Intervistë me Dr. Ervin Jonuzi, kirurg ortoped-traumatolog pranë Poliklinikës Gjermane në Tiranë dhe kandidat i shkencave mjekësore, në të cilën shpjegohet trajtimi kirurgjikal i gishtit të madh të këmbës në rastet e deformimit të tij, i njohur ndryshe edhe si “bunion” apo “Hallux Valgus”.
Ky deformim është një prej arsyeve kryesore të lodhjes dhe dhimbjeve të vazhdueshme të pacientit. Në rastet kur metodat e thjeshta dhe tradicionale (si veshja e këpucëve më të gjëra apo forma të tjera të përkujdesjes) nuk japin zgjidhjen e duhur, trajtimi kirurgjikal ngelet mënyra e vetme e rregullimit të këtij fenomeni për rikthimin në një jetë sa më normale.
Dr.Ervini, cilat janë shkaqet e formimit të bunionit dhe kush janë simptomat e tij?
Bunioni (Hallux Valgus) është deformim i gishtit të madh të këmbës. Mbi pjesën e brendshme të gishtit të madh formohet një gungë dhe gishti i madh tenton të shtyjë gishtat e tjerë, duke arritur deri në gradën kur gishti i dytë pozicionohet mbi të madhin, ose gishti çekiç i quajtur ndryshe.
Janë shumë faktorë që çojnë drejt formimit të bunionit, ku më kryesoret janë arsyet gjenetike dhe ato të lidhura me këpucët, veçanërisht këpucët me maja dhe me taka të larta, të cilat janë direkt të implikuara drejt këtyre deformimeve.
Pacientët ankojnë për një gungë kockore në bazën e gishtit të madh, enjtje dhe skuqje mbi të, si dhe deformime të gishtave të tjerë, të gjitha këto si arsye e deformimit të gishtit të madh.
Cilat janë format e trajtimit të këtij deformimi?
Bunioni mund të jetë i dhimbshëm ose jo. Në rastet kur ai nuk shkakton dhimbje, trajtimi jo-kirurgjikal ështe rruga e parë e trajtimit. Ne si kirurgë, rekomandojmë veshjen e kepucëve me majë të gjerë për gishtin e madh, një pajisje që korrigjon pozicionin e gishtit të madh, ose një shtresë që mbron bunionin nga fërkimi me pjesën e brendshme të këpucës.
Në rastet kur ky lloj trajtimi nuk është efikas dhe bunioni zmadhohet, përkeqësohet dhe merr trajtë të dhimbshme, metoda kirurgjikale ngelet opsioni i vetëm dhe përfundimtar në ndreqjen e kësaj patologjie. Trajtimi i hershëm kirurgjikal i saj është thelbësor për shmangien e lodhjeve dhe dhimbjeve të vazhdueshme që pacienti mund të përjetojë.
Dr.Ervini, çfarë simptomash e bëjnë një pacient kandidat të mundshëm për nderhyrje kirurgjikale?
Arsyet kryesore që bëjnë një pacient të konsiderojë ndërhyrjen kirugjikale janë:
- Dhimbje e vazhdueshme e këmbës që kufizon aktivitetet e përditshme, si të ecurin apo të veshurit e këpucëve që duam. Për pacientin mund të rezultojë tejet e vështirë që të ecë edhe pak metra pa ndjerë dhimbje;
- Inflamacion kronik i gishtit të madh të këmbës dhe enjtje që nuk përmirësohen me anë të pushimit apo marrjes së medikamenteve;
- Deformim i gishtit të madh të këmbës dhe kalim i tij mbi gishtat e tjerë të këmbës;
- Shtangësi e gishtit të madh të këmbës – mungesë aftësie e përkuljes apo drejtimit të gishtit;
- Pamundësi e lehtësimit të dhimbjes edhe pas ndërrimit të modeleve të këpucëve etj.
Pak a shumë, këto janë edhe faktorët kryesorë që na bëjnë ne si kirurgë t’ua rekomandojmë pacientëve tanë nderhyrjen kirurgjikale për trajtimin e kësaj patologjie.
Ajo që më duket e rëndësishme të theksoj, është se kirurgjia e bunionit nuk duhet të konsiderohet asnjeherë për arsye kozmetike. Në rastet kur një pacient realizon ndërhyrje për një qëllim të tillë, ekzistojnë gjasa të mëdha që të ndjejë dhimbje post-operatore pavarësisht se ai mund të mos ketë patur dhimbje pre-operatore.
Çfarë proçedurash kirurgjikale ndiqen pranë Poliklinikës Gjermane për trajtimin e kësaj patologjie?
Pranë Poliklinikës Gjermane, gradat e para të deformimit të gishtit të madh të këmbës trajtohen në mënyrë mini-invazive. Nëpërmjet kësaj mënyre, pra në saj të hapjeve shumë të vogla, dhe nën kontrollin e plotë të teknikave shumë moderne të imazherisë, bëhet plotësisht i mundur dhe në mënyrë të sukseshme korrigjimi i kësaj patologjie.
Përvoja shumë vjeçare e kirurgëve të Departamentit të Ortopedisë & Traumës Sportive pranë Poliklinikës Gjermane, si edhe përdorimi i implanteve moderne dhe i teknologjive të avancuara pranë institucionit tonë, ka thjeshtësuar goxha trajtimin e këtij problemi.
Ajo që është edhe më e rëndësishmja, pacientët tanë i rikthehen jetës së përditshme disa ditë pas ndërhyrjes kirurgjikale, ndërsa jetës sportive pak muaj më vonë.