Budini: Uji u ndërpre për shkak të ndotjes së lartë. Dje në spital u paraqitën disa persona me diarre
Dyshimi – Dyshohet se pas turbullimit të liqeni të Bovillës, uji i pijshëm është i infektuar nga salmonela
ISHP – Është e vërtetë që uji është i ndotur tej normave të lejuara, por kurrsesi i infektuar nga salmonela
UKT – Garantojmë se cilësia e ujit është brenda parametrave dhe normalisht i konsumueshëm
ujesjellesi i BovillesPrej disa ditësh, Tirana dhe banorët e saj po përballen me një situatë të pazakontë. Mungesa e energjisë elektrike, e furnizimit me ujë të pijshëm krijoi gjendje alarmante, jo vetëm në shtëpitë e qytetarëve, por edhe në spitale, ku u anuluan operacionet, ndërsa një pjese të pacientëve u është kërkuar të largohen, në pamundësi për të përmbushur nevojat e tyre. Por, lajmeve të këqija, të cilave me kalimin e orëve iu dha zgjidhje nga autoritetet përgjegjëse, i shtohet një tjetër edhe më i hidhur. Nga informacionet e siguruara nga gazeta “Shqip”, dyshohet se uji që rrjedh në rubinetet e shtëpive tona, pas turbullimit të liqenit të Bovillës, ka në përmbajtjen e tij bakterin e Salmonelës, një sëmundje akute infektive që në një prej rasteve të saj shkaktohet nga konsumimi i ujit të ndotur. Mirëpo, të pyetur nga gazeta “Shqip”, mbi këtë çështje, specialistët e Institutit të Shëndetit Publik, institucioni që po kryen analizat e mostrave të ujit të Bovillës, mohojnë që ky fakt të jetë i vërtetë. “Është e vërtetë që uji rezulton i ndotur tej normave të lejuara, por kurrsesi i infektuar nga bakteri i salmonelës”, thonë burime zyrtare në ISHP. Ndërsa burime të sigurta për gazetën “Shqip” tregojnë konfidencialisht se rezultati skandaloz i arritur nga analizat që i janë bërë ujit të Bovillës, pas turbullimit të saj, po mbahet i fshehtë qëllimisht, pasi publikimi i tij do të shkaktonte tension dhe panik të madh te qytetarët, duke pasur parasysh rrezikun e madh që u kanoset shëndetit të tyre. Nëse lajmi se uji i pijshëm është i infektuar nga bakteri i salmonelës, mjekët infeksionistë thonë për gazetën “Shqip” se qytetarët nuk duhet ta përdorin ujin e “pijshëm” as për të larë produktet ushqimore dhe as për të larë enët e jo më për të pirë, për shkak të rrezikut të infektimit nga ky bakter, që sipas tyre shkakton diarre, të vjella, humbje të madhe të ujit në zorrë, mosfunksionim të sistemit nervor deri në dëmtim të mureve të enëve të gjakut. Gjithashtu mësohet se dje në shërbimin e Infektivit në Qendrën Spitalore “Nënë Tereza” janë paraqitur disa persona, mes të cilëve edhe një mjek, me simptoma si: Diarre dhe të vjella, që gjithashtu dyshohet se mund të jenë shkaktuar nga konsumimi i ujit të ndotur.
Dje, në një deklaratë për mediat, nëndrejtoresha e Ujësjellës-Kanalizimeve Tiranë, Etleva Budini, tha se turbullira në ujëmbledhësin e Bovillës ishte në norma tejet të larta dhe se kufizimi ishte e vetmja zgjidhje, pasi mund të kishte shkaktuar një katastrofë. “Është një turbullim në nivele të larta që nuk ka ndodhur në 15 vjet sipas statistikave të Ujësjellësit. Për këtë arsye meqë kalon normat e lejuara për t’u futur pastaj në impiantin e Bovillës, u ndërpre futja e ujit për trajtim në impiant dhe si rezultat u ndërpre dhe furnizimi me ujë”, tha Budini. Zyrtarisht, UKT njoftoi qytetarët e Tiranës se situata e furnizimit me ujë të pijshëm është rikthyer në normalitet dhe se impianti i trajtimit të ujit në Bovillë është rivënë në punë mbrëmjen e djeshme(dy ditëve më parë), menjëherë pas stabilizimit të situatës së turbullirës që përfshiu liqenin e Bovillës 2 ditët e fundit. “Stafi i UKT ka monitoruar çdo minutë, 24 orë me radhë, gjendjen e krijuar pas reshjeve të dendura të shiut, të cilat shkaktuan një turbullim të pazakontë të liqenit të Bovillës. Gjatë ditës së djeshme(pardjeshme) UKT me mbështetjen e Bashkisë së Tiranës, ka furnizuar me bote në mënyrë të vazhdueshme institucionet e rëndësisë së veçantë, sidomos spitalet. Vetëm në QSUT janë dërguar 30 bote me ujë”, thuhet në njoftimin zyrtar të UKT-së, i cili hedh poshtë çdo spekulim mbi cilësinë e ujit të pijshëm me të cilin po furnizohen qytetarët. “Laboratorët tanë në Bovillë, si dhe pranë Drejtorisë së Përgjithshme, kryejnë disa herë në ditë analiza periodike të kontrollit të cilësisë së ujit. Ujësjellësi i Tiranës garanton se cilësia e ujit të pijshëm është në përputhje me të gjithë parametrat dhe është normalisht i konsumueshëm nga banorët”, sqarojnë përfaqësuesit e Ujësjellës-Kanalizimeve Tiranë./Shqip