Mëngjesin e sotëm, një nga të përditshmet kryesore të Berlinit, njofton se një familje shqiptare shpreson të mos deportohet nga Gjermania.
Shokët e klasës së një djaloshi shqiptar po luftojnë që ai të qëndrojë, pasi i duhet të kurohet për një sëmundje të syve.
Nuk janë të paktë shqiptarët që justifikojnë qëndrimin e tyre në Gjermani me çështjen e problemeve shëndetësore në Shqipëri.
Kur nisi vala e madhe e emigrimit drejt Gjermanisë, në vendin tonë mbërriti kardinali i dioqezës së Këlnit, Rainer Maria Woelki.
Pasi vizitoi Shqipërinë dhe Kosovën, ai dha intervista për mediat gjermane se përse shqiptarët po emigrojnë.
“Në Shqipëri, që prej vitit 2013, kanë ikur rreth 400 mijë njerëz, madje edhe nga shtresa intelektuale”.
I pyetur se përse ndodh kjo, ai përmend korrupsionin, por edhe sistemin shëndetësor.
“Duhet të keni parasysh se në këtë vend duhet të presësh për orë të tëra mjekun. Jo vetëm kaq, por nuk e di sa duhet ta paguash që ai të të marrë në dorë. Mjekët po ashtu janë të keqarsimuar. Më pas, kur diagnostikohesh, duhet të shkosh të blesh vetë ilaçet, pastaj kthehesh sërish për të bërë injeksionin. Kjo është e lodhshme. Unë kam folur me një njeri, që kishte ardhur në Francë për shkak se fëmija e tij ishte i sëmurë rëndë. Në Francë, fëmija u operua tetë herë dhe tani jeton. Cili prind nuk do e bënte këtë gjë për fëmijën e tij?”
Ndërkohë shëndetësia falas është në qendër të dy karikaturave të fundit të mjeshtrit Bujar Kapexhiu.