Bluzat e bardha mësyjnë konferencat për të plotësuar kreditet. Shehu: Edukimi në vazhdim nuk është shkopi magjik, që i bën automatikisht mjekët dhe profesionistët e tjerë të aftë në ofrimin e shërbimeve
Certifikimi i bluzave të bardha, prej më se një viti ka hyrë në ciklin e dytë të tij, ku ndryshe nga cikli i parë në programin e ri “Edukimi në Vazhdim”, zgjat katër vjet. Ndërkohë, për herë të parë përfshihen infermierët, mamitë dhe ndihmësfarmacistët. Në një intervistë për MAPO, drejtoresha e Qendrës Kombëtare të Edukimit në Vazhdim, Entela Shehu, teksa bën një analizë të procesit të edukimit në vazhdim deri tani, shpjegon kreditet e domosdoshme për tre nënprofesionistët e rinj të shëndetësisë.
Prej më se një viti, profesionistët e shëndetësisë po i nënshtrohen ciklit të dytë të akreditimit. Ka një analizë institucioni që drejtoni ju mbi ecurinë e deritanishme të këtij procesi?
Qendra Kombëtare e Edukimit në Vazhdim (QKEV) ka kryer në mënyrë periodike monitorimin dhe analizën e procesit të edukimit në vazhdim, prej fillimit të funksionimit të tij në vitin 2010. Gjithashtu, në përfundim të ciklit të parë të programit të certifikimit është bërë dhe një analizë përmbledhëse e ecurisë pesëvjeçare të sistemit të edukimit në vazhdim, me qëllim përmirësimin e funksionimit të sistemit të akreditimit të aktiviteteve të edukimit në vazhdim dhe programit të certifikimit për profesionistët. Besoj se tashmë mund të themi se kemi një sistem edukimi në vazhdim funksional, i cili i përgjigjet qëllimit kryesor të tij, që është nxitja e mjekëve, infermierëve dhe profesionistëve të tjerë të shëndetësisë, për të përditësuar dijet dhe aftësitë e tyre në shërbim të pacientëve. Megjithatë, dua të nënvizoj se sistemi i detyrueshëm i edukimit në vazhdim nuk është shkopi magjik, që i bën automatikisht mjekët dhe profesionistët e tjerë të aftë në ofrimin e shërbimeve. Ai është vetëm një mekanizëm nxitës dhe detyrues për zhvillimin e tyre profesional. Në mënyrë që zhvillimi profesional të mos jetë formal dhe të japë rezultatet e dëshiruara, duhet nga njëra anë të jetë vullneti dhe dëshira individuale e çdo mjeku që të lexojë, mësojë e zhvillohet, dhe nga ana tjetër të ketë aktivitete edukimi në vazhdim cilësore, që t’u përgjigjen nevojave reale të profesionistëve dhe shërbimeve mjekësore. Nëse ky vullnet mungon apo aktivitetet janë jocilësore, edukimi i vazhdueshëm nuk do të çojë në një kujdes shëndetësor cilësor dhe bashkëkohor. Ecuria e sistemit lidhet gjithashtu edhe me mirëfunksionimin e të gjithë hallkave të tjera të tij. Këtu është me rëndësi të përmendim rolin tejet të rëndësishëm të institucioneve shëndetësore dhe drejtuesve të tyre, rolin e drejtuesve të shërbimeve në spitale, të drejtuesve të qendrave shëndetësore, të cilët duhet të mbështesin procesin përmes krijimit të kushteve që edukimi i vazhdueshëm të zhvillohet sistematikisht në vendin e punës, përmes zbatimit të rregullave për të gjithë ata që nuk e bëjnë përditësimin e dijeve siç duhet dhe organizimit të aktiviteteve që iu përgjigjen nevojave të profesionistëve dhe nevojave të shërbimeve shëndetësore. Hallka të tjera të rëndësishme janë shoqatat e profesionistëve të shëndetësisë që janë ofruesit kryesorë të aktiviteteve të edukimit në vazhdim; urdhrat e profesionistëve, të cilët janë përgjegjës për regjistrimin e profesionistëve që ushtrojnë profesionin dhe licencimin/rilicencimin e tyre; QKEV që bën akreditimin (vlerësimin e cilësisë) së aktiviteteve të edukimit në vazhdim, regjistron kreditet e mbledhura nga profesionistët dhe monitoron të gjithë procesin; Ministria e Shëndetësisë që bën politikat e edukimit të vazhdueshëm, harton kuadrin rregullator për mirëfunksionimin e procesit dhe mbikëqyr të gjithë sistemin.
Përveçse detyrimit ligjor, profesionistët e shëndetësisë a janë të interesuar për të përditësuar dijet e tyre?
Nevoja për të mbledhur numrin e kërkuar të krediteve ka bërë që nga viti në vit të vërehet një rritje e interesimit të profesionistëve për të marrë pjesë në aktivitete të edukimit të vazhdueshëm që synojnë të rifreskojnë njohuritë dhe aftësitë në fushat profesionale përkatëse, por dhe t’i njohin ata me risitë e shkencës mjekësore. Megjithatë, edhe pse është folur shumë në këto vite për këtë çështje, në jo pak raste është vërejtur një indiferencë e profesionistëve për të zbatuar kërkesat e ligjit. Për ata që punojnë në sektorin publik, besoj se kjo lidhet jo vetëm me ndërgjegjësimin e ulët të tyre për rëndësinë e procesit, por edhe me mungesën apo pamjaftueshmërinë e veprimit të drejtuesve të spitaleve dhe qendrave shëndetësore që nuk e kanë parë si prioritet edukimin e vazhdueshëm. Për ata që punojnë privatisht, kemi vënë re që shumë prej tyre kujtohen për kreditet kur iu vjen koha të rinovojnë licencat. Kjo nuk do të thotë domosdoshmërisht që nuk e bëjnë edukimin e vazhdueshëm, sepse ata mund të lexojnë, marrin pjesë në aktivitete, por që harrojnë dhe neglizhojnë t’i raportojnë. Shkalla e ndërgjegjësimit e profesionistëve dhe drejtuesve të institucioneve, ndonëse në rritje është ende e pamjaftueshme.
Publik–privat, të dy sektorët janë të përfshirë në edukimin në vazhdim. Cilat janë aktivitetet ku mjekët rezultojnë më të përfshirë?
Brenda sektorit publik, interesin më të lartë për edukimin e vazhdueshëm dhe përmbushjen e kërkesave të programit të certifikimit e kanë patur ata profesionistë që punojnë në nivelin terciar të shërbimeve shëndetësore (Spitalet Universitare në Tiranë). Nivel më të ulët në përmbushjen e kritereve paraqesin mjekët e spitaleve dhe qendrave shëndetësore të rretheve. Farmacistët përfaqësojnë kategorinë me numrin më të lartë të profesionistëve me detyrim të kryer. Pjesa më e madhe e profesionistëve me detyrim të pakryer apo me 0 kredite i përkasin sektorit privat, kryesisht stomatologë. Nga analiza e bërë për kreditet e marra, sipas llojit të aktivitetit, vërehet se përqindja më e lartë e krediteve është marrë nga aktivitete trajnuese dhe nga konferencat. Gjithashtu, një pjesë e krediteve janë marrë nga aktivitetet individuale, ku përfshihen: Botimi i librave, abstrakteve dhe i artikujve në revista profesionale të vendit dhe të huaja, vizita studimore të strukturuara, si dhe pjesëmarrje në edukim të vazhduar jashtë vendit. Si dhe programet universitare të akredituara nga institucione akademike brenda dhe jashtë vendit (master, doktoraturë) dhe përgatitja e kurrikulave universitare.
Deri në 20% të krediteve janë mbledhur nga aktivitetet e vetëraportuara, ku përfshihen leximi i artikujve shkencorë, librave, vizita studimore afatshkurtra, pjesëmarrje në aktivitete kërkimore, pjesëmarrje në aktivitete të edukimit në distancë.
Cilët prej këtyre profesionistëve kanë interes më të lartë për edukimin në vazhdim?
Nga analiza e bërë në përfundim të ciklit të parë (2010-2014), vihet re se një numër i konsiderueshëm profesionistësh (mbi 80%) e përfunduan me sukses ciklin e parë të certifikimit. Në vend të parë qëndrojnë farmacistët, mbi 90% e të cilëve kanë përmbushur detyrimet, në vend të dytë janë mjekët dhe në fund renditen stomatologët.
Sa prej këtyre profesionistëve nuk janë përfshirë në akreditim?
Sipas analizës pesëvjeçare që u krye vitin e shkuar, numri i profesionistëve që kishin përmbushur kërkesat e programit të ricertifikimit arrinte në shifrën 8,282 profesionistë, nga të cilët 4,537 mjekë, 1,647 stomatologë dhe 2,098 farmacistë. Numri i profesionistëve, të cilët nuk kishin përmbushur kërkesat e programit të ricertifikimit (mjekë që kanë nga 1-149 kredite dhe farmacistë e stomatologë që kanë 1-99 kredite), u përllogarit në shifrën 1,055 profesionistë, nga të cilët 606 mjekë, 357 stomatologë dhe 92 farmacistë.
Si mund të informohen profesionistët për aktivitetet që ndodhin?
QKEV publikon në faqen e saj të internetit të gjitha konferencat, trajnimet, seminaret që akreditohen prej saj dhe aty profesionistët mund të marrin informacionin e nevojshëm për çdo aktivitet, në mënyrë që të bëjnë zgjedhjen e atyre aktiviteteve që janë më relevante për ta dhe që i shërbejnë më shumë zhvillimit të tyre profesional.
Programi i ri i certifikimit, ndryshimet:
– Programi i ri i certifikimit të profesionistëve të shëndetësisë, në ndryshim nga i pari është katërvjeçar;
– Programi i certifikimit përfshin tashmë dhe infermierët, mamitë dhe ndihmësfarmacistët;
– Mjekët duhet të marrin 120 kredite, farmacistët, ndihmësfarmacistët dhe stomatologët 60 kredite, ndërsa infermierët dhe mamitë 40 kredite;
– Risi të tjera janë vendosja e numrit vjetor minimal të detyrueshëm të krediteve dhe futja e testit të vetëvlerësimit që do të kryhet online dhe lidhet me specialitetin e profesionistit;
– Kreditet e përfituara nga aktivitetet e edukimit në vazhdim, me temë të lidhur drejtpërdrejt me specialitetin e profesionistit, duhet të përbëjnë të paktën 50% të numrit të përgjithshëm të krediteve, kreditet e përfituara nga aktivitetet e edukimit në distancë duhet të përbëjnë jo më shumë se 50% të numrit të përgjithshëm të krediteve të raportuara dhe kreditet e përfituara nga aktivitetet e vetëraportuara mund të përllogariten deri në 20% të numrit të përgjithshëm të krediteve të marra nga profesionisti. Pjesa tjetër e krediteve të nevojshme përcaktohet nga zgjedhja e lirë e profesionistit, në bazë të nevojave individuale.