Në një intervistë për “Mapo”, Eugena Erindi Tomini, Doktore Shkencash, specialiste e sëmundjeve infektive në Institutin e Shëndetit Publik, thotë se shumë sëmundje infektive mund të rizgjohen në zona gjeografike të caktuara, apo të përhapen në zona të tjera, për shkak të ndryshimeve klimatike
Nëse para disa vitesh togfjalëshi “ngrohje globale” në vendin tonë tingëllonte absurd, dekadën e fundit dhe sidomos tri vitet e fundit, është një fenomen për të cilin ndonëse publikisht nuk flitet, në “heshtje” ka filluar të merret seriozisht në konsideratë, edhe në Shqipëri. Sidomos pas vitit 2005, ajo çka meteorologët vazhdimisht përsërisin kur parashikojnë motin, është se temperatura të tilla nuk janë normale për stinën në të cilën ndodhemi, ka një rritje të konsiderueshme të temperaturave këtë vit, krahasuar me vitin që lëmë pas, priten shira me intensitet të lartë. Për Institutin e Shëndetit Publik, kudo që jetojmë, në një metropol të madh, në një qytet bregdetar ose në fshat, ndryshimet klimatike kërcënojnë shëndetin dhe mirëqenien tonë. Eugena Erindi Tomini, Doktore Shkencash, specialiste e sëmundjeve infektive në ISHP, në një intervistë për “Mapo”, pohon se për shkak të këtyre ndryshimeve, shumë sëmundje infektive mund të rizgjohen në zona gjeografike të caktuara, apo të përhapen në zona të tjera. Tomini pohon se përballë virusit Chikungunya në Italinë fqinje apo Zika në vendet e Amerikës Latine, kufijtë tanë janë “fragile” dhe se as Shqipëria nuk është e imunizuar.
Ndryshimet klimatike, sa ndikojnë në sëmundshmërinë e popullatës?
Ndryshimet klimatike apo ngjarjet e motit ekstrem, kanë efekte shëndetësore të drejtpërdrejta dhe të tërthorta te popullata humane. Ngjarjet ekstreme të motit, përfshijnë thatësirat, përmbytjet dhe rrëshqitjet e tokës të lidhura me to, stuhitë, ciklonet, goditje e të nxehtit dhe goditjet e të ftohtit. Zonat e lagështa ka të ngjarë të bëhen më të lagështa, me episode më të shpeshta të përmbytjeve, ndërsa zonat e thata mund të bëhen më të thata, me periudha më të gjata thatësire, që çon në një rrezik në rritje të shkretëtirëzimit. Kudo që jetojmë, në një metropol të madh, në një qytet bregdetar ose në fshat, ndryshimet klimatike kërcënojnë shëndetin dhe mirëqenien tonë. Ngrohja globale, si pjesë e ndryshimeve klimatike, ndikon në mënyrë dramatike në elementet thelbësore që kërkohen për një shëndet të mirë, si: uji, ajri dhe ushqimi. Edhe shkarkimet e gazrave nga transporti, kanë kontribut të rëndësishëm te ndryshimet klimaterike dhe përkeqësojnë shëndetin dhe mjedisin. Ndotja e ajrit, është një rrezik i madh mjedisor për shëndetin dhe është vlerësuar si shkaktar i rreth 2 milionë vdekjeve të parakohshme në mbarë botën, në vit. Cilësia e dobët e ajrit, shton ndjeshëm barrën e sëmundjes për popullatën. Duke reduktuar nivelet e ndotjes së ajrit, mund të ndihmojmë vendet në zvogëlimin e barrës globale të sëmundjeve nga infeksionet e rrugëve të frymëmarrjes, sëmundjeve të zemrës dhe kancerit të mushkërive. Ngrohja ekstreme, thatësira në shkallë të gjerë, stuhitë, përmbytjet, ndotjet mjedisore, si dhe manifestime të tjera të ndryshimeve klimatike, do të ndryshojnë incidencën dhe ashpërsinë e alergjive, dermatiteve atopike dhe astmës. Gjatë dekadave të fundit, faktet tregojnë se ka pasur një rritje në prevalencën e alergjisë nga pjalmet në shumicën e vendeve Europiane. Për më tepër, ndryshimet e shpeshta të klimës, mund të ndryshojnë ndërveprimin midis ndotësve të ajrit dhe alergeneve të frymëmarrjes, duke rritur kështu sëmundshmërinë në pacientët astmatikë me shkak nga pjalmi. Ndryshimet klimaterike, temperaturat e larta nxisin rritjen e baktereve në produktet ushqimore. Infeksionet nga salmonela rriten me 5-10% për çdo një gradë temperaturë përgjatë një jave, në një ambient me temperaturë mbi 5 °C. Shumë sëmundje infektive mund të rizgjohen në zona gjeografike të caktuara, apo të përhapen në zona të tjera për shkak të ndryshimeve klimatike.
Cilat kategori janë më të rrezikuara dhe a ndikon në imunitetin njerëzor, ndryshimi dhe luhatjet e shpeshta të temperaturave?
Ndryshimi klimatik, nxehtësia e tepërt paraqet një kërcënim serioz për të gjithë popullsinë, por grupe të veçanta janë më të ndjeshme për shkak të një përgjigjeje të dëmtuar fiziologjike ose të sjelljes. Sigurisht që ndryshimet klimatike apo dhe vetëm ndryshimet e temperaturave nga një nivel në një nivel tjetër ekstrem, kanë ndikim në shëndet dhe në grupe të caktuara të popullatës. Këto grupe, përfshijnë personat që janë me imunitet të kompromentuar apo që vuajnë edhe nga sëmundje bazë kronike të sistemeve vitale të organizmit. Sigurisht si për sëmundje të tjera infektive dhe për prekjen më të shpeshtë të popullatës nga ndryshimet klimatike, janë të njëjtat grupmosha të cilat janë më të rriskuara, siç janë personat mbi 65 vjeç, individët që kanë një aftësi të reduktuar për t’u kujdesur për veten e tyre, të tillë si fëmijët e vegjël nën 5 vjeç, ata me sëmundje pre-ekzistuese kardiovaskulare, respiratore dhe të veshkave, diabetit dhe çrregullime neurologjike.
Në fushën e epidemiologjisë, a mund të themi se po rikthehen sëmundje infektive të harruara më parë?
Ndër pasojat e ndryshme të një rritjeje të temperaturës apo të ndryshimeve, do të ketë në shëndetin e popullatës humane dhe incidenca e disa sëmundjeve infektive, veçanërisht ato të transmetueshme nga kafshët, vektorët etj. Arsyeja është se të dy agjentët, si kafshët dhe vektorët, duhet të kenë një ambient optimal të rriten, të mbijetojnë dhe të përhapen apo të shtegtojnë. Reshjet, temperatura, lagështia dhe intensiteti i rrezatimit ultravjollcë, janë pjesë e mjedisit. Secili nga këta faktorë, për këtë arsye, kanë një ndikim në epidemiologjinë e sëmundjeve infektive. Shumë sëmundje infektive, mund të rizgjohen në zona gjeografike të caktuara apo të përhapen në zona të tjera për shkak të ndryshimeve klimatike. Malaria është një nga problemet më të mëdha të shëndetit publik në botë, e cila bashkë me ndryshimet klimaterike dhe jo vetëm, bëjnë që vektori mushkonjë që mbart parazitin, të pickojë popullatë të shëndoshë dhe të transmetojë sëmundjen. Ndryshimet klimaterike, mund të ndikojnë në përqendrimin dhe shpërndarjen e ajrit të ndotur. Sëmundjet infektive të transmetueshme, mund të ndryshojnë si rezultat i ndryshimit të klimës në zona të ndryshme gjeografike. Shfaqja në Europë e disa sëmundjeve me origjinë vektoriale, parazitare dhe sëmundjeve infektive (disa prej tyre të interesit zoonotik) ka shkaktuar alarm, veçanërisht në lidhje me rrezikun e transmetimit lokal të patogjenëve ekzotikë, të tilla si: shpërthime të sëmundjeve infektive të virusit Chikungunya në Itali, apo virusi Zika në vendet e Amerikës Latine etj. Kështu që shqetësimi është se si të shmangen shpërthimet e reja të sëmundjeve me origjinë nga vektorët apo vazhdimësia e sëmundjeve të tjera, qofshin këto edhe autoktonë. Si në rastin e encefalit, të shkaktuar nga virusi i Nilit Perëndimor, ka encefalite të tjera, të shkaktuara nga viruset të transmetuara nga mushkonjat. Disa janë të pranishme në Afrikë dhe disa në Azi, disa në Amerikën Latine. Shumë sëmundje të tjera infektive, mund të zgjerojnë zonën e tyre për shkak të ndryshimit të klimës, të tilla si: ethet e verdha, sëmundje që transmetohen nga rriqnat, sëmundjet e transmetueshme nga brejtësit, sëmundjet e transmetuara nga kafshët e tjera, sëmundjet e transmetuara nga uji, sëmundjet e transmetueshme nga ajri. Transmetimi i sëmundjeve infektive, është i ndikuar nga kushtet socio-ekonomike dhe gjendjen e shëndetit publik të popullatës. Forcimi i mbikëqyrjes së personave të infektuar dhe trajtimi në kohë dhe në mënyrë korrekte i tyre, në zonat urbane dhe rurale, kontrolli i shpyllëzimit, kontrolli i kativiteteve të ujërave sipërfaqësore, si dhe aplikimi i programeve të mbikëqyrjes të popullatës së mushkonjave, mund të minimizojnë rrezikun e infektimit me sëmundje infektive, duke u lidhur direkt me shkaktarët e ndryshimeve klimatike.
Cilat do të ishin këshillat praktike dhe mjekësore në këto raste?
Në fakt, pakësimi i ngrohjes globale, sjell pasoja pozitive në shëndet, mjedis dhe ekonomi. Pakësimi i dioksidit të karbonit dhe gazrave të tjerë me efekt serë (të cilët shkaktojnë ngrohjen globale), përmes zgjedhjeve më të mira për transportin, ushqimin dhe energjinë, mund të sjellë më shumë aktivitet fizik dhe më pak obezitet. Po kështu, mund të sjellë më pak dëmtime që vijnë nga transporti, sjell pastrimin e ajrit, më pak astmë dhe sëmundje të frymëmarrjes, një dietë më të mirë dhe më pak diabetikë, të sëmurë me kancer apo zemër. Kujdes i veçantë duhet pasur kryesisht për personat më të ndjeshëm, si të moshuarit dhe fëmijët për evitimin e qëndrimit të drejtpërdrejtë në “pikun” e ditës, në lidhje me ndryshimet ekstreme të temperaturave.
Këshilla:
- Të mbahen ambiente të ventiluara dhe të ajrosura mirë;
- Të pakësojmë ndërhyrjen tonë sado të vogël, në shtimin e karbonit në mjedis për minimizimin e ndotjes;
- Kërko ndihmë mjekësore në rastet e “goditjes nga të nxehtit” apo ndonjë sëmundje tjetër që lidhet me ndryshimin klimaterik;
- Duhet gjithashtu, përforcim i shërbimeve shëndetësore dhe sistemeve ndër-sektoriale, për të përmirësuar në mënyrën e duhur reagimin e tyre ndaj ndikimeve të ndryshimeve klimatike;
- Inkurajimi i sjelljeve të shëndetshme dhe energji eficiente, në të gjitha mjediset dhe dhënien e informacionit dhe mundësive për ndërhyrje në zbutjen dhe përshtatjen, me një fokus të veçantë në grupet e riskut, përmes fushatave të ndërgjegjësimit publik;
- Përshtatja dhe integrimi i mbikëqyrjes dhe sistemeve të kontrollit, për disa sëmundje ngjitëse dhe vektorë të caktuar, që kanë gjasa të preken nga ndryshimi i klimës.
Ngrohja globale
Ngrohja globale, njihet edhe si efekti serë, për shkak se gazet që grumbullohen mbi tokë, e kthejnë planetin të ngjashëm me një serë. Duke e kllapuar nxehtësinë pranë sipërfaqes së tokës, efekti sere po ngroh planetin dhe po kërcënon mjedisin. Frika aktuale, lidhet me faktin se ngrohja globale po ndodh me një shpejtësi të paparë. Modelet kompjuterike, po parashikojnë se deri në fund të shekullit XXI, temperaturat do të rriten me disa gradë (tri gradë). Ngrohja globale do të sjellë ndryshim të ciklit të qarkullimit global ujor, si dhe nuk përjashtohen ndryshime të menjëhershme të klimës, që do të demonstrohen me shfaqje të shpeshta të fenomeneve ekstreme të motit, si: ciklone, shira të fuqishme, përmbytje, thatësira.