Quantcast
Channel: Shëndeti – Gazeta Mapo
Viewing all articles
Browse latest Browse all 2522

Marramendja: Kur duhet të shqetësohemi, shkaqet dhe trajtimi

$
0
0

Doktoresha Anjeza Kuçi, mjeke otorinolaringologë në Poliklinikën e Specialiteteve Nr. 3 në Tiranë, në një intervistë për “Mapo”, shpjegon problemet që vijnë nga marramendja nga veshi, shkaqet dhe diagnostikimi me videonistagmografi për të përcaktuar edhe diagnozën e saktë

Çdonjëri prej nesh një herë në jetë mund të ketë patur marrje mendsh. Ndjesi e sikletshme veçanërisht nëse jeni në lëvizje, duke kryer një aktivitet apo në punë. Por marramendja mund të ndodhë edhe në gjendje qetësie dhe kur jemi ulur. Sindromi vertiginoz apo marramendja, mund të jetë sinjali i parë që çon trupi ynë për probleme të tjera shëndetësore që po kalon. Edhe pse kjo është shenja që çon shumë pacientë drejt kryerjes së një vizite mjekësore, doktoresha Anjeza Kuçi, mjeke otorinolaringologë në Poliklinikën e Specialiteteve Nr. 3 në Tiranë, në një intervistë për “Mapo”, shpjegon se veçanërisht te të moshuarit kjo ndjesi perceptohet më shumë edhe si shkak i sëmundjeve kronike, si: hipertensioni, diabeti, sëmundjet reumatizmale dhe problemet me veshka. Mirëpo, doktoresha apelon për kontrolle dhe ekzaminime të imtësishme për të përjashtuar probleme apo sëmundje të veshit, por edhe për hetuar probleme shëndetësore të cilat manifestohen me marramendje.

Çfarë është marramendja dhe kur duhet të shqetësohemi?

Marramendja apo sindromi vertiginoz, një ndjesi e cila perceptohet sikur na rrotullohet toka, sikur rrotullohemi ne rreth saj, ndonjëherë sikur jemi të dehur gjithë kohës, sikur na zë makina, shpeshherë ndryshon edhe cilësinë e jetës së përditshme apo ul aftësinë për punë, që përbën edhe problemin kryesor te pacientët që punojnë në lartësi të mëdha apo duhet t’i japin makinës. Kjo është një nga shenjat më të shpeshta për të cilën pacienti paraqitet te mjeku; dhe një nga shenjat kryesore, që mjeku i përgjithshëm e ka më të sikletshme për t’u diagnostikuar. Është një term i përdorur nga pacienti për të përshkruar ndjesi të ndryshme që nga rrotullimi; te ndjesia e rënies së menjëhershme në tokë e deri te ndjesia e disekuilibrit. Njëkohësisht marramendja është një nga shqetësimet kryesore për të cilën ankohen edhe pacientet tanë. Ata paraqiten në shërbimin e ORL-së me një “diagnozë” të vendosur prej tyre, prej njerëzve të tyre apo ndonjëherë edhe prej mjekëve me një term të gabuar siç është veshi i mesit, i cili si term anatomik referuar problemeve të veshit të brendshëm që kanë lidhje me marramendjen është i gabuar.

A kemi të dhëna rreth këtij problemi, sa për qind e popullsisë vuan?

Sipas statistikave 15% e popullatës vuan nga marramendja, ku 30-40% janë shkaqe otologjike ose të veshit, 2-30% janë shkaqe neurologjike, 5-30% vjen nga përdorimi i medikamenteve të ndryshme kryesisht te pacientët kronikë me hypertension, diabet mellitus, hipotireosis, astma bronkialis etj., 15 -50% janë probleme psikiatrike, si dhe 20- 25 % mbeten të padiagnostikuara. Këto janë të dhëna të marra nga Shoqata Kombëtare Amerikane e Shëndetit sipas së cilës rreth 35% e popullatës amerikane mbi 40 vjeç ka probleme ekuilibri. Pra, siç e shohim problemet e veshit janë të rëndësishme por jo të vetmet në marramendje.

Cilat janë problemet kryesore të veshit që ndikojnë në marramendje?

Për lehtësi studimi veshin e ndajmë në tre pjesë; veshi i jashtëm ku përfshihen llapa e veshit dhe kanali i jashtëm i dëgjimit, veshi i mesëm ku përfshihet membranë timpanike ose daullja e veshit dhe kockat e dëgjimit dhe veshi i brendshëm ku përfshihen organi i dëgjimit ose kërmilli dhe kanalet semicirculare ose organi i ekuilibrit. Përgjithësisht kur flasim për sindromin vertiginoz apo marramendjen flasim për probleme të veshit të brendshëm dhe jo të veshit të mesëm, prandaj ky është një term i gabuar. Në shkaqet kryesore të problemeve të veshit është vertigo apo marramendja e pozicionit, si rezultat i zhvendosjes së shtresës së karbonatit të kalciumit ose shtresës otokoniale në brendësi të kanaleve gjysmërrethore të veshit të brendshëm, që kuptohet nga pacienti në lëvizjen e kokës në hapësirë dhe zgjat me sekonda. Kjo shoqëron sidomos patologjitë e tjera të breznisë së tretë si hipertensioni, diabeti, problemet e veshkave, sëmundjet reumatizmale autoimmune, por edhe traumat e kokës, e problemet e tjera të veshit. Shkaku i dytë që ndikon është sëmundja tipike e veshit të brendshëm apo sëmundja Menier sipas mjekut që i pari e studioi, me shenjat tipike karakteristike marramendja, ulja e dëgjimit, zhurma në vesh, nauze, të vjella, e cila ka një komponent gjenetik shumë të fortë në shfaqjen e saj, ka karakterin e beftë por tipik të shfaqjes dhe bëhet akoma më e vështirë në mjekim dhe e rrezikshme nëse shfaqet në të dy veshët. Shkaqe të tjera janë infeksionet akute të veshit të brendshëm si neuroniti vestibular, labirintitet, fistula perilabirintike apo komunikimi i veshit të mesëm me veshin e brendshëm, tumoret e veshit të mesëm apo kolesteatomat.

A ndikojnë sëmundje të tjera në marramendje?

Shkaqet neurologjike: insulti cerebral, hemorragjia cerebrale, tumoret e trurit të vogël, migrena, skleroza multiple. Faktorë të tjerë janë sëmundjet kardiovaskulare, diabeti mellitus apo sëmundja e sheqerit, spondiloartrozat cervikale apo problemet reumatizmale të pjesës cervikale të shtyllës kurrizore, problemet alergjike, hipotireoza dhe disfunksioni i gjëndrës tiroide. Sipas studimeve të fundit, në një studim të nisur nga Greqia, në Universitetin e Selanikut, megjithëse ne jemi vende mesdhetare me rreth 250 deri në 300 ditë në vit diell mungesa e vitaminës D në organizëm, e cila dihet që sintetizohet nga rrezet e diellit, kemi në popullatë një nivel të ulët të vitaminës D, që mendohet si një nga shkaqet e sindromit vertiginoz. Gjithë kjo skemë i ndihmon pacientët tanë të kuptojnë se jo çdo marramendje lidhet me problemet e veshit, megjithëse ato zënë një vend të rëndësishëm.

Cila është mosha që preket më shumë?

Në sëmundjen Menier mosha më e prekshme është midis 40 -60 vjeç, prevalencë e shfaqjes është 15­­ deri në 157 në 100.000 banorë dhe rreth 10% e pacientëve, që kanë bërë “Menier” nga njëri vesh bëjnë edhe nga veshi tjetër. Megjithëse ekzistojnë edhe rastet tipike të shfaqjes së sëmundjes në moshat e reja, kryesisht pas moshës 20 vjeç në të cilët faktori gjenetik është shumë i rëndësishëm. Shfaqet pothuaj njëlloj si në meshkuj dhe në femra.

Si vendoset diagnoza dhe çfarë na shqetëson më shumë në problemet e veshit të brendshëm?

Në momentin e parë që pacienti hyn në zyrën tonë dhe është me marrje mëndsh shenjat klinike janë shumë të qarta. Fillojmë me ekzaminimet rutinë si otoscopia për të përjashtuar problemet e tjera të kanalit të jashtëm të dëgjimit deri te membrana timpanike, shikojmë lëvizjet e pakontrolluara të bulbit okular. Sepse veshi i brendshëm lidhet me rrugë nervore me muskujt e jashtëm të syrit, dhe kështu testojmë nystagmusin, e çojmë pacientin për të bërë një audiogramë që është ekzaminimi që përcakton në mënyrë cilësore dhe sasiore dëgjimin që dëmtohet në mënyrë tipike në sëmundjen e veshit të brendshëm dhe tregon dëmtim të nervit të dëgjimit. Një ekzaminim tjetër më specifik është Videonistagmografia, e cila kryhet jo nga të gjithë mjekët ORL sepse kërkon një minispecializim të veçantë dhe bën një diagnozë diferenciale midis një sindromi vertiginoz me origjinë central dhe një patologjie periferike ku futen sëmundjet e veshit të brendshëm. Kërkohen edhe analizat laboratorike ku futen analizat klinike dhe biokimike të gjakut, testimi i funksionit të gjëndrës tiroide, niveli i vitaminës D etj. Rëndësi të madhe luan anamneza e pacientit dhe sëmundjet sistemike që ka sidomos në brezninë e trete, ku diagnozat janë shtuese dhe jo përjashtuese, në shumicën e rasteve, dhe me të vështira. Rol të madh luajnë edhe konsultat me mjekun kardiolog, reumatolog, endokrinolog, neurolog etj. Te të rinjtë, sidomos mosha 20 vjeç dhe sidomos ata me gjenezë familjare për sëmundje të veshit të brendshëm diagnoza është më e lehte, pasi shenjat klinike janë të dukshme, por në rastet kur kemi dyshime edhe pas bërjes së videonistagmografisë, ekzaminime si rezonanca magnetike e kokës me lëndë kontrasti na vijnë në ndihmë.

Cili është mjekimi që përdorim?

Në rastin e sëmundjes Menier, sidomos te personat e rinj, pas krizës së parë mbetet një zhurmë në vesh, e cila qetësohet deri në zhdukje pas mjekimit, por nëse krizat intensifikohen zhurma mbetet permanente si rezultat i dëmtimit të nervit të dëgjimit. Diagnostikim dhe fillimi sa më i shpejtë i mjekimit janë çelësi i artë në këto raste. Mjekimi në krizën e parë me vazodilatatore, vitaminoterapi, gingo complex, piracetam etj., duhet të jetë i zgjatur dhe i plotë në mënyrë që të shtyjmë periudhën e një rishfaqjeje sepse kjo është ajo që na shqetëson më shumë. Në rastet kur mjekimi nuk jep efekt injektohen nga mjeku ORL në zonën pas membranës timpanike injeksione me gentamicinë ose dexamethasone, në varësi të gjendjes.

Këshilla

Këshillojmë një mënyrë të shëndetshme të të jetuarit, një gjumë të mirë, një dietë ushqimore pa alkool, pa duhan, pa kripë dhe pa kafeinë. Në rastin e problemeve infeksioze apo virale, si labirintitet apo neuritet vestibulare, sinusitet akute virale e bakteriale, infeksionet kronike të daulles së veshit që shoqërohen me rrjedhje të veshit, në sëmundje të lindura që shfaqen pas moshës 18 vjeç, si otosclerosis, që të gjitha mund të shoqërohen me marrje mëndsh e zhurmë në vesh terapia ndryshon nga medikamentoze në kirurgjikale, sipas mjekut ORL dhe otokirurgut. Një pjesë e marramendjes i takon edhe problemeve psikiatrike të diagnostikuara dhe kryesisht nga doza e medikamenteve të marra, një pjesë e sëmundjeve psikiatrike të padiagnostikuara. Në 25% të rasteve pacientët mund të mbeten edhe pa diagnozë, sidomos rastet e një episodi të vetëm. Këto raste tregojnë se me gjithë zhvillimin e teknologjisë imazherike apo edhe informacionit mjekësor apo shkencor, zbulimeve mjekësore të përditshme ekziston kjo hapësirë e padiagnostikuar. Të shpresojmë se e nesërmja do të jetë më e mirë për marramendjen, dhe ne do të kemi mundësi të eksplorojmë edhe këtë përqindje të paprekshme.


Viewing all articles
Browse latest Browse all 2522

Latest Images