Quantcast
Channel: Shëndeti – Gazeta Mapo
Viewing all articles
Browse latest Browse all 2522

Akreditimi: Mbyllen regjistrimet, si do testohen mjekë, dentistë e farmacistë

$
0
0

Sa u takon kontrolleve që duhet të ushtrojnë institucionet për plotësimin ose jo të krediteve nga ana e bluzave të bardha, ligji përcakton se kjo është kompetencë e spitaleve dhe qendrave shëndetësore, të cilat ndonëse e kanë këtë kompetencë deri tani nuk rezulton të jetë hequr njeri nga puna për mospërmbushje kreditesh

Në fillim të muajit dhjetor do të zhvillohen provimet e certifikimit për mjekët, stomatologët dhe farmacistët të cilët nuk kanë përmbushur detyrimet e ciklit të parë të certifikimit 2010-2014, sipas specialiteteve përkatëse. Sikurse pohojnë burime pranë QKEV-së zakonisht vijnë për t’u regjistruar ata profesionistë që duhet të rinovojnë licencat e tyre, lejet e ushtrimit të profesionit. Pasi sipas Urdhrit të Mjekëve, Stomatologëve dhe Farmacistëve nuk rinovojnë licencën nëse ata nuk paraqesin një vërtetim që kanë përmbushur detyrimet e programit të edukimit të vazhdim. Në momentin që ata duan të marrin licencë kërkojnë që të marrin një vërtetim që kanë përmbushur detyrimet. Meqenëse në QKEV nuk e marrin dot se nuk kanë kreditet, detyrohen të japin provimin.

Penalizimi

Teksa certifikimi i bluzave të bardha prej dy vitesh ka hyrë në ciklin e dytë, ende ka profesionistë të shëndetësisë që nuk kanë plotësuar kreditet e ciklit të parë. Por lista e profesionistëve që nuk kanë përmbushur detyrimet e ciklit të parë të krediteve iu është dërguar të gjitha institucioneve shëndetësore. Drejtoritë e spitaleve dhe drejtoritë e shëndetit publik nëpër rrethe i kanë marrë këto. Po kështu janë në dijeni të këtyre listave edhe urdhrat e profesionistëve. Problem janë institucionet shëndetësore private të cilat nuk kontrollohen dot. Nga ana tjetër këtë listë e posedon edhe Inspektorati Shtetëror Shëndetësor, pasi ata kanë detyrim të monitorojnë dhe kontrollojnë këto institucione. Mekanizmi që ka funksionuar është rinovimi i licencës, ata detyrohen të rinovojnë licencën një herë në 5 vjet, ata duhet të paraqesin edhe vërtetimin e marrjes së krediteve kështu që shumica e tyre janë ata që duan të ushtrojnë profesionin. Sa u takon kontrolleve që duhet të ushtrojnë institucionet për plotësimin ose jo të krediteve nga ana e bluzave të bardha, ligji përcakton se kjo është kompetencë e spitaleve dhe qendrave shëndetësore, të cilat ndonëse e kanë këtë kompetencë deri tani nuk rezulton të jetë hequr njeri nga puna për mospërmbushje kreditesh.

Regjistrimi

Nuk është e vështirë verifikimi sesa është marrja e masave për ata që nuk i nënshtrohen provimit dhe vazhdojnë të ushtrojnë profesionin. Sektori publik në vendin tonë vuan mungesën e profesionistëve dhe nuk është kaq e thjeshtë që një mjek që nuk ka bërë kreditet ti ta heqësh. Ndaj ata mendojnë të mbajnë më mirë një mjek pa kreditë se sa të lënë shërbimin bosh.

Interesi

Nga burime pranë QKEV-së mësohet se brenda sektorit publik interesin më të lartë për edukimin e vazhdueshëm dhe përmbushjen e kërkesave të programit të certifikimit e kanë patur ata profesionistë që punojnë në nivelin terciar të shërbimeve shëndetësore (Spitalet Universitare në Tiranë). Nivel më të ulët në përmbushjen e kritereve paraqesin mjekët e spitaleve dhe qendrave shëndetësore të rretheve. Farmacistët përfaqësojnë kategorinë me numrin më të lartë të profesionistëve me detyrim të kryer. Pjesa më e madhe e profesionistëve me detyrim të pakryer apo me 0 kredite i përkasin sektorit privat, kryesisht stomatologë. Nga analiza e bërë për kreditet e marra sipas llojit të aktivitetit vërehet se përqindja më e lartë e krediteve është marrë nga aktivitete trajnuese dhe nga konferencat. Gjithashtu, një pjesë e krediteve janë marrë nga aktivitetet individuale, ku përfshihen: botimi librave, abstrakteve dhe i artikujve në revista profesionale të vendit dhe të huaja, vizita studimore të strukturuara si dhe pjesëmarrje në edukim të vazhduar jashtë vendit. Si dhe programet universitare të akredituara nga institucione akademike brenda dhe jashtë vendit (master, doktoraturë), dhe përgatitja e kurrikulave universitare. Deri në 20% të krediteve janë mbledhur nga aktivitetet e vetë raportuara ku përfshihen leximi i artikujve shkencorë, librave, vizita studimore afatshkurtra, pjesëmarrje në aktivitete kërkimore, pjesëmarrje në aktivitete të edukimit në distancë.

 

 

Për provimin e certifikimit të mjekëve

Më datat 7,8,12,13,14 dhjetor 2017, ora 9:00 në Fakultetin e Mjekësisë zhvillohet Provimi i Certifikimit për mjekët.

7 dhjetor, Anestezi Reanimacion, Endokrinologji, Hematologji, Sëmundje infektive, Urologji, Obstetrikë Gjinekologji

8 dhjetor, Mjekësi familje, Kirurgji, Onkologji, Ortopedi, ORL, Nefrologji, Neurologji.

12 dhjetor, Neurokirurgji, Okulistike, Gastrohepatologji, Alergologji, Pediatri, Imazheri, Psikiatri.

13 dhjetor, Reumatologji, Kardiologji, Pneumologji, Mikrobiologji, Anatomi patologjike dhe mjekësi ligjore, Shëndet publik, Urgjenca mjekësore.

14 dhjetor, Imunologji, Dermatologji, Toksikologji, Hipertoni dhe mjekësi interne.

 

Për Provimin e Certifikimit të Stomatologëve

7 dhjetor 2017 ora 09:00 te Fakulteti i Stomatologjisë zhvillohet Provimi i Certifikimit për stomatologët të cilët nuk kanë përmbushur detyrimet e ciklit të parë të certifikimit 2010-2014.

 

Për Provimin e Certifikimit të Farmacistëve

Më datë 7 dhjetor 2017 në orën 09:00 te Departamenti i Farmacisë zhvillohet Provimi i Certifikimit për farmacistët të cilët nuk kanë përmbushur detyrimet e ciklit të parë të certifikimit 2010-2014.

Pjesëmarrësit në provim duhet:

  1. Të jenë të pajisur me dokument identiteti (kartë identiteti ose pasaportë), si dhe me një fotokopje të saj;
  2. Të kenë faturën e pagesës për provimin e certifikimit;
  3. Të paraqiten së paku 30 minuta përpara fillimit të provimit.

 

Programi i ri i certifikimit, ndryshimet:

-Programi i ri i certifikimit të profesionistëve të shëndetësisë në ndryshim nga i pari është katërvjeçar;

-Programi i certifikimit përfshin tashmë dhe infermierët, mamitë dhe ndihmësfarmacistët;

-Mjekët duhet të marrin 120 kredite, farmacistët, ndihmësfarmacistët dhe stomatologët 60 kredite, ndërsa infermierët dhe mamitë 40 kredite;

-Risi të tjera janë vendosja e numrit vjetor minimal të detyrueshëm të krediteve dhe futja e testit të vetëvlerësimit që do të kryhet online dhe lidhet me specialitetin e profesionistit;

-Kreditet e përfituara nga aktivitetet e edukimit në vazhdim me temë të lidhur drejtpërdrejt me specialitetin e profesionistit duhet të përbëjnë të paktën 50% të numrit të përgjithshëm të krediteve. Kreditet e përfituara nga aktivitetet e edukimit në distancë duhet të përbëjnë jo më shumë se 50% të numrit të përgjithshëm të krediteve të raportuara dhe kreditet e përfituara nga aktivitetet e vetëraportuara mund të përllogariten deri në 20% të numrit të përgjithshëm të krediteve të marra nga profesionisti. Pjesa tjetër e krediteve të nevojshme përcaktohet nga zgjedhja e lirë e profesionistit, në bazë të nevojave individuale.


Viewing all articles
Browse latest Browse all 2522

Trending Articles