Tre ditë përpara Krishtlindjeve, çdokush e ka mendjen te blerja e dhuratave.
Por për britanikët Donna dhe Elliot Lowe, bota u shemb më 22 dhjetor të vitit 2016.
Donna u diagnostikua me kancer të qafës së mitrës vetëm tre ditë përpara Krishtlindjeve.
Mamaja e katër fëmijëve luftoi fort kundër sëmundjes, por nuk arriti të që jetojë edhe këtë Krishtlindje.
Ajo ndërroi jetë në gusht të vitit 2017, në moshën 32-vjeçare.
Një vit pasi e shoqja u diagnostikua me këtë sëmundje, Elliott e pranon se e ka të vështirë që të rrisë fëmijët, të cilët nga ana tjetër akoma nuk e pranojnë që mamaja ka ndërruar jetë.
Në një postim online, që është shpërndarë shumë në rrjet, ai përpiqet që të ndërgjegjësojë gratë që të mos neglizhojnë pap-testet.
42-vjeçari ka postuar edhe një foto se si sëmundja e kishte shkatërruar trupin e të shoqes së ndjerë.
“Një vit më parë, gruaja ime e bukur, mikesha ime më e mirë, mamaja e katër fëmijëve tanë të bukur, bota ime, shpirti im binjak, u diagnostikua me kancer, çka shkatërroi dhe ndryshoi jetët tona përgjithmonë.
Po e shkruaj këtë mesazh për të inkurajuar këdo që të kujdesemi që gratë e jetës sonë- të bëjnë pap-testet dhe të mos humbasin rastin asnjëherë.
Gruaja ime e mrekullueshme e shtyu pap-testin e fundit të saj për arsye që nuk i mbaj mend- besomëni, nuk ka asnjë ditë që nuk do doja të ndërroja vend me të dhe ta dërgoja të kryente atë test.
Pasi kam folur me disa prej jush këtu, e di që ka nga ato që nuk kanë bërë pap-test për një kohë të gjatë, disa thonë për 20 vite.
Ky test zgjat vetëm pak minuta. E di që mund të mos jetë shumë komfort, por pasojat janë katastrofike nëse nuk i bëjmë.
Zgjohem çdo mëngjes vetëm, i rris fëmijët vetëm… po, kam një familje që më mbështet dhe jam falenderues për këtë, por gjërat nuk do jenë kurrë njësoj.
E di që është Krishtlindje dhe fotot mund t’ju shqetësojnë, ju kërkoj ndjesë, por duhet t’u tregoj se sa shkatërrues është kanceri. Mos lejoni asnjë nga familja juaj të kalojë këtë dhimbje”.