e kokës duke shkaktuar hiperekstensionin e saj dhe hapjen e rrugëve të frymëmarrjes.

Mbajtja hapur e rrugëve të frymëmarrjes bëhet edhe me anë të kanjulës orofaringeale. Bëhet inspektimi i hapësirës së gojës për të verifikuar praninë ose jo të trupave të huaj. Vetëm nëse janë të dukshëm bëhet heqja e tyre.

Defibrillation

Me mbërritjen e AED (defibrilator automatik ekstern), sekuenca e veprimit është si më poshtë:

  1. Ndiz AED.
  2. Vendos piastrat në kraharor.
  3. Lidh kavon me AED.
  4. Analizo ritmin.
  5. Sigurohu që të gjithë të jenë të larguar nga pacienti me mesazhin e sigurisë.
  6. Shtyp butonin e shokut për dhënien e goditjes elektrike, nëse është e indikuar.
  7. Alterno sekuencën: 1 Goditje elektrike me 2 minuta RKP (5 cikle 30/2).
  8. Analizo ritmin pas 2 minutash (5 cikle 30/2).

RKP-ja nuk duhet të ndërpritet derisa të shfaqen shenjat e jetës ose derisa të vijë ekipi mjekësor.

Ndihma e parë edhe në plazh

Qendra Kombëtare e Urgjencës Mjekësore ne bashkëpunim me Bashkinë Vlorë në dt. 26 korrik realizuan kursin Lifeguard për dhënien e ndihmës së parë në det. Pjesëmarrës ishin forcat e policisë dhe punonjësit e bashkisë Vlorë.

Përgjatë datave 4 -6 gusht QKUM në bashkëpunim me Agjencinë Kombëtare të Turizmit dhe bashkitë Vlorë, Sarandë, Himarë vijon me kurset e shpëtimit të jetës në bregdetin shqiptar në Sarandë, Ksamil, Himarë, Vlorë plazhi i vjetër, Zvernec, Orikum, Dhërmi, Jalë, Radhimë, Lungomare, Llogara.

Kursi përfshin: parandalimin e aksidenteve dhe mbytjeve në det, mënyrat e hyrjes në det të Lifeguard (dhënës i ndihmës së parë) që kërkon të ndihmojë viktimën që po mbytet, mënyrat e shpëtimit së viktimës në det, mënyrat e transportimit të viktimës në breg, mënyrat e nxjerrjes së viktimës nga deti në tokë, manovrat bazë të jetë shpëtimit (BLS) kur viktima është jokoshient.

 


Viewing all articles
Browse latest Browse all 2522