Dy në tre individë me Alzheimer janë femra. 30% e individëve me Alzheimer kanë gjithashtu sëmundje të zemrës dhe 29% kanë edhe diabet. Më shumë se 40% e familjarëve të individëve me Alzheimer raportojnë se stresi emocional që ata përjetojnë në rolin e tyre është shumë i lartë
Sëmundja Alzheimer është forma më e zakonshme e demencës, e gjendur në mbi 70 % të individëve me demencë. Data 21 shtator është vendosur si Dita Botërore e Alzheimerit, duke u konsideruar si një ditë në të cilën të gjithë, politikëbërësit, ofruesit e shërbimeve, familjarët që kanë individë të prekur dhe i gjithë opinioni publik, përqendrojnë vëmendjen në rritjen e sensibilizimit lidhur me Alzheimerin. Kjo ditë synon të përqendrojë vëmendjen në aktivitetet e nevojshme mbështetëse për individët e prekur, familjarët e tyre, por edhe të parandalojë e të sensibilizojë komunitetin në përgjithësi.
Sëmundja
Sëmundja e Alzheimerit dëmton trurin, duke rezultuar në dëmtim të kujtesës, të të menduarit dhe të sjelljes. Faktori më i madh i rrezikut për Alzheimer është mosha e madhe, ku tre në dhjetë individë mbi 85 vjeç diagnostikohen me demencë. Në raste sporadike, Alzheimeri mund të prekë individë në çfarëdo moshe. Zakonisht shfaqet në moshën mbi 65 vjeç. Në rang global, janë afërsisht 44 milionë individë me Alzheimer apo forma të tjera të demencës. Vetëm 1 në 4 individë me Alzheimer është i diagnostikuar për këtë problem. Alzheimeri dhe demancat e tjera janë më të përhapura në Europë, ndjekur nga Amerika e veriut. Alzheimeri është më pak i përhapur në Afrikën Sub-Sahariane. Alzheimeri dhe demencat e tjera janë shkaku kryesor për paaftësi në moshën e tretë. Dy në tre individë me Alzheimer janë femra. 30% e individëve me Alzheimer kanë gjithashtu sëmundje të zemrës dhe 29% kanë edhe diabet. Më shumë se 40% e familjarëve të individëve me Alzheimer raportojnë se stresi emocional që ata përjetojnë në rolin e tyre është shumë i lartë. Individët me Alzheimer hospitalizohen tri herë më shpesh sesa moshatarët e tyre pa këtë problem. Familjarët e individëve me Alzheimer raportojnë se, që nga momenti që i afërmi i tyre diagnostikohet me Alzheimer, ata duhet të kujdesen akoma më shumë për shëndetin e tyre në mënyrë që të jenë në gjendje të ofrojnë përkujdesje për individët me Alzheimer.
Studime
Studime të shumta po zhvillohen në kuadër të zbulimit të një ilaçi që merr në trajtim këtë sëmundje. Një studim i fundit pretendon se është drejt zbulimit të një ilaçi që stopon rënien e aftësisë njohëse, dobësimin e kujtesës dhe redukton përparimin e Alzheimerit, por nuk ka pasur të njëjtin efekt në të gjithë pacientët e trajtuar. Në këtë rezultat kanë arritur studiuesit pas një studimi të zhvilluar mbi ilaçin Lmtx. Ilaç ky i cili ka ushqyer shpresat për trajtimin e sëmundjes së alzheimerit dhe që pritet të ndryshojë jetët e miliona personave të sëmurë dhe familjeve të tyre. Rezultatet e studimit janë bërë publikë në Toronto, gjatë konferencës Ndërkombëtare të Shoqatës së Alzheimerit. Me gjithë entuziazmin e krijuar fillimisht, mjekët shprehen se ka më pak rezultat nga pritshmëritë që ishin krijuar në fillim. Në studim u përfshinë 891 persona me shenja të lehta apo të rënda të alzheimerit. Disa prej tyre kanë marrë vetëm këtë ilaç, të tjerë kanë kombinuar ilaçin në fjalë duke iu nënshtruar edhe trajtimeve të tjera, teksa te disa të tjerë iu nënshtruan efektit placebo. Pas 15 muajsh studim mbi këta pacientë, testet për të vlerësuar aftësitë njohëse evidentuan se tek ata persona që merrnin vetëm këtë ilaç, (rreth 15% e personave pjesëmarrës në studim), qoftë aftësitë njohëse, qoftë aftësia për të kryer aktivitet të përditshëm kishte një rritje domethënëse, edhe pse më të ngadaltë në krahasim me ata persona që iu nënshtruan efektit placebo. Rezonanca magnetike gjithashtu zbuloi se atrofia cerebrale te pacientët e trajtuar me LMTX u reduktua në 33%, nga 38% në krahasim me pacientët e trajtuar me placebo. “Ka patur efekte të rëndësishme klinike në pacientët që marrin këtë ilaç si monoterapi dhe nuk ka efekt në pacientët që e marrin si një zëvendësues të ilaçeve të tjera”, shpjegoi Claude Wischik, studiues dhe prodhues i ilaçit në fjalë. Gjithsesi vlerësohet si suksesi i parë në këtë fushë. Ilaçi aktualisht rekomandohet dhe u përshkruhet pacientëve me Alzheimer, në fakt i ndihmon pjesërisht për të kontrolluar simptomat, teksa nënvizohet nuk parandalon dot përkeqësimin e mëtejshëm të sëmundjes.