Jo vetëm qumështi, sekreti për kocka të forta është çaji
Konsumimi i tre filxhanëve çaj në ditë nga gratë në moshë të thyer, redukton me 30% frakturat. Përveç qumështit, sekreti për kocka të forta, mbi të gjitha për gratë pas të 60-ve mund të jetë te konsumi i çajit. Sipas një studimi australian zhvilluar në “Flinders University”, të publikuar në “American Journal of Clinical Nutrition”, thuhet se pirja e tre filxhanëve çaj në ditë, redukton me 30% frakturat e kockave, në krahasim me gratë që pinë pak. 1200 gra rreth të 80-ve u bënë pjesë e studimit, ato gjithashtu kishin shenja të sëmundjes së osteoporozës, e cila provokon dobësim të kockave. Përmes një formulari, studiuesit iu kanë kërkuar të tregojnë menynë ushqimore, veçanërisht konsumin e çajit. Për 10 vite rresht ato janë mbajtur nën vëzhgim. Studimi evidentoi se gratë gjatë kësaj periudhe kishin pësuar rreth 288 fraktura, 129 prej të cilave ishin thyerje. Megjithatë, ato që pinin të paktën tri gota çaj në ditë, veçanërisht çaj të zi dhe të gjelbër janë konsideruar të kenë rreth një të tretën më pak të ngjarë të përjetojnë një frakturë të kockave në krahasim me ata që pinin rrallë ose aspak çaj. Sipas ekspertëve, sekreti që përmban çaji mund të qëndrojë në flavonoide-t, të cilat forcojnë kockat, duke përshpejtuar formimin e qelizave të reja të kockave dhe duke ngadalësuar erozionin ekzistues. Për studiuesit edhe kafja përmban elementë forcues për kockat, por duket se çaji përmban më shumë.
Vaksinë kundër migrenës
Kërkuesit besojnë se janë drejt zbulimit të një ilaçi të ri për migrenën. Migrena kronike mund të parandalohet. Kjo falë një vaksine. Deri tani, e këshillueshme vetëm për kë vuan nga dhembjet kronike të kokës. Zbulimi është bërë në San Raffaele në Romë, kjo falë një antitrupi inteligjent të ndërtuar në kushte laboratorike, i njohur me inicialet CGRP (Calcitonin gene related peptide), i cili akuzohet për shkaktimin e migrenës. San Raffaele është instituti i parë në Europë dhe ndër të parët në botë që ka arritur këtë rezultat me antitrupat kundër CGRP-së. “Rezultatet e deritanishme -shpjegon Piero Barbanti, shef i departamentit të Kontrollit për diagnozat dhe terapitë kundër sëmundjeve neurologjike në Institutin San Raffaele Pisana në Romë – thotë se rezultatet janë shumë premtuese, pasi pas injektimi të këtij antitrupi, dhembjet vijnë në rënie deri në 62%, pas një periudhe prej 3 muajsh, ky rezultat u përfitua te një përqindje e lartë e të anketuarve (74 %)” . Antitrupi injektohet në lëkurë, te nënshtresat e saj, një herë në muaj, për disa muaj rresht. Reagimi i saj është efektiv dhe mesa duket me më pak efekte anësore sesa ilaçet. Deri tani, studimi është kryer vetëm te personat me migrenë, por në vijim të këtij viti studiuesit shpresojnë të kryejnë matjen e injektimit të antitrupit edhe te personat me dhembje kronike të kokës.
Bakteret që ndikojnë në rritjen e fëmijës
Kombinimi i një grupi mikrobesh, mund të përmbysë ekuilibrin mes frenimit dhe rritjes së shëndetshme, çka mund të ndikojë deri edhe në trajtimin e kequshqyerjes. Në fakt janë disa baktere “të mira” të pranishme në zorrë, që favorizojnë rritjen e fëmijës duke luftuar problemet që vijnë nga kequshqyerja, këtë fakt e evidenton studimi i kryer në Universitetin Mjekësor në Uashington. Ndaj jo në të gjitha rastet duhen luftuar bakteret e zorrës, pasi kështu rrezikojmë të prishim mikroflorën. Ndaj për studiuesit ndërkombëtarë, jo në të gjitha rastet është e arsyeshme luftimi i tyre, pasi kombinimi i disa llojeve të këtyre mikrobeve mund të rrëzojë ekuilibrin mes rritjes së shëndetshme dhe frenimit të saj, duke sjellë probleme si: kequshqyerja, keqformime të kockave, prapambetje mendore e deri në prishjen e imunitetit. Duke studiuar këto veprimtari të mikroflorës së zorrëve, nga mesi i shekullit të 20-të u zbulua se antibiotikët e rinj, të përdorur kundër sëmundjeve infektive e shkatërronin mikroflorën. Mikroflora e zorrëve është edhe një fabrikuese e shkëlqyer e vitaminave, midis të tjerave, vitamina të kompleksit B dhe vitaminë K. Vitamina B1, e prodhuar nga kjo mikroflorë, është shumë e asimilueshme nga organizmi për proceset e tij biologjike.
Të sëmurët me diabet, ja çfarë duhet të hanë
Ushqimi i të sëmurëve me diabet, nga mënyra e gatimit, nuk ndryshon nga ushqimi i zakonshëm. Në këtë dietë janë të kufizuara produkte që përmbajnë karbohidrate, si: buka e brumërat, që duhet të përdoren në ushqimin ditor sipas porosisë së mjekut. Në ushqimin ditor duhet të përdoren produkte ushqimore me kalori, si: vezët, mishi, bulmeti, perimet dhe të kufizohet buka. Në këtë dietë, e rëndësishme është regjimi i të ngrënit, pasi ka lidhje me ilaçet që përdor i sëmuri. Ushqimi merret në tri vakte kryesore (mëngjes, drekë, darkë), si dhe tri vakte të vogla të ndërmjetme midis vakteve kryesore (rreth orës 11, orës 16 dhe para gjumit). Në vaktet e ndërmjetme, vendin kryesor mund ta zënë frutat e ndryshme e të freskëta pa dallim nga lloji i tyre, në sasi rreth 100 gramë në çdo vakt (300 gr fruta në ditë). Ushqimi duhet të gatuhet me pak lyrë dhe më mirë është që të gatuhet me vaj ulliri. Më tepër përdoren gjellët me perime të ziera, mishi pa dhjamë, pulës i hiqet lëkura, qumështit ajka dhe të përdoren nënproduktet e tij. Nuk lejohen të përdoren çdo ditë pijet alkoolike, por me raste, mund të përdoret në drekë një gotë verë. Ëmbëlsirat nuk duhen përdorur shpesh dhe zgjidhet ajo që ka më pak sheqer. Kontrolloni veten kur ushqeheni që të mos e teproni. Zbatimi me korrektësi i dietës ndihmon në gjendjen e të sëmurit.
Të sëmurët me mëlçi, dietë ushqimore të veçantë
Të sëmurët me sëmundje kronike të mëlçisë e të tëmthit, duhet të ushqehen me dietë për një periudhë të gjatë. Ushqimi në këtë sëmundje luan një rol të rëndësishëm. Kur në ushqim nuk ka shumë karbohidrate, (sheqerna), mëlçia harxhon rezervën e saj të glikogjenit, sasia e sheqerit në gjak ulet dhe njeriu ndjen dobësi, prandaj të sëmurit i këshillohet që të konsumojë produkte të pasura me sheqerna, nga zbërthimi i të cilave krijohet glikogjeni. Në ushqimin e të sëmurit duhet të përdoren fruta të pjekura e të ëmbla dhe perime, si: karota, rrepa, panxhar, lulelakër, kungulleshka, kunguj etj. Duhen përdorur afërsisht 7-8 gota lëngje, duke kufizuar në maksimum të verdhat e vezëve, dhjamërat, mishin e derrit e të bagëtive të imëta, të skuqurat, djegësirat e thartirat, si dhe pirjen e alkoolit. Për të plotësuar nevojat e organizimit me proteina, në racionin ditor duhet të përdoren gjizë e djathtë pa kripë. Kripa të kufizohet. Këshillohen vajra vegjetalë të rafinuar, sidomos ai i misrit, një vezë në ditë në gatim ose për ngrënie të përdoret vetëm e bardha rrufkë, qumësht në sasi të kufizuar, kos i ëmbël.