Ajo ishte kaq e sëmurë me kancer, sa mjekët u thanë prindërve zemërthyer të saj se nuk ka mbetur asgjë për të bërë dhe se ata duhet të përgatiten për më të keqen.
Por përkundrejt të gjitha basteve, kjo vogëlushe bukuroshe është shëruar falë një kure, e cila po vlerësohet si “thuajse një mrekulli”.
Sipas Mirror, vogëlushja britanike 1-vjeçare Layla Richards është i pari person në botë që ka përfituar nga një teknikë e re e editimit të geneve, e zhvilluar nga spitali “Great Ormond Street”, e cila manipulon qelizat imune për të luftuar qelizat kanceroze.
Kjo terapi është testuar më parë te minjtë.
Kjo mënyrë revolucionare kurimi pritet të zgjojë shpresat te mijëra familje.
Nëna e vajzës, Lisa Foley, 27 vjeç, tha se ajo refuzoi që të dorëzohet dhe tentoi gjithçka për të shpëtuar jetën e të bijës.
Layla ishte vetëm 14-javëshe kur u diagnostikua me Leuçemi Akute Limfoblastike, që është forma më e zakonshme e leuçemisë tek fëmijët.
Mjekët thanë se sëmundja e saj ishte në formën më agresive që kishin parë ndonjëherë.
Ajo iu nënshtrua kimioterapisë dhe një transplanti të palcës së kockave.
Por disa javë më vonë, kanceri u rikthye.
Një trajtim eksperimental në Shefild, dështoi po ashtu.
Mjekët thanë se nuk ka mbetur asgjë që mund të bëhet.
Por prindërit dëgjuan për një trajtim eksperimental.
Trajtimi përfshin përdorimin e “gërshërëve molekulare” për të “redaktuar” genet dhe krijuar disa qeliza imune, që gjuajnë dhe vrasin leuçeminë.
Vetëm një sasi ilaçi e mjaftueshme për një pacient ishte në dispozion.
Një komision etike u mblodh urgjent për të miratuar përdorimin e ilaçit.
Prindërit fillimisht u frikësuan, pasi ishte hera e parë që po përdorej një ilaç i tillë tek njerëzit.
Pasi iu dha ilaçi, ajo thuajse nuk reagoi fare.
Mjekët u dorëzuan.
Por pak përpara se ta bënin gati për ta dërguar në shtëpi, lëkura e saj nisi të skuqej.
Ishte një shenjë se ilaçi kishte funksionuar.
Ajo ende do i nënshtrohet disa kontrolleve mujore dhe mund të përdorë disa ilaçe për pjesën e mbetur të jetës.
Por mjeku që udhëhoqi ekipin e kurimit thotë se nëse suksesi përsëritet në një rast tjetër, ky do ishte një hap shumë i madh për mjekësinë në trajtimin e leuçemisë dhe kancereve të tjera.