Ka disa gjëra që kalojnë pa rënë shumë në syrin e medias shqiptare.
Fjala bie, para disa muajsh ishte një lajm i trishtë për fëmijët shqiptarë, të cilët u renditën të dytët në Europë për nga obeziteti.
Ndërkohë që bota e konsideron këtë një nga problemet më të rrezikshme, a mos është koha që edhe në Shqipëri të flitet më shumë për këtë problem?
Anglia, një vend që po përballet me krizën e obezitetit, e ka vendosur në shënjestër problemin e pijeve të gazuara.
Një nga kryekuzhinerët më të njohur në vend, Jamie Oliver, i bëri thirrje kryeministrit David Cameron që të ngrihet kundër kompanive që tregtojnë ushqime të tilla ‘plehra’.
Sipas tij, kompanitë e pijeve të gazuara duhen detyruar që të tregojnë në ambalazh edhe sasinë e sheqerit, të përcaktuar me lugë çaji.
Fjala bie, një kanoçe e thjeshtë me Coca-Cola ka rreth 9 lugë çaji me sheqer brenda.
Disa pije energjike, që konsumohen shumë në Shqipëri, kanë sasi që shkojnë deri në 20 lugë çaji me sheqer.
Oliver tha përpara Komisionit të Shëndetësisë se qeveritë e shkuara kanë zhgënjyer breza të tëra, kur nuk u kanë treguar për rreziqet e këtyre pijeve.
Ai bëri thirrje që këto pije të ndalohen nëpër shkolla si dhe të kufizohen reklamat e tyre.
“Jam i bindur se nëse qytetarëve u jepet informacioni i qartë, bëjnë zgjedhjen e duhur,” tha ai, duke treguar një shishe të vogël Pepsi, që përmban 14 lugë çaji me sheqer.