Quantcast
Channel: Shëndeti – Gazeta Mapo
Viewing all articles
Browse latest Browse all 2522

Kirurgu: Kini kujdes, çdo vit kryejmë 750 operacione në zemër

$
0
0

Doktori apelon për kujdes të pacientëve pas operacionit, pasi neglizhojnë kujdesin që duhet të tregojnë ndaj vetes. Për këtë ai rekomandon ndjekje të rregullt dhe periodike të tyre nga mjekët kardiologë, marrja e saktë e mjekimit të përshkruar, një mënyrë jetese e shëndetshme, ku përfshihet dieta e përshtatshme dhe aktiviteti fizik

Shërbimi i Kardiokirurgjisë është një shërbim plotësisht i konsoliduar dhe një nga më të shquarit e qendrës sonë spitalore. Në të ushtron aktivitetin e tij një ekip mjekësh kardiokirurgë, kardiologë e anestezistë, si dhe një personel i mesëm, të gjithë me një nivel profesional të lartë dhe plotësisht të përkushtuar ndaj shërbimit për pacientët tanë. Ky shërbim disponon një strukturë spitalore moderne, të ndërtuar e të pajisur sipas normave të Bashkimit Europian, gjë që bën të mundur realizimin me sukses të një numri mjaft të madh ndërhyrjesh kirurgjikale, duke filluar nga pacientët e porsalindur e deri në moshat e pleqërisë së thellë. Në këtë shërbim kryhen të gjitha llojet e operacioneve në zemër, me ndonjë përjashtim të rrallë, si dhe çdo urgjencë kardiokirurgjikale, sado e ndërlikuar qoftë. Në një intervistë prof. Arben Baboçi, mjek kardiokirurg, shpjegon se prej disa kohësh ky aktivitet ka ardhur në rritje, duke kapur vitet e fundit shifrën e rreth 750 operacioneve çdo vit, me një vdekshmëri spitalore aktualisht shumë të ulët, prej 0,6-0.7%.

Cilat janë risitë e fundit në shërbimin e kardiokirurgjisë?

Kur një ekip rrit ndjeshëm numrin e ndërhyrjeve dhe plotëson rutinën e aktivitetit me një cilësi të lartë, natyrshëm kërkon më pas të zgjerojë gamën e operacioneve të nevojshme dhe të zhvillojë nënspecialitetet. Me këtë trend po punohet edhe te ne për disa projekte si ai i kirurgjisë së aortës, i kirurgjisë mini-invazive valvulare dhe në fëmijët, i ablacionit kirurgjikal në çrregullimet e ritmit, i ultrafiltracionit në sallë e në reanimacion, i përdorimit të qelizave staminale, implantimi i valvulave pa sutura etj. Rezultat i tyre kanë qenë edhe disa modifikime të teknikave të veçanta kirurgjikale, të propozuara nga ne dhe të pranuara ndërkombëtarisht. Kjo punë voluminoze është ndjekur natyrshëm edhe nga një aktivitet i gjerë shkencor brenda e jashtë vendit, i reflektuar në një numër të madh artikujsh e referimesh shkencore.

Cilat janë ndërhyrjet më të shpeshta?

Ndërhyrjet më të shpeshta sigurisht janë ato që kryhen mbi sëmundjet më të shpeshta të zemrës. Sot, në plan të parë, është sëmundja ishemike e zemrës, pra ajo që shkakton infarktin e miokardit, për pasojë edhe ndërhyrjet më të shumta janë ato të bypassit aorto-koronar. Më pas vjen kirurgjia valvulare dhe ajo e sëmundjeve të lindura të zemrës te fëmijët.

Po ato më të rralla dhe më të ndërlikuara?

Mund të rreshtoj këtu një sërë sëmundjesh të zemrës, për të cilat kërkohen ndërhyrje kirurgjikale mjaft të ndërlikuara, si dhe pajisje dhe procedura të veçanta. Të tilla janë ndërhyrjet urgjente në disekimin e aortës; në kirurgjinë mini-invazive valvulare; në disa tumore të zemrës; në një pjesë të ri-ndërhyrjeve tek ata që operohen për herë të dytë apo të tretë etj. Ndërsa te fëmijët mund të përmend mjaft ndërhyrje të ndërlikuara në moshë fare të vogël, në rastet me keqformime komplekse si transpozicioni i enëve të mëdha të gjakut, kanali AV i plotë, tetralogjia e Fallot etj. Duhet vënë në dukje që, të gjitha ndërhyrjet në zemër kush më shumë e kush më pak, janë të ndërlikuara për vetë procedurat komplekse dhe çelësi i suksesit qëndron në punën e përbashkët të të gjitha hallkave të ekipit, kirurg-anestezist-reanimator-kardiolog dhe personel i mesëm.

Krahasuar me vendet fqinje, si është niveli i këtyre ndërhyrjeve te ne?

Sot mund të themi, pa e tepruar aspak, se jemi në një nivel plotësisht të krahasueshëm jo vetëm me fqinjët tanë, por edhe me shumë nga qendrat e vendeve më të zhvilluara. Nuk janë të shumta qendrat kardiokirurgjikale, që kanë një volum të tillë pune dhe rezultate si ato, që përmenda më lart. Për më tepër, në rajonin tonë jemi e vetmja qendër, që realizon ndërhyrjet në sëmundjet e lindura të zemrës te fëmijët. Maqedonia, Kosova, Mali i Zi, Bosnjë-Hercegovina nuk i mbulojnë vetë këto ndërhyrje. Jemi qendër e cila ka realizuar hapjen e qendrave të tjera të kardiokirurgjisë sikurse rasti i Qendrës Universitare të Kosovës. Gjithashtu, jemi i vetmi shërbim në QSUT i cili ka një memorandum bashkëpunimi për trajnimin e specializantëve të kardiokirurgjisë me një Universitet të Komunitetit Europian, në rastin konkret me Universitetin e Padovës në Itali.

Cilat janë pritshmëritë tuaja për përmirësimin e punës në këtë shërbim, gjithnjë në kuadër të rritjes së cilësisë dhe kujdesit ndaj pacientit?

Nisur nga kërkesat e larta për shërbim, në qendrën tonë është e pashmangshme ekzistenca e një liste pritjeje për të sëmurët. Shkurtimi i kohës së pritjes do të ishte një arritje e rëndësishme në përmirësimin e shërbimit. Kjo mund të realizohet duke shfrytëzuar plotësisht kapacitetin e strukturës sonë, nëpërmjet shtimit të buxhetit nga njëra anë dhe shtimit të personelit nga ana tjetër, e shoqëruar edhe me një ndërhyrje për restaurimin e strukturës. Kështu mund të arrihet në kryerjen e 1000 operacioneve në vit. Thellimi i bashkëpunimit dhe i funksionimit si një unitet me shërbimet e kardiologjisë dhe të kardiopediatrisë. Edukimi në vazhdim i personelit është, pa dyshim, një element tjetër i rëndësishëm për përmirësimin e kujdesit ndaj pacientit dhe rritjen e cilësisë. Faktor tjetër mjaft ndikues mbetet edhe motivimi më i mirë i personelit mjekësor, duke shfrytëzuar paketat e ofruara nga FSDKSH.

Këshilla

Kujdesi për të sëmurët pas operacionit

Ndërhyrjet në zemër nga njëra anë shtojnë jetëgjatësinë e të sëmurit dhe nga ana tjetër, përmirësojnë rrënjësisht cilësinë e jetës së tij. Një pjesë e të sëmurëve, duke u ndjerë mirë pas operacionit, neglizhojnë në kujdesin që duhet të tregojnë ndaj vetes. Harrojnë që nga kjo, sëmundja mund të përsëritet apo të ndërlikohet ajo që është bërë më parë. Për këto arsye rekomandohet ndjekja e rregullt dhe periodike e tyre nga mjekët kardiologë, marrja e saktë e mjekimit të përshkruar, një mënyrë jetese e shëndetshme, ku përfshihet dieta e përshtatshme dhe aktiviteti fizik i rekomanduar. Vetëm kështu mund të shmangen surprizat e pakëndshme.


Viewing all articles
Browse latest Browse all 2522