I shpallur si një nga shkrimet më të mira të BBC Future, ky shkrim eksploron faktet nëse vërtet trupi që kemi ne, është i yni plotësisht. Ne jemi një shkrirje e shumë organizmave, përfshi me shumë gjasë edhe një tjetër person
Nga David Robson
Dikur ishte e lehtë të kuptoje origjinën tënde.
Babai takoi mamanë tënde, bënë qejf dhe nga një vezë e vogël e fertilizuar dole ti duke qarë dhe shkelmuar.
Ti je gjysma mamaja jote, gjysma babai- dhe 100 përqind vetvetja.
Përveç faktit se kjo histori tashmë është bërë shumë e komplikuar.
Përveç geneve nga prindërit, ti je një mozaik me viruse, baktere dhe me shumë gjasë edhe njerëz të tjerë.
Në fakt, nëse je binjak, ke më shumë gjasa që të mbash në trup pjesë të trupit të binjakut tënd.
Më e habitshme akoma është se kjo mund të ndikojë mënyrën se si ti sillesh.
“Njerëzit nuk janë individë unitarë, por superorganizma,” thotë Peter Kramer nga Universiteti i Padovas.
“Një numër i madh njerëzish dhe jo-njerëzish janë duke luftuar vazhdimisht brenda nesh për të marrë kontrollin”.
Së bashku me Paola Bressan, ai së fundmi ka publikuar një studim, duke u bërë thirrje psikologëve dhe psikiatërve që të vlerësojnë mënyrën se si kjo ndikon në sjelljen tonë.
Mund të duket alarmuese, por prej kohësh dihet që trupat tanë janë një mishmash me organizma të ndryshëm.
Mikrobet në zorrë mund të prodhojë neurotransmetues të tillë, që ndryshojnë humorin tuaj: disa shkencëtarë madje sugjerojnë se këto mikrobe ndikojnë edhe tek oreksi juaj, duke bërë që ju të hani ushqimin e preferuar të mikrobeve.
Një infeksion me parazitin Toksoplazma gondii mund të çojë edhe në vdekjen tuaj.
Në natyrë, mikrobet arrijnë të modifikojnë në mënyrë të tillë trurin e minjve, duke bërë që ata të shkojnë drejt maceve për t’u vetëflijuar.
Në këtë mënyrë, mikrobet gjejnë një shtëpi akoma më të rehatshme për t’u riprodhuar.
Por edhe njerëzit mund të infektohen dhe të bëhen subjekt i këtij kontrolli të mendjes: mikrobet shtojnë shanset që dikush të bëhet i rrezikshëm ose të vuajë nga skizofrenia dhe depresioni vetëvrasës.
Aktualisht një e treta e mishit britanik mban të tilla parazite- pavarësisht faktit se një infeksion i tillë mund të sjellë sëmundje mendore.
“Ne duhet ta ndalojmë këtë,” thotë Kramer.
Në këtë kontekst bëhet e qartë se veprimet tona nuk janë plotësisht tonat.
Është mjaftueshëm për të ngritur pikëpyetjen mbi identitetin tonë, por ideja e infiltrimit bëhet akoma më e frikshme kur e kupton se truri juaj nuk pushtohet vetëm nga mikrobet e vogla, por edhe nga qenie të tjera njerëzore.
Rasti më i dukshëm është ai i binjakëve të ngjitur, që ndajnë të njëjtin tru, thotë Kramer, por edhe binjakët e zakonshëm mund të kenë ndarë të njëjtat organe, pa e kuptuar.
Gjatë fazave të para të zhvillimit, qelizat mund të kalohen mes binjakëve ose trinjakëve.
Dikur quhej diçka e rrallë, tani e dimë se është e zakonshme.
Rreth 8 përqind e binjakëve jo-identikë dhe 21 përqind e trinjakëve, për shembull, nuk kanë një, por dy grupe gjaku: një të prodhuar nga qelizat e tyre dhe një tjetër të prodhuar nga qeliza ‘aliene’ të absorbuara nga binjaku i tyre.
Ata janë, me fjalë të tjera, një kimera, një shkrirje mes dy trupave- dhe kjo mund të ndodhë në shumë organe, përfshirë trurin.
Një tru kimera mund të ketë pasoja serioze.
Për shembull ne e dimë se rajone të ndryshme të trurit janë vendimtare për funksionimin e tij, por prania e indeve të huaja mund të shkaktojë një rrëmujë.
Kjo mund të shpjegojë për shembull se përse binjakët kanë më pak shanse që të përdorin dorën e djathtë. Ndoshta kimerizmi ka shqetësuar balancat.
Por edhe nëse nuk keni pasur kurrë një binjak, ka shumë mënyra se si mund të jeni pushtuar nga qeliza të tjera njerëzore.
Është e mundur që fillimisht të kenë qenë dy fetuse në barkun e nënës, por binjakët janë shkrirë që në fazat e para të zhvillimit.
Për shkak se kjo ndodh në fazat e para të zhvillimit, qelizat mund të përfshihen në mënyrë të tillë sa zhvillimi duket normal, por në fakt ju po mbani gjurmën gjenetike të një personi tjetër.
“Ju dukeni si një person, por në fakt keni qelizat e një tjetri- në këtë mënyrë ju efektivisht jeni dy njerëz”, thotë Kramer.
Në një rast ekstrem, një grua u befasua kur i thanë se nuk është nëna biologjike e dy fëmijëve të saj (LEXO ME POSHTE: Vëlla nga një nënë tjetër).
Në mënyrë alternative, qelizat nga një organizëm pak më i vjetër, mund të kenë qëndruar vërdallë në trupin e nënës, për të hyrë në trupin tuaj pasi jeni ngjizur.
Megjithatë ndodh, është krejtësisht e mundur që indet e një njeriu të shkaktojnë një zhvillim të papritur në trurin tuaj, thotë Lee Nelson nga Universiteti i Uashingtonit.
Ajo aktualisht po studion mundësinë që qelizat nga mamaja të implantohen në trurin e bebeve.
Nelson ka zbuluar se edhe nëse jemi në moshë të rritur, sërish nuk jemi të imunizuar nga pushtuesit.
Dy vjet më parë, Nelson dhe William Chan nga Universiteti i Albertas, morën copëza nga indet e trurit të një gruaje dhe kontrolluan gjenomin e tyre.
Në rreth 63 përqind të tyre kishte qeliza mashkullore.
“Jo vetëm gjetëm gjurmë të ADN-së mashkullore në trurin e një femre, por këto gjurmë ishin të pranishme në shumë rajone të trurit”.
Me fjalë të tjera, truri i saj ishte spërkatur me qeliza nga truri i një mashkulli.
Një konkluzion logjik mund të jetë se ato kanë ardhur nga një bebe: Në njëfarë mënyre, qelizat burimore të djalit të saj kanë kaluar nga placenta dhe janë vendosur në tru.
Çuditërisht, kjo duket se ul shanset që mamaja të sëmurët nga Alchajmeri, edhe pse arsyet mbeten një mister.
Disa shkencëtarë kanë nisur të pyesin nëse këto qeliza ndikojnë në mënyrën e të menduarit të nënës gjatë shtatzënisë.
Njohuritë tona për superorganizmin njerëzor janë akoma në fillimet e tyre, kështu që shumë prej pasojave janë thjesht teorike në këtë moment.
Kramera dhe Bressan nuk kanë qëllim që të japin përgjigje përfundimtare, por të hedhin dritë për të ndihmuar psikologët dhe psikiatrit që të kuptojnë se çfarë jemi ne.
“Nuk mund të kuptojmë sjelljen e njeriut pa marrë në shqyrtim mundësinë e një individi tjetër,” thotë Kramer.
“Tek e fundit, të gjithë duhet të kuptojmë se si sillemi ne”.
Për shembull, shkencëtarët shpesh krahasojnë grupet e binjakëve për të kuptuar origjinën e sjelljes, por fakti se edhe binjakët jo-identikë kanë shkëmbyer inde të trurit, mund të turbullojë rezultatet.
Në duhet të jemi veçanërisht të kujdesshëm kur i përdorim këto studime për të krahasuar gjendje të tilla si skizofrenia.
Në përgjithësi, megjithatë, ne nuk duhet të jemi armiqësorë ndaj këtyre ‘pushtuesve’- mbi të gjitha ata të kanë bërë ai që je sot.
“Mendoj se tani është e qartë se emigrantët tanë natyrorë janë me ne prej një kohe të gjatë, për mirë apo për keq,” thotë Nelson.
“Dhe mendoj se ‘për mirë’ peshon më fort se ‘për keq’”.
Vëlla nga një nënë tjetër
Lydia Fairchild bëri një test atësie duke menduar se kjo do provonte përpara gjykatës se kush ishte babai i dy djemve të saj. Por kur erdhën rezultatet, Fairchild mbeti bosh: Tek fëmijët e saj nuk kishte asnjë gjurmë të ADN-së së saj. Gjykata kërcënoi se do e dënonte për surrogaci të paligjshme- duke pretenduar se ishte një mashtrim për të përfituar ndihmë financiare. Për fat në atë kohë një studim sugjeronte për një rast të ngjashëm, ku një nënë nuk dukej se ishte mamaja biologjike e fëmijëve të saj. Arsyeja ishte kimera: dy binjakët ishin shkrirë në trup që në fazën e parë të zhvillimit. Duke qenë produkt i dy linjave të ndryshme të qelizave, disa prej vezëve të saj mbanin një gjenom që ishte i ndryshëm nga pjesa tjetër e trupit.
Nuk është nevoja ta themi që zbulimi bëri që Fairchild të vinte në pikëpyetje identitetin e saj. “Ishte shumë e vështirë t’ua thoja fëmijëve të mi që ajo pjesë e imja nuk u kishte kaluar atyre. Mendoja, nuk jam mamaja e tyre e vërtetë, pasi në njëfarë mënyre, genet që duhet t’ua kaloja, nuk ua dhashë dot”.