Mbrëmë, Top Show iu kushtua shëndetësisë.
Cilësia e shërbimit, korrupsioni, investimet…
Isha aty si gazetar që ka shkruar për problemet e sistemit dhe denoncimin e një rasti flagrant korruptiv disa ditë më parë…
Gjatë emisionit, ndërsa mjekë të shquar, zyrtarë e ish-zyrtarë flisnin për degradimin dhe investimet në këtë sektor jetik, në telefonin e Dudushit vinin sms të tipit: Në Burrel nuk ka gjnekolog, në Korçë nuk ka kardiolog, në Lushnje, pasi u bë konkursi, në punë u mor ai që doli i fundit.
U diskutuan aty shumë probleme, por mjekësia ka aq shumë probleme sa TV mund të qëndrojë me ditë të tëra të flasë dhe nuk u dilet.
Megjithatë unë dua të ndaj me ju sot njërin prej këtyre problemeve: Mungesa e mjekëve, ose më saktë, specialistëve.
Në Tiranë mosha mesatare e mjekëve të mirë po shkon në 60 dhe janë ata që komunizmi i ka specializuar jashtë, kryesisht në Francë.
Janë këta që mbajnë në këmbë edhe mjekësinë private.
Nëpër rrethe ka mungesa të theksuara mjekësh specialistë ndaj dhe të gjithë marrin rrugët për në Tiranë, pasi u ngatërrojnë apandesitin me zorrën e trashë.
Në zonat rurale një mjek i përgjithshëm mbulon 5 mijë banorë dhe shkon një herë në tre ditë në punë.
Mjekët e sapodiplomuar janë në nivel skandaloz, ndërsa më të mirët nuk kanë asnjë hapësirë për tu specializuar.
Brezi i mjekëve që mbajnë shëndetësinë në këmbë kanë filluar të vuajnë vetë më shumë se paciantët nga sëmundjet e moshës.
Kush do ta zëvendësojë këtë gjeneratë? Studentët që blejnë provimet me 100 Euro?
Studentët që pasi kanë bërë 5 vjet shkollë nuk dinë të bëjnë një inxheksion, sepse nuk i ka lënë kush të prekin një shiringë me dorë?
Pa folur pastaj që ata që fillojnë punë duhet të futen në “burzën” e shefit të shëndetësisë në rreth.
Ndërsa rendis këto probleme mendja me shkoi tek Jaguarët, makinat e reja e luksoze të qeverisë.
Nja 45 a 50 copë.
Dhe thashë, po sikur qeveria të heqë dorë nga këto makina, nuk i kanë të këqija këto që kanë, dhe paratë t’i përdorë për të dërguar jashtë studentët më të mirë, për t’i specializuar, duke firmosur kontrata qe pas specializimit te kthehen e te punojne ne spitalet e shtetit?
Duhet menduar për nesër dhe nesër nuk është shumë larg.
Ky vend është në këtë derexhe sepse qeveritë kanë menduar vetëm për sot, vetëm për aq kohë sa do të jenë në pushtet.