Teknologjia e liderit global ARTHREX, e përdorur pranë kësaj Poliklinike nën përkujdesin dhe profesionalizmin e kirurgëve vendas dhe të huaj, i mundëson pacientit rekuperim të plotë dhe rikthim në aktivitetet e tij të mëparshme pas artroskopisë së ligamentit kruçiat anterior.
Këputjet ose rupturat e Ligamentit Kruçiat Anterior (ACL) ndodhin në shumicën e rasteve gjatë aktiviteteve sportive dhe pikërisht në momentet kur gjuri goditet nga një forcë traumatike. Këputjet shoqërohen me dëmtime të meniskut dhe tërheqje të legamenteve kolaterale të nyjes së gjurit. Kjo gjë dëshmon për forcën traumatike që ushtrohet në momentin e traumës.
Një tingull “kërcitës” në momentin e dëmtimit, hemoragji, enjtje e gjurit brenda 6 orëve të para të dëmtimit apo dhembje kur tentohet veçanërisht të ushtrohet peshë mbi këmbën e dëmtuar, janë disa prej simptomave të këputjes së Ligamentit Kruçiat Anterior (ACL). Futbollistët, volejbollistët apo basketbollistët janë më të predispozuar për një dëmtim të tillë dhe i njëjti episod mund të ndodhë që të përsëritet disa herë gjatë karrierës së tyre sportive. Një ACL e këputur dhe e pariparuar mund të shkaktojë dëmtime të mëtejshme të gjurit.
Rezonanca magnetike është ajo e cila jep më të detajuar defektin dhe në bazë të kësaj përcaktohet edhe diagnoza. Në shumicën e rasteve për sa i përket këtyre këputjeve, trajtimi më i shpeshtë dhe më i duhur është pikërisht ai kirurgjikal. Kirurgjia artroskopike rezulton të jetë edhe forma më efikase për trajtimin e këtij fenomeni.
Brenda këtij konteksti, Poliklinika Gjermane ka sjellë ekskluzivisht për Shqipërinë liderin e mirënjohur ndërkombëtar të pajisjeve e metodave artroskopike, ARTHREX. Kjo kompani gjermane me baza në SHBA, zhvillon aktivitetin e saj prej dekadash dhe ka zhvilluar deri më sot rreth 10 mijë pajisje e metoda inovative në fushën e artroskopisë.
Artroskopia në vetvete, është një teknikë kirurgjikale mini-invazive e cila u mundëson kirurgëve të aksesojnë dhe trajtojnë pothuajse çdo lloj patologjie të nyjeve në sajë të prerjeve shumë të vogla të lëkurës. Nëpërmjet njërës prej prerjeve vendoset një instrument optik me dritë dhe me kamera të vogël, të cilat ndihmojnë në projektimin e imazheve në një ekran. Ndërsa, në sajë të prerjeve të tjera minimale, kirurgu punon mbi problemin e nyjes dhe realizon kirurgjinë me anë të pajisjeve të veçanta.
Rekonstruktimi i Ligamentit Kruçiat Anterior (ACL) realizohet në mënyrë të suksesshme nën përkujdesin e plotë dhe profesionale të kirurgëve ortopedë dhe traumatologë vendas e të huaj pranë Poliklinikës Gjermane. Me ndihmën e artroskopisë ARTHREX, stafi i kësaj poliklinike implementon një teknikë të njohur si “all-inside technique”, që do të thotë se ligamenti vendoset brenda pjesës anatomike të nyjes në mënyrë mini-invazive pa qenë e nevojshme “të hapet” kocka e gjurit.
Tendinet përreth gjurit përgatiten në një mënyrë të veçantë dhe përdoren për ligamentin e ri. Ndërsa për nyjen bëhet çdo gjë që është e nevojshme për ta përgatitur në lidhje me vendosjen anatomike të ligamentit. Anestezia është lokale dhe cikli i proçedurës së rekonstruktimit ACL mbyllet brenda ditës së ndërhyrjes mini-invazive. Kjo do të thotë që në rast se pacienti operohet në mëngjes, në darkë ai mund të shkojë në shtëpi.
Ditët e sotme, ky lloj rekonstruktimi anatomik i ACL-së përbën një standard të artë. Ndërhyrja zgjat afërsisht 50 minuta dhe në 98% të rasteve ka rezultuar tejet e suksesshme dhe efektive. Është e pritshme që pas periudhës së rehabilitimit, pacienti të rekuperohet plotësisht dhe t’i rikthehet aktiviteteve të tij të mëparshme.