Prof. Dr. Gobert Von Skrbensky, pjesë e Departamentit të Ortopedisë & Traumës Sportive pranë Poliklinikës Gjermane, rrëfen në intervistën e mëposhtme trajtimin e patologjive të gjurit nëpërmjet kirurgjisë artroskopike, si edhe avantazhet kryesore të kësaj fushe të cilat ofrohen ekskluzivisht nga Poliklinika Gjermane në Tiranë.
Prof. Skrbensky, i cilin mban postin e Shefit të Departamentit të Ortopedisë në Universitetin e Mjekësisë Vienë, njihet gjithashtu si një prej kirurgëve ortopedë sportiv më të njohur në Evropë.
Prof.Skrbensky përshëndetje! Cilat janë disa prej patologjive më të shpeshta të gjurit?
Disa prej patologjive më të shpeshta të hasura tek nyja artikulare e gjurit janë trauma, si rezultat i së cilës dëmtohen ligamentet e gjurit, menisku dhe strukturat e tjera. Traumat e pësuara në jetë, në moshat e thyera shfaqen si artroza post-traumatike.
Përsa i përket trajtimit artroskopik, patologjia më e shpeshtë e hasur deri në ditët e sotme është dëmtimi i meniskut, i cili ndiqet nga çrregullimet e ligamenteve (rupturat apo këputjet e ligamentit kruçiat dhe atij kolateral). Të fundit, por jo më pak të rëndësishmet janë edhe çrregullimet e kërcit, si përplasjet, defektet ose enjtjet kockore mes sipërfaqes së kërcit dhe strukturës së kockës.
Artroskopia është një proçedurë që kirurgët ortopedë përdorin për të inspektuar, diagnostikuar dhe riparuar problemet brenda gjurit, si edhe të çdo nyje artikulare të trupit të njeriut. Fjala “Artroskopi” e ka burimin në gjuhën greke: “arthro” (nyje) dhe “skopein” (të shikosh). Literalisht, nënkupton “të shikosh brenda nyjes artikulare”.
Gjatë proçesit të artroskopisë, kirurgu vendos një kamera të vogël (e quajtur artroskop) brenda nyjes artikulare. Imazhet e nxjerra nga kamera shfaqen në një ekran televiziv dhe në bazë të këtyre imazheve, kirurgu vendos instrumentët kirurgjikal (gjatësia e tyre varion nga 1.2 – 4.5 mm) për të trajtuar problemin brenda nyjes së gjurit.
Artroskopi dhe instrumentët kirurgjikal të hollë i lejojnë kirurgut për të bërë prerje shumë minimale (mini-invazive) dhe jo të mëdha siç nevojiten për kirurgjitë e hapura. E gjitha kjo rezulton në dhimbje më të vogël tek pacienti, ngurtësim më të vogël të nyjes, dhe më kryesorja, shkurton kohën e rikuperimit pas ndërhyrjes dhe mundëson rikthim shumë të shpejtë në jetën aktive.
Çfarë simptomash e drejtojnë pacientin drejt një kirurgjie artroskopike?
Të gjitha llojet e çrregullimeve të cilat nuk janë mundur të shërohen me anë të trajtimit konservativ pa nevojën e kirurgjisë si: çarja e meniskut, rupturat apo këputjet e ligamenteve (paqendrueshmëria e nyjes artikulare), çarjet labrale, defektet kondrale etj, janë të gjitha subjekt i nënshtrimit të ndërhyrjes kirurgjikale artroskopike.
Çarja e meniskut riparohet me një qepje në sajë të një teknike të veçantë artroskopike; rikonstruktimi i ligamenteve kruçiate kryhet nëpërmjet disa lloje metodash; defektet e kërcit mund të plotësohen e trajtohen me anë të qelizave burimore – këto proçedura si edhe një sërë problemesh të tjera të gjurit gjejnë trajtimin e duhur brenda gjithë kornizës së gjerë së shërbimeve që Departamenti i Ortopedisë & Traumës Sportive pranë Poliklinikës Gjermane ofron.
Fatmirësisht pranë Poliklinikës Gjermane, ekzistojnë pajisjet dhe metodat më moderne në fushën e kirurgjisë artroskopike, të cilat vijnë si rezultat i ekskluzivitetit që ky institucion ka për Shqipërinë për teknikat dhe produktet e liderit ndërkombëtar ARTHREX. Në sajë të tyre, unë dhe kolegët e mi pranë Poliklinikës Gjermane, realizojmë jo vetëm kirurgjitë artroskopike të gjurit por edhe të çdo lloj nyjeje artikulare tjetër të trupit të njeriut. Dua të theksoj me bindje të plotë se ky aspekt është edhe aspekti thelbësor në diferencimin e këtij institucioni në Shqipëri nga të tjerët.
Cilat janë avantazhet kryesore të kirurgjisë artroskopike në krahasim me kirurgjitë e tjera tradicionale?
Prerja minimale gjatë ndërhyrjes, trauma shumë më e vogël se në metodat e tjera, mungesa e komplikacioneve post-operatore, rikuperimi i shpejtë i pacientit dhe rikthimi më i shpejtë në jetën aktive, përbëjnë edhe avantazhet kryesore të kësaj lloj kirurgjie në krahasim me të gjitha format e tjera tradicionale.
Pacienti, zakonisht pas kirurgjisë artroskopike mund të lërë spitalin brenda ditës së operimit ose një ditë pas saj, por në rastet kur trajtime shtesë janë të rekomanduara nga kirurgu ortoped, atëherë qëndrimi i tij në spital mund të variojë nga 3-5 ditë.